Shqipëri: Opozita e dërgon në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Portin e Durrësit

Tiranë, 11 nëntor 2022 – Një grup prej 37 deputetëve të Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare i kërkuan Gjykatës Kushtetuese, që të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare ligjin ratifikues mbi marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ku përfshihet edhe zhvillimi i Portit të Durrësit.

Grupi i deputetëve kërkon po ashtu në padinë mbi 40 faqe, që të pezullohet zbatimi i atij ligji, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi, sepse, sipas tyre, është i papajtueshëm me parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe marrëveshje ndërkombëtare të detyrueshme për Shqipërinë.

“Procedura e ndjekur sa i takon negocimit, nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes, vjen në kundërshtim me Konventën e Vjenës të vitit 1969 “Për të drejtën e traktateve”, si dhe legjislacionin e brendshëm në Shqipëri “Për Marrëveshjet ndërkombëtare”, thuhet në padinë e deputetëve opozitarë në Gjykatën Kushtetuese.

Kërkesa u dorëzua në Gjykatën Kushtetuese nga Oerd Bylykbashi përfaqësues i Partisë Demokratike, pas dyshimeve për korrupsion me planet për ndërtimin e Portit të Durrësit, të cilat, sipas tij, po miratohen pa transparencë dhe pa konkurrime të hapura.

Ligji ratifikues i marrëveshjes bazë me fuqi 10 vjeçare parashikon një seri lehtësirash bazuar në marrëveshjen për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve mes dy vendeve.

Marrëveshja flet për një fushë të gjerë bashkëpunimi në ekonomi, bujqësi, turizëm. Ajo u miratua nga qeveria në fund të nëntorit të vitit 2020 dhe brenda një jave u miratua në Kuvend me 91 vota pro, 5 kundër e 4 abstenim, në kohën kur Partia Demokratike braktisi institucionin ligjvënës dhe u përpoq të digjte mandatet e deputetëve të saj.

Një viti më pas, më 2 dhjetor 2021 Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi projektin “Marina dhe Jahtet e Durrësit”, si një projekt i integruar me port turistik dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë dhe shërbime.

“Marrëveshjet në lidhje me pjesëmarrjen e shtetit në këtë investim nuk janë të qarta dhe transparente akoma dhe sot”, theksohet në padinë e opozitarëve drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesa e Partisë Demokratike për të shpallur antikushtetues ligjin ratifikues të marrëveshjes bazë u paraqit brenda dy vjetësh në Gjykatë Kushtetuese, ndërkohë që qeveria dorëzoi këtë të mërkurë në Kuvend dhe futi në procedurë të përshpejtuar marrëveshjen përfundimtare për ndërtimin e Portit të Durrësit.

Sipas qeverisë shqiptare, investimi për ndërtimin e Portit të Durrësit parashikohet të shkojë në 2 miliardë dollarë, por opozita dyshon për një aferë korruptive të përmasave të mëdha.

Marrëveshja u nënshkrua më 11 gusht mes palëve dhe qeveria e solli në Kuvend, ku u prit me kritika e dyshime nga opozita, sapo u mësua se ajo po futej në procedurë të përshpejtuar.

Kryeministri Edi Rama tha në seancën e fundit parlamentare se bëhet fjalë për “një personalitet të ekonomisë globale, përfaqësues i një prej kompanive më të mëdha të botës që vjen në Shqipëri si rezultat i një marrëdhënie strategjike”.

Ai shtoi se po bëhet një investim që nuk është bërë dhe nuk është imagjinuar ndonjëherë, që “e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe”.

Zoti Rama tha se nuk duhej humbur më kohë, pasi kontrata u negociua për mbi një vit, dhe ajo është një kontratë ku shteti shqiptar merr pjesë me aksione.

“Investimi që ne do të bëjmë në Portin e Durrësit është një simbol kombëtar për një erë të re, i cili punëson 12 mijë njerëz direkt dhe indirekt, i cili nuk nxjerr asnjë kokërr leku nga buxheti i shtetit, po sjell 2 miliardë e kusur, mbase edhe më shumë, në varësi se si do zhvillohet nga jashtë”, tha zoti Rama.

Projektligji pritet të debatohet si hap përfundimtar në Kuvendin me shumicë socialiste, që i hap rrugën punimeve në terren, ndërsa opozita sapo paditi marrëveshjen fillestare ku bazohet ai, në Gjykatën Kushtetuese.

Mbetet për t’u parë si do ta trajtojë ajo këtë çështje, që ka trazuar qarqet politike e ekonomike të Shqipërisë lidhur me të ardhmen e portit më të madh të vendit.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)