Prishtinë, 23 dhjetor 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se ndaj ish-kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti ka ngritur aktakuzë për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.
Në njoftim thuhet se Ahmeti akuzohet për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Ai akuzohet se, nga viti 2018 e deri në vitin 2022, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, “me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë këtyre viteve.
Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro”, thuhet në njoftim.
Rasti i është dërguar për shyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.
Shpend Ahmeti ishte kryetar i Prishtinës në dy mandate, nga viti 2013 deri në vitin 2021.
Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë në Kosovë ka filluar në vitin 2007. Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e pozitës dhe pastaj ta bëjnë këtë çdo vit.
Me Kodin Penal të Kosovës msdeklarimi i pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.
Deri më tash, asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë nuk është dënuar me burgim.
(r.m.)