Shqipëria nuk do ta ekstradojë në Rusi shtetasen ruse që  akuzhet për spiunazh

Tiranë 14 prill 2023 – Shtetasja ruse, Svetlana Timofeeva, e akuzuar për spiunazh nga autoritetet shqiptare, nuk do të ekstradohet në Rusi. Gjykata e Elbasanit vendosi të marrë parasysh kërkesën e saj për mosekstradim.

Vetë shtetasja ruse nuk ka bërë asnjë deklaratë gjatë seancës gjyqësore, ndërsa avokati i saj mbrojtës mirëpriti vendimin.

“Ishte vendimi i duhur, i bazuar në ligj. Nëse kjo shtetase do të ekstradohej në Rusi do të përndiqej, do t’i rrezikohej jeta, pasi dihet qëndrimi i saj kundër regjimit të [presidentit rus, Vladimir] Putinit”, tha Fatmir Lushi, avokat mbrojtës i shtetases ruse.

Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe nga Rusia, u arrestua më 20 gusht të vitit 2022 së bashku me dy shtetas të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia, dhe Fedir Aplatov nga Ukraina, pasi tentuan të hynin në ambientet e uzinës së armëve në Gramsh dhe hodhën sprej neuro-paralizues ndaj dy ushtarëve që po e ruanin këtë objekt ushtarak.

Ajo po mbahet në paraburgim në burgun e grave në Tiranë, ndërsa çështja ndaj saj gjykohet në Gjykatën e Elbasanit, pasi zona ku ndodhi ngjarja, Gramshi, përfshihet në këtë qark.

Në dhjetor të vitit 2022, autoritetet ruse dorëzuan pranë Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri kërkesën për ekstradimin e 33-vjeçares, ndaj të cilës është lëshuar një urdhërarrestim, duke e akuzuar se në mënyrë të paligjshme ka siguruar informacion të klasifikuar.

Kërkesa më pas iu përcoll Gjykatës së Elbasanit, dhe pasi gjykata dëgjoi pretendimet e mbrojtjes së Timofeevës, edhe Prokuroria u tërhoq nga kërkesa e saj për ekstradim, ndaj dhe vendimi i Gjykatës së Elbasanit ishte i pritshëm.

Ndërkohë, nuk ka ende një vendim për kërkesën për azil që avokati mbrojtës i shtetases ruse i ka drejtuar Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Tiranë. Kërkesa u bë më 10 mars, rreth tre muaj pasi Moska kërkoi ekstradimin e saj.

“Nëse kthehem në Federatën Ruse do të persekutohem për shkak të bindjeve te mia politike”, pretendoi 33-vjeçarja ruse.

Avokati i saj mbrojtës, Isuf Shehu, theksoi se kjo shtetase ruse mund të persekutohet në shtetin e saj.

“Ka arsye të mendohet se ajo do t’iu nënshtrohet persekutimeve ose diskriminimeve a trajtimeve të egra, çnjerëzore, poshtëruese ose veprimeve që përbëjnë shkelje të të drejtave themelore të njeriut. Kthimi i kësaj shtetaseje në Rusi, do të ishte në kundërshtim me ndalimin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues”, thuhet në kërkesën dorëzuar autoriteteve shqiptare.

Gjithashtu mbrojtja e shtetases ruse thekson se autoritetet ruse po përdorin një procedim penal të vjetër (të vitit 2018) të cilin e kanë shfrytëzuar për ta rihapur, pasi janë njohur me qëndrimet e saj kundër luftës në Ukrainë, të shprehura në rrjetet sociale. Po ashtu nënvizohet edhe fakti se ish-bashkëshorti i Svetlana Timofeeva është përkrahës i politikës së presidentit rus, Vladimir Putin, dhe bindjet politike kanë qenë shkaku kryesor i ndarjes së tyre.

Në kërkesën për azil politik kthehen në vëmendje raporte të disa organizatave ndërkombëtare, që theksojnë se Rusia nuk respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe faktin se prokurori i Përgjithshëm i Federatës Ruse, Igor Viktorovich Krasnov, që ka firmosur kërkesën për ekstradimin e saj, është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara.

Tre të akuzuarit për spiunazh, Svetlana Timofeeva, Mikhail Zorin dhe Fedir Aplatov u kapën duke fotografuar uzinën e Gramshit, ndërsa në sendet personale të tyre u gjetën disa materiale të disa pikave të rëndësishme që njihen si infrastrukturë kritike ushtarake në Shqipëri. Uzina ushtarake në Gramsh ka armatime të ushtrisë brenda saj dhe është objekt i rëndësisë së veçantë që ruhet nga ushtria shqiptare.

Ata u lanë në arrest me burg dhe akuzohen për “Dhëni të informatave sekrete”, dhe “Goditje për shkak të detyrës”. Të njëjtën masë sigurie la në fuqi edhe Gjykata e Apelit, pas anikimimit prej tyre. Dy shtetasit rusë dhe ai ukrainas ankimuan sërish në Gjykata e Lartë. Kërkesa e Fedir Alpatov nuk u pranua, ndërsa ankimimi i SvetlanaTimofeeva dhe Mikhail Zorin nuk janë shqyrtuar ende nga Gjykata e Lartë. Tre të akuzuarit për spiunazh dhe avokatët e tyre i kundërshtojnë akuzat.

(Jetmira Delia-Kaci, REL)