Shqipëri: Pronat e dhuruara kushërinjve të parë nuk përjashtohen nga tatimi 15%

Tiranë, 18 janar 2024 – Pasuritë e paluajtshme në rastet e dhurimit, heqjes dorë apo trashëgimisë do të përjashtohen nga tatimi 15 % për rastet brenda lidhjes gjinore, motër dhe vëlla, por jo ndaj kushërinjve të parë.

Udhëzimi i për përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë së Kadastrës Shtetërore “Për tatimin mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme” në zbatim të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, nëpërmjet shembujve përcakton se nëse një pasuri e paluajtshme dhurohet nga 1 individ te kushëriri i tij i parë do të taksohet 15%.

Nga taksimi 15% do të vijojnë të përjashtohen dhurimet dhe trashëgimitë të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme te trashëgimtarët e radhës së parë dhe të dytë. Ndërsa pasuritë e paluajtshme e trashëguara apo dhuruara te trashëgimtarët përtej radhës së parë dhe të dytë të përcaktuara në Kodin Civil, nuk do të tatohen deri në vlerën 5 milionë lekë.

“Përjashtohen nga tatimi i të ardhurave nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme: a) dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga/ose ndërmjet trashëgimtarëve ligjorë në radhë të parë dhe të dytë, sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, si dhe dhurimet dhe trashëgimia brenda lidhjes gjinore motër-vëlla;

  1. b) dhurimet dhe trashëgimitë të marra përveç atyre të përcaktuara në shkronjën “a” deri në 5,000,000 lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme;
  2. c) kalimi i së drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, përkatësisht nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, i ndryshuar”, citohet në udhëzim.

Udhëzimi përcakton se për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë nëpërmjet dhurimit dhe trashëgimisë, sipas dispozitave të kreut VI të ligjit nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, ose heqjes dorë nga e drejta e pronësisë në dobi të një të treti apo të bashkëpronarëve të tjerë, kur transaksioni konsiderohet i tatueshëm dhe për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor do të veprohet si në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë, tokë dhe ndërtesë, nëpërmjet aktit të shitjes.

Gjithashtu raporti i vlerësimit për pasurinë e dhuruar apo hequr dorë prej saj nuk është detyrues për t’u paraqitur në dokumentacionin për kalimin e të drejtës së pronësisë së paluajtshme nëpërmjet dhurimit, apo heqjes dorë. Sipas udhëzimit vlera e pasurive e pasqyruar në këto raporte, si dhe në kontratat e dhurimit apo shkëmbimit, nuk është referuese për llogaritjen e fitimit kapital të realizuar.

Si do të llogaritet vlera e shitjes dhe blerjes së pronës së dhuruar ndaj kushërinjve për taksimin 15%

Shembull

Vlera në shitje e ndërtesave të dhuruara dhe vlera në blerje e ndërtesave të privatizuara

Individi AA, Korçë, i dhuron djalit të xhaxhait, individit BB një apartament me sipërfaqe 220 m2 , me akt dhurimi të datës 15.01.2024. Individi AA e ka përfituar këtë apartament nga privatizimi në vitin 1992, me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, dhe e ka regjistruar në pronësi të tij pranë DVASHK-së në vitin 1999.

Vlera në shitje Për të përcaktuar vlerën në shitje të banesës, në rastet e dhurimit vlera në shitje është e barabartë me vlerën më të madhe ndërmjet vlerës sipas çmimeve të referencës dhe vlerës mbi të cilën dhuruesi ka paguar tatim për këtë pronë. *Meqenëse ky apartament është përfituar me anë të ligjit nr. 7652, datë 23.12.1992, dhe jemi në rastin e shitjes së parë, çmimi i referencës për metër katror është 50 (pesëdhjetë) për qind e çmimit të referencës së zonës. Vlera në shitje e apartamentit, që do të dhurojë individi AA, sipas çmimeve të referencës (viti 2024) është: 220 m2 x (45,800 lekë/m2 x 50%) = 5,038,000 lekë.

Duke qenë se dhuratat ndaj kushërinjve nuk janë të përjashtuara (kreu VI, ligji 29/2023), dhe njëkohësisht vlera e pasurisë së paluajtshme është më e madhe se 5,000,000 lekë, atëherë për këtë pasuri do të llogaritet tatim.

Meqenëse kjo pronë do të dhurohet, si vlerë në shitje do të jetë vlera sipas çmimit të referencës prej 5,038,000 lekë (Vlera në shitje).

Vlera në blerje

Vlera në blerje për apartamentin e përfituar nga privatizimi me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, dhe që shitet (dhurohet) për herë të parë, është e barabartë me vlerën sipas kostos së shfrytëzimit për m2 të vitit në të cilin është regjistruar pasuria në DVASHK (kosto e vitit 1999). Kostoja e shfrytëzimit për qytetin e Korçës në vitin 1999 është 25,145 lekë/m2 . Atëherë, vlera në blerje e pasurisë së paluajtshme është: 220 m2 x 25,145 = 5,531,900 lekë Tatimi i llogaritur Tatimi që duhet të paguajë përfituesi BB është: (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15% (5,038,000 – 5,531,900) x 15 % = 0 lekë Në këtë rast tatimi është 0 lekë duke qenë se vlera në shitje është më e vogël se vlera në blerje.

Shembull

Si do të llogaritet vlera në shitje e ndërtesave të përfituara nga heqja dorë

Individët AA, BB dhe CC, me banim në qytetin e Kavajës, kanë në pronësi të tyre me nga 1/3 pjesë takuese secilit, një dyqan me sipërfaqe 90 m2 , të blerë në vitin 1995, me shumën gjithsej 900,000 lekë, shumë për të cilën është llogaritur dhe tatim. Viti i fitimit të titullit të pronësisë së kësaj prone për herë të parë është viti 1992. Në datën 20.03.2024, individi AA kërkon përpara noterit që të heqë dorë nga pronësia e tij në këtë dyqan dhe për këtë qëllim do të lëshojë dhe deklaratën noteriale. Kjo pronë, nga e cila është hequr dorë përfitohet në mënyrë të barabartë nga dy bashkëpronarët e tjerë, individi BB dhe individi CC. Pjesa e pronës nga e cila hiqet dorë është 1/3 e dyqanit, pra 90 m2 : 3 = 30 m2 Sipërfaqja e pronës që përfitohet nga individi BB dhe individi CC është në mënyrë të barabartë, konkretisht: •Individi BB dhe individi CC, përkatësisht secili përfiton sipërfaqen: 30 m2 : 2 = 15 m2 Duke qenë se e ardhura nga heqja dorë është e tatueshme, individët BB dhe CC, që përfitojnë pjesët takuese përkatësisht nga 15 m2 nga heqja dorë, para se të fitojnë titullin e pronësisë, duhet të llogarisin tatimin. Vlera në shitje Për të përcaktuar vlerën në shitje të dyqanit të pjesëve përfituese, përcaktojmë vlerën sipas çmimit të referencës së dyqanit për këto pjesë. * Meqenëse viti i fitimit të titullit të pronësisë së kësaj prone për herë të parë është viti 1992, pra 31 vite të plota deri në datën e shitjes (20.03.2024), zbritja rezulton 1%*31 vite = 31%. Por, siç parashikohet në këtë udhëzim, kjo zbritje prej 1% e llogaritur për çdo vit të plotë nga fitimi i titullit të pronësisë së kësaj prone për herë të parë, nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës, në këtë rast çmimi i referencës do të zbritet me 30%. Vlera në shitje e pjesëve takuese të dyqanit që do të përfitojnë individët BB dhe CC, sipas çmimeve të referencës (viti 2024) është: •Individi BB 15 m2 x (51,000 lekë/ m2 – 30% * 51,000 lekë/ m2 )*1.5 = 803,250 lekë •Individi CC 15 m2 x (51,000 lekë/ m2 – 30% * 51,000 lekë/ m2 )*1.5 = 803,250 lekë

Si vlerë në shitje për llogaritjen e detyrimeve tatimore, do të konsiderohet vlera sipas çmimeve të referencës, pra 803,250 lekë do të jetë vlera në shitje për individin BB dhe po 803,250 lekë do të jetë vlera në shitje për individin CC. Vlera në blerje Vlera në blerje në këtë rast, duke qenë se dyqani është përfituar nga një kontratë blerje në vitin 1995, për shumën 900,000 lekë për të cilën është llogaritur tatim, për përcaktimin e pjesës takuese llogarisim si në vijim: Vlera në blerje për m2 = (900,000 lekë/m2 ) / (90 m2 ) = 10,000 lekë m2 •Vlera në blerje për individin BB = 15 m2 * 10,000 lekë/m2 = 150,000 lekë •Vlera në blerje për individin CC = 15 m2 * 10,000 lekë/m2 = 150,000 lekë Tatimi i llogaritur Tatimi, që duhet të paguajnë përfituesit nga një pronë nga e cila është hequr dorë është: •Individi BB (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15% (803,250 lekë – 150,000 lekë) x 15 % = 97,988 lekë •Individi CC (vlera në shitje – vlerën në blerje) x 15% (803,250 lekë – 150,000 lekë) x 15 % = 97,988 lekë

4.3 Në rastin e shitjes së pasurisë së paluajtshme, tokë dhe/ose ndërtesë, të fituar me trashëgimi dhe vendime gjyqësore, si vlerë në blerje do të konsiderohet: a) Kur ndërtesa dhe/ose toka kanë vlerë sipas akteve noteriale ose të rivlerësimit të regjistruar në DVASHK, para, gjatë ose pas regjistrimit të dëshmisë së trashëgimisë, si vlerë në blerje (vlerë e zbritshme) do të merret vlera e ndërtesës dhe/ose tokës sipas këtyre akteve, të regjistruar në DVASHK.

Neni 60 i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”

Tatimi i trashëgimisë, dhuratave dhe fitimeve nga lojërat e fatit

Trashëgimia në zbatim të këtij neni përfshin pasurinë e luajtshme ose të paluajtshme ose paratë e fituara si rezultat i kalimit për shkak të vdekjes nga personi i vdekur tek trashëgimtarët e tyre, pasi janë zbritur detyrimet e trashëgueshme.

Përjashtohen nga tatimi: a) dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga/ose ndërmjet trashëgimtarëve ligjorë në radhë të parë (Neni 360 Kodi Civil) dhe të dytë, sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, si dhe dhurimet dhe trashëgimia brenda lidhjes gjinore motër-vëlla; b) dhurimet dhe trashëgimitë të marra përveç atyre të përcaktuara në shkronjën “a” deri në 5 000 000 lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme dhe deri në 1 000 000 lekë për pasuritë e luajtshme për tatimpagues;

  1. c) kalimi i së drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë sipas neneve 361 deri 363 të Kodit Civil, përkatësisht nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, i ndryshuar.

KODI CIVIL

Neni 360

Trashëgimtarët ligjorë janë fëmijët, fëmijët e fëmijëve, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekur, gjyshi e gjyshja e të paralindurit e tjerë, personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, të afërmit e tjerë deri në shkallën e gjashtë, si dhe shteti.

Neni 361

Në radhë të parë thirren në trashëgim fëmijët dhe bashkëshorti i aftë ose i paaftë për punë, duke trashëguar secili në pjesë të barabarta.

Kur një nga fëmijët ka vdekur para trashëgimlënësit, është bërë i padenjë për të trashëguar, ka hequr dorë nga trashëgimi, ose është i përjashtuar nga trashëgimi, në vend të tij hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij dhe kur për shkaqet e sipërme nuk mund të jenë trashëgimtarë, vijnë në trashëgim të paslindurit e tyre pa kufizim.

Në këtë rast, pjesa e prindit që nuk trashëgon, ndahet ndërmjet të paslindurve në pjesë të barabarta.

Kur përveç bashkëshortit, nuk ka trashëgimtarë të tjerë, të radhës së parë, në trashëgimi thirren ata të radhës pasardhëse, të parashikuar në nenin 363 të këtij Kodi dhe kur nuk ka të tillë, thirren trashëgimtarët e radhës tjetër pasardhëse, të parashikuar në nenin 364 të këtij Kodi.

Në çdo rast bashkëshorti merr 1/2 pjesë të trashëgimit. Kur nuk ka trashëgimtarë të radhëve të sipërme, trashëgimi i mbetet bashkëshortit pasjetues.

Neni 362

Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia ose mëmësia është njohur rregullisht, si dhe fëmijët e birësuar barazohen me fëmijët e lindur nga martesa. I birësuari nuk trashëgon në familjen e origjinës së tij dhe as kjo nuk e trashëgon atë.

Neni 363

Në radhë te dytë thirren në trashëgim prindërit e trashëgimlënësit dhe personat e paaftë për punë, të cilët të paktën 1 vit para vdekjes së trashëgimlënësit, bashkëjetonin me atë si anëtarë të familjes dhe në ngarkim të tij.

(Monitor.al)