Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë nisur sot drejt Bullgarisë, Suedisë, Finlandës, Norvegjisë, Japonisë, Ukrainës, Anglisë, Kroacisë, Danimarkës dhe SHBA-ve dërgesat me tekste shkollore për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë.
Janë 3595 tekste shkollore “Të mësojmë gjuhën amtare” (1, 2, 3) të paracaktuara për mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqiptare, dërguar falas nga Qendra e Botimeve për Diasporën, të adresuara, përkatësisht në: Ambasadën Shqiptare në Sofje të Bullgarisë (60 tekste gjithsej); Ambasadën Shqiptare në Stokholm të Suedisë (550 tekste gjithsej); Ambasadën Shqiptare në Stokholm të Suedisë, për Finlandën (480 tekste gjithsej); Ambasadën Shqiptare në Stokholm të Suedisë, për Norvegjinë (100 tekste gjithsej); Ambasadën Shqiptare në Tokio të Japonisë (30 tekste gjithsej); Ambasadën Shqiptare në Varshavë të Polonisë për Ukrainën (20 tekste gjithsej); Ambasadën Shqiptare në Londër të Anglisë në Mbretërinë e Bashkuar (685 tekste gjithsej); Ambasadën Shqiptare në Zagreb të Kroacisë (140 tekste gjithsej); Ambasadën Shqiptare në Kopenhagë të Danimarkës (450 tekste gjithsej); Ambasadën Shqiptare në Uashington të SHBA-së (1080 tekste gjithsej).
Të gjithë librat e dërguar nga QBD-ja janë falas për fëmijët që ndjekin shkollat e gjuhës shqipe.
Tekstet mësimore dhe literatura plotësuese janë siguruar dhe botuar nga QBD-ja në përmbushje të kërkesave të dërguara nga shkollat shqipe në Diasporë dhe në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 448, datë 22.07.2021, për “Miratimin e çmimeve dhe të kategorive që përfitojnë falas tekstet e botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, për vitin shkollor 2021-2022”.
“Gazeta Diaspora Shqiptare”