Shqipëria shpreh shqetësimin për deklaratën e Vuçiqit për ndryshim të rrjedhës së Ibrit

Tiranë, 10 gusht 2026 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Përmes një postimi në platformën X, Hoxha ka thënë se ndryshimi i rrjedhës së një lumi ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme dhe të bëhet në mënyrë të njëanshme.

“Shqipëria shpreh shqetësim të thellë mbi deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një mundësie të tillë”, ka shkruar Hoxha.

Sipas tij, një vendim i tillë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për territorin, mjedisin dhe sigurinë ujore të Kosovës.

“Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që përbën pjesë të një sistemi ujor ndërkufitar nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër”, ka deklaruar ministri shqiptar.

Hoxha është thirrur edhe në parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, duke theksuar se Serbia është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që nga viti 2010.

“E drejta ndërkombëtare e ujërave është e qartë në këtë drejtim. Parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, detyrimi për të parandaluar, kontrolluar dhe reduktuar dëmet ndërkufitare, si dhe detyrimi për bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe konsultim për masat që mund të kenë pasoja ndërkufitare, janë pjesë e standardeve të konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

(Telegrafi)