Shqipëri: Skandali me tenderin për instalimin e impianteve të energjisë diellore

Tiranë, 22 tetor 2022 – Shpërdorimi me paranë publike nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit po shtrihet pothuajse në çdo tender. Rasti më i fundit është në tenderin prej 1,7 milion eurosh për instalimin e impianteve të energjisë diellore me qëllim furnizimin me energji të ndërtesave publike, apo për ndriçimin rrugor.

Në garë kanë marrë pjesë 5 subjekte, ndërkohë që fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “HTM” sh.p.k dhe “BE – IS” sh.p.k me një ofertë prej 163,7 milion lekësh ose 1,4 milion euro, dhe që në fakt ka qenë oferta e tretë për nga çmimi. Përpara saj janë të renditura oferta e bashkimit të opëratorëvë kryesuar nga “START CO” sh.p.k me vlerë 139 milion lekë ose 1,2 milion euro, dhe ajo dhënë nga kompania “SIRETA” sh.p.k me vlerë 144,4 milion lekë ose 1,25 milion euro.

Por edhe pse diferenca në çmim është plot 200 mijë euro me bashkimin e operatorëve të shpallur fitues, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka renditur një sërë kriteresh që nuk janë përmbushur për të justifikuar skualifikimin. Kriteri i përzgjedhjes së ofertës më të mirë ekonomike nuk merret fare në konsiderarë nga institucioni i drejtuar nga Dritan Agolli, edhe pse ai është kriteri kryesor i përzgjedhjes së fituesve në garat e prokurimeve publike.

Dyshimet janë se pas çdo tenderi ka një fitues të paracaktuar. Ironia në rastin më të fundit qëndron në faktin se qëllimi i vendosjes së paneleve diellore në institucione publike është kursimi i energjisë dhe për rrjedhojë edhe i parave, ndërkohë Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një të rënë të lapsit shpenzon 200 mijë euro më shumë për të përzgjedhur një ofertë të shtrenjtë se ato që ishin më të leverdishme.

(Balkanweb)