Shqipëria dhe Serbia mund të humbin statusin e vendeve të sigurta nga COVID-19

Bruksel, 7 shtator 2021 – Shqipëria dhe Serbia rrezikojnë të humbin statusin e vendeve të sigurta nga pandemia e koronavirusit.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burimet e saj brenda BE-së se, Presidenca sllovene e Bashkimit Evropian i ka përfshirë këto vende në mesin e shteteve që rrezikojnë të hiqen nga lista e vendeve të sigurta për udhëtimet në territorin e Bashkimit Evropian.

Për këtë çështje do të diskutohet të mërkurën (8 shtator) nga ana e ambasadorëve të vendeve të BE-së.

Nëse ata vendosin pro kësaj mase, atëherë qytetarët e këtyre dy vendeve nuk do të jenë më në gjendje të udhëtojnë pa kufizime në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

BE-ja e përditëson çdo dy javë listën e vendeve të sigurta dhe atyre jo të sigurta.

Vendimet e saj i bazon në të dhënat për numrin e të infektuarve me koronavirus për kokë banori, dhe Shqipëria, bashkë me Serbinë, kanë shënuar përkeqësim të situatës epidemiologjike.

Më 30 gusht, BE-ja zyrtarisht hoqi Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut nga lista e “vendeve të sigurta”, për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë e COVID-19 në këto vende.

Pavarësisht vendimit, Këshilli i BE-së tha se shtetet anëtare mund të vendosin rregulla të veçanta se si do t’i trajtojnë njerëzit e vaksinuar nga këto vende.

Një shtet mund të përfshihet në listën e vendeve të sigurta të BE-së nëse regjistron 75 raste pozitive të koronavirusit për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit.

Çdo shifër më e lartë, i vendos ato në kategorinë e vendeve jo të sigurta.

Kufizimet e udhëtimit për shtetasit e të ashtuquajturve vende të treta u shpallën nga BE-ja në pranverën e vitit 2020.

(REL)