Shqipëri: Gjykata Kushtetuese e rrëzon pjesërisht ligjin për studentët e mjekësisë

Tiranë, 25 janar 2024 – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë vendosi në seancën plenare të së enjtes, rrëzimin e pjesshëm të nismës së qeverisë për ligjin e studentëvë të mjekësisë.

Specifikisht, më 25 Janar u shfuqizua detyrimi për punësimin e detyruar në vend për pesë, tre dhe dy vite.

“Ligji i miratuar me shpejtësi, me mllef dhe me mungesë profesionalizmi nga Parlamenti Shqiptar për të kushtëzuar jetën e studentëve të mjekësisë për pesë vite është rrëzuar sot nga Gjykata Kushtetuese”, tha Migen Qiraxhi nga organizata Qëndresa Qytetare, i cili e cilësoi këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese si një fitore absolute të studentëve.

“Gjykata kushtetuese me shumicë votash vendosi shfuqizimin e fjalëve “pesë vjet” në nenin 4, pika 1, shkronja “b”, “5 vjeçar” në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, “tre vjet”, në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “tre vjeçar”, në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, “dy vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “dy vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b” të ligjit nr.60/2023”, shkruan njoftimi i Gjykatës Kushtetuese.

Parlamenti miratoi më 21 Korrik të vitit që lamë pas projektligjin e qeverisë që do i detyronte studentët e mjekësisë në Shqipëri të punonin në vend të paktën për pesë vite, duke u mbajtur atyre diplomën pas përfundimit të studimeve.

Ligji në fjalë u prit me protesta të shumta nga studentët e Universitetit të Mjekësisë, të cilët e paditën atë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata ka vlerësuar se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës.

Në njoftimin e gjykatës theksohet se edhe pse kufizimi është vendosur për interes publik të garantimit të kujdesit shëndetësor, ky kufizim nuk është proporcional me afatet e shlyerjes së detyrimeve për punësim.

“Afati pesë vjeçar është i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër sesa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim”, citon njoftimi i Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ky afat tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve.

Gjykata i caktoi Kuvendit detyrimin për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore brenda tre muajve pas këtij vendimi.

“Studentët ndoqën rrugën dhe formën e reagimit qytetar, institucionale por edhe atë në rrugë. Ata ia dolën të fitonin dhe ky është një shembull i cili duhet marrë nga çdo qytetar”, tha Migen Qiraxhi.

“Kushdo që mendon se kundër qeverisë nuk mund te ankohesh dhe nuk mund të protestosh sigurisht që e pati gabim“, përfundoi ai.

(Reporter.al)