Tiranë, 1 mars 2024 – Ushtria e Shqipërisë i ka pranuar tre dronë të prodhimit turk Bayraktar.
Marrëveshje për blerjen e një flote me dronë të tillë është nënshkruar në dhjetor të vitit 2022.
Ende nuk dihet se sa ka kushtuar blerja e njërit prej tyre.
“Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri! Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në Facebook.
Ai ka thënë se zotërimi i këtyre dronëve rrit aftësinë e mbrojtjes së Shqipërisë dhe është dëshmi e angazhimit për të garantuar sigurinë kombëtare.
Dronët Bayraktar janë vendosur në bazën e NATO-s në Kuçovë, e cila do të përurohet më 4 mars.
Dronët Bayraktar janë aeroplanë ushtarakë pa pilotë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pati thënë se marrëveshja për dronët është arritur falë partneritetit strategjik me Turqinë.
Rama e ka bërë të qartë se dronët do të përdoren edhe për misione ushtarake, por edhe policore dhe civile.
“Tre dronët që do të vijnë të parët do të jenë plotësisht të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast dhe shpresoj që të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë të sigurta. Kur siguria jonë kombëtare të jetë në kërcënim, do të jemi gati për luftë”, ka thënë Rama.
Marrëveshja përfshin, gjithashtu, trajnimin e më shumë se 30 personave, që do përzgjidhen me ndihmën e kompanisë “Bayraktar” për t’u përgatitur për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit, që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës.
Droni TB2 është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit.
Droni Bayraktar mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij.
Dronët TB2 janë përdorur nga Turqia në ato që ajo i quan operacione “kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë, por edhe në luftën civile që ende po vazhdon në Libi.
(Jetmira Delia – Kaci, REL)