“Shpresë dhe Paqe” festoi Ditën e Nënës dhe u nderua nga Senatorja e Nju Jorkut Nathalia Fernandez

Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” festoi ditën e nënës në një takim me anëtare të shoqatës dhe me të ftuar nderi Senatoren e Nju Jorkut Nathalia Fernandez, përkrahëse dhe bashkëpunëtore e këtij institucioni të pavarur civil të grave dhe vajzave shqiptare amerikane. Misioni i organizatës është paqja dhe barazia gjinore në familje dhe shoqëri, toleranca fetare, lufta me mjete demokratike kundër dhunës ndaj gruas dhe fëmijëve në familje si edhe kundër trafikimit njerëzor.

Themeluesja e organizatës Mimoza Dajçi, gazetare dhe aktiviste, e përkushtuar ndaj familjes dhe kombit, ka ngritur zërin për të drejtat e gruas dhe fëmijëve ish të persekutuar politikë në Shqipëri, për të drejtat e nënave dhe motrave shqiptare në Kosovë, dhe veçanërisht për drejtësinë që nuk është arritur në lidhje me krimet e kryera gjatë luftës nga makineria serbe.

Secila nga pjesëmarrëset ka një histori të dhembjes por edhe të triumfit të gruas mbi padrejtësitë dhe abuzimet e lirive nga diktatura komuniste. Në takim Shoqata Marigona ishte përfaqësuar nga shkrimtarja Sabije Veseli. Disa anëtare të organizatës Shpresë dhe Paqe kanë marrë pjesë në Samite e Konferenca Botërore të Grave.

Për kontributin e dhënë në dobi të misionit të shoqatës, zyra e Senatores Fernandez vlerësoi me Mirënjohje Nderi znj. Rita Saliu, poete dhe humaniste e titullit “Nënë Tereza” nga Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, Dr. Dolora Bushati, ish e persekutuar politike, lindur e rritur familjarisht në kampet e përqendrimit të diktaturës komuniste shqiptare, sot pedagoge në Universitetet Amerikane, znj. Gazmenda Tapia, ish pedagoge e kimisë në Shqipëri, publicisten Gena Bajrami, gazetaren dhe editoren për anglisht të gazetës Dielli Rafaela Prifti, gazetaren dhe publicisten Elida Bucpapaj. Gjithashtu u vlerësuan nga Senatorja Fernandez gazetaret Mimoza Lakna dhe Valentina Madani për mbështetjen që i japin kësaj organizate në kauzën e saj për të drejtat e grave dhe fëmijëve.

Drejtuesja Mimoza Dajçi, e cila ka qenë fituese e këtij vlerësimi prestigjioz, dha fjalën përshëndetëse në takim si edhe një historik të shkurtër për ditën e nënës në Amerikë. Editori i gazetës Dielli Sokol Paja erdhi për t’i përgëzuar pjesëmarrëset e për t’i përshëndetur në emër të Vatrës e të Diellit ku shprehu nderim dhe mirënjohje për gratë shqiptare që janë shembuj të qëndresës, mirësisë, sakrificës e dashurisë dhe iu uroi festën e nënës.

Takimi u mbajt tek Restoranti Cakor në Bronx i pronarit patriot, vatranit Kujtim Funiqi. (Dielli)