
DEKLARATA E AARC-SË MBI DHUNËN DHE PROTESTAT E FUNDIT NË SHQIPËRI
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) shpreh shqetësimin e tij të thellë për dhunën dhe trazirat e fundit në Tiranë. Ne e dënojmë pa ekuivok dhunën, pavaresisht nga burimi i saj, dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, të respektojnë institucionet demokratike dhe të mbrojnë sundimin e ligjit.
E drejta për protestë paqësore është një shtyllë thelbësore e demokracisë dhe duhet të mbrohet. Pakënaqësitë e qytetarëve, përfshirë studentët dhe të rinjtë e shqetësuar për të ardhmen e tyre, meritojnë të dëgjohen dhe të trajtohen me seriozitet e respekt. Frustrimi legjitim i publikut nuk duhet të injorohet kurrë e as të ndëshkohet pa arsye me forcë. Në të njëjtën kohë, dhuna, shkatërrimi i pronës dhe përplasjet fizike sabotojnë pikërisht synimet që kërkojnë të arrijnë demonstruesit paqësorë.
Jemi veçanërisht të shqetësuar nga lajmet se më shumë se 70 punonjës policie janë lënduar gjatë trazirave, disa prej tyre rëndë, si dhe nga shkatërrimi dhe dëmtimi i madh i bërë ndaj ndërtesave qeveritare dhe pronave të tjera publike e private. Këto janë pamje thellësisht shqetësuese për një komb që ka punuar aq fort për të kapërcyer të kaluarën e tij të trazuar dhe që tani qëndron më afër se kurrë realizimit të aspiratave të tij evropiane. Në një kohë kur Shqipëria po i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Evropian, skenat e djegies së institucioneve qeveritare, përplasjet e dhunshme dhe shkatërrimi i gjerë dërgojnë pikërisht mesazhin e gabuar te partnerët e saj evropianë dhe komuniteti ndërkombëtar. Veprime të tilla nuk i çojnë përpara kërkesat legjitime për llogaridhënie apo reformë. Përkundrazi, ato rrezikojnë të minojnë progresin e arritur me mund nga Shqipëria dhe pozitën e saj ndërkombëtare.
AARC bën thirrje për një hetim të menjëhershëm, transparent dhe të pavarur mbi pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga organet e zbatimit të ligjit, si dhe për sulmet e raportuara ndaj gazetarëve dhe aktet e tjera të dhunës. Përgjegjësit për sjellje të paligjshme, pa parasysh pozitën apo përkatësinë e tyre, duhet të mbajnë llogari.
Duhet gjithashtu të mbetemi të vetëdijshëm se periudhat e paqendrueshmërisë së brendshme mund të krijojnë mundësi për ata që nuk mbështesin përkushtimin e Shqipërisë ndaj përparimit demokratik, stabilitetit kombëtar dhe integrimit euroatlantik. Ka forca që do ta mirëprisnin një Shqipëri të dobësuar dhe të ndarë. Shfrytëzimi i tyre i mundshëm i pakënaqësisë legjitime të publikut nuk duhet të nënvlerësohet. Megjithatë, ky realitet nuk duhet të përdoret kurrë për të zbehur shqetësimet e vërteta të qytetarëve apo të drejtën e tyre thelbësore për mospajtim paqësor.
Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit të institucioneve të saj demokratike dhe avancimit të së ardhmes së saj evropiane. Këto arritje nuk duhet të cenohen nga polarizimi politik, dështimet institucionale apo përshkallëzimi i dhunës.
I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të angazhohet në një dialog të vërtetë dhe konstruktiv me qytetarët e saj, t’u përgjigjet shqetësimeve legjitime dhe të sigurojë që organet e zbatimit të ligjit të veprojnë në mënyrë profesionale dhe me masë. Po ashtu, u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë, shoqërisë civile dhe demonstruesve të refuzojnë dhunën dhe të vendosin interesat afatgjata të vendit mbi synimet partiake.
Shqipëria meriton paqe, llogaridhënie dhe një udhëheqje që dëgjon. E ardhmja e saj duhet të formësohet përmes angazhimit demokratik, respektimit të të drejtave thelbësore dhe një përkushtimi të përbashkët ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe integrimit evropian.