Shqipëria dhe Serbia ndahen paqësisht në fushën e futbollit

Tiranë, 7 qershor 2025 – Ndeshja e futbollit mes ekipeve kombetare të Shqipërisë dhe Serbisë, e dominuar me ngarkesë të madhe emocionale e politike para se ajo të fillonte, përfundoi paqësisht në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Në një lojë pakashumë të barabartë, e cila u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, të cilësuara edhe si masa të panevojshme, dy ekipet u ndanë baras, zero me zero, apo “me rezultat të bardhë”, siç thuhet në zhargonin e sportit. Kështu të dyja ekipet e morën nga një pikë në garën për kualifikime për Kampionatin Botëror të Futbollit që do të mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Kombëtarja e Shqipërisë duhet të jetë më e pakënaqur me një pikë, sepse pati shanse ta fitonte ndeshjen. Një shans shumë të mirë që të shënonte së paku një gol e pati në minutën e fundit të pjesës së parë, kur në favor të saj u akordua penallti, të cilën nuk arriti ta shndërronte në gol Manaj, pasi gjuatjen e tij e mbrojti portiere serb, Petroviq.

Në përgjithësi, Shqipëria krijoi më shumë shanse për gol, por ato nuk u kurorëzuan për shkak të mungesës së qartësisë së mjaftueshme në sulm ose nga ngutia.

Në tribunat e stadiumit mbretëroi një atmosferë e zjarrtë sportive në kuptimin e plotë të fjalës. Herë pas here, përveç brohoritjeve mbështetëse për lojtarët shqiptarë, u dëgjua edhe kënga “Mora fjalë” që deri para pak kohësh ishte si himn i kombëtares shqiptare në futboll. Herë pas here u dëgjuan edhe brohoritjet “UÇK, UÇK…”, të cilat konsiderohet si provokim për Serbinë.

Në dy raste nga tribunat u hodhën gota plastike dhe një lojtar serb u përpoq të aktronte sikur ishte goditur me mjete të forta, por referi i ndeshjes nuk “e hëngri karremin” dhe ia tërhoqi vërejtjen lojtarit serb që të mos ekzagjëronte.

Në grup me Shqipërinë dhe Serbinë në garën kualifikuese gjenden edhe Anglia, Letonia dhe Andora.

Sipas rezultateve të deritashme në kampionate e gara të tjera, Anglia është favorit absolut për t’u kualifikuar për pjesëmarrje në kampionatin botëror, kurse Shqipëria dhe Serbia do të luftojnë me njëra-tjetrën për “biletën” e dytë të udhëtimit për në SHBA, Kanada e Meksikë. Ndeshja e kthimit midis tyre, e cila parashikohet të jetë vendimtare, do të zhvillohet në Beograd. Si e tillë, kjo ndeshje pritet të jetë e vështirë.

Shqipëria ka përvojë të keqe në ndeshjet e zhvilluara në Serbi, sidomos në atë të vitit 2014 në Beograd, ku futbollistët shqiptarë u sulmuan fizikisht nga një pjesë e futbollistëve dhe nga një pjesë e tifozëve që u futën në fushë, pas lëshimit me dron të një baneri me simbolet kombëtare shqiptare, të cilat konsiderohen si provokim për serbët kudo që ato afishohen.

Por, Shqipëria ka bërë një progres të madh në futboll. Tani ajo ka në ekipin e saj shumë lojtarë cilësorë që mund të përballojnë ekipe me histori shumë më të bujshme në sportin më popullor në botë, siç është Serbia.

(r.m.)

Comment

*