Bujanovc, 12 gusht 2024 – Banorë shqiptarë nga Lugina e Preshevës protestuan të hënën në Bujanovc kundër diskriminimit nga Beogradi.
Protesuesit ishin të veshur me fanella me moton e protestës “Për identitet dhe dinjitet”, ata mbanin në duar flamuj kombëtarë shqiptarë dhe flamuj amerikanë, si edhe pankarta me mbishkrime që denoncojnë veprimet e autoriteteve dhe institucioneve shtetërore të Serbisë që, siç konsiderojnë, kanë qëllim pastrimin etnik të rajonit, si: “Stop pasivizmit selektiv të adresave”, “Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”, etj.
Protesta nisi me intonimin e himnit kombëtar, e pastaj pjesëmarrësve iu drejtuan liderët politikë të shqiptarëve të Luginës dhe përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë shqiptare.
Moderatoja e protestës tha se përmes kësak proteste shqiptarët e Luginës po e ngrenë zërin kundër diskriminimit.
“Jemi sot këtu për të protestuar për mos realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të mbetura në letër, e për obligimet që qeveritë në Beograd asnjëherë nuk i kyen. Jemi këtu për të kundërshtuar pasivizimin selektiv të qytetarëve shqiptarë të luginës. Jemi për të dëshmuar se kërkesat tona janë të drejta”, tha ajo.
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të shqiptarëve. Ai tha se Beogradi nuk e dëshiron integrimin e shqiptarëve në institucionet dhe në organet shtetërore.
“Jemi këtu sepse Qeveria në Beograd po refuzon të respektojë të drejtat tona, po refuzon të na integrojë në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”, tha Kamberi, në fillim t, në fillim t◘ fjalës së tij.
“Beogradi vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar diskriminim duke mos i njohur diplomat si edhe mosintegrimin dhe pasivizimin (e adresave)”, shtoi ai.
Kamberi i bëri thirrje qeverisë së Serbisë t’i realizojë obligimet që i ka marrë përsipër me marrëveshjet e nënshkruara ndësa faktorëve ndërkombëtar që t’i bëjë trysni Serbisë për ndaljen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginë.
“Ftoj Qeverinë që të fillojë në mënyrë urgjente dhe të pakushtëzuar realizimin e obligimeve të marra nga marrëveshjet e nënshkruara, mbi të gjitha ftoj bashkësinë ndërkombëtare të reagojë sa më shpejt për ta ndërprerë aparteidin dhe diskriminim klasik, sepse që nga Marrëveshja e Konçulit 2001 e deri te plani 7-pikësh 2013, ne kemi pasur besim jo në Beogradin, por në vlerat demokratike perëndimore”, tha Kamberi.
Llukman Misini, profesor i gjuhës shqipe, vuri theksin në mungesën e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë, për shkak se Beogradi nuk lejon përdforimin e teksteve të Kosovës.
“Në mungesë te teksteve shkollore, profesorët japin mësim në mënyrë alternative. Vendet e rajonit përdorin mjete të avancuara në sistemin mësimor. Neve po vazhdon të na mohohet sigurimi i teksteve shkollore. Po na ndalohet historia si lëndë. Po na ndalohet lënda e gjeografisë”, tha ai.
Ndërsa Enis Fejzullahu, student në Universitetin e Prishtinës, engriti problemin e mosnjohjes së diplomave të universiteve të Kosovës.
“Studentin e Luginës së Preshevës gjatë gjithë kohës së studimeve e pas diplomimit e përcjell barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se çka pas përfundimit të studimeve e frika që nuk do të mund të ushtrojë profesionin e tij, në vendin e tij”, theksoi ai.
Ai kujtoi se Serbia nuk e zbaton marrëveshjen e nënshkruar në kuadëqr të dfialogut në Bruksel për njohjen e diplomave.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Nevzad Lutfiu, ka thënë se nga 24 komunitete që jetojnë në Serbi, asnjëri si ka sfidat e komunitetit shqiptar.
“Ne jetojmë brenda një shteti ku etnia më e urryer janë shqiptarët, edhe pse ne jemi në tokat tona, nuk i kemi uzurpuar, përkundrazi kemi qenë shumë më shumë sesa jemi sot dhe shumë me gjerë sesa jemi sot”, ka deklaruar Lutfiu, duke thënë se padrejtësia në Luginë është evidente në çdo gjë.
Protesta e sot në Bujanovc u organizua nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Kryetari i këtij këshilli, Nevzad Lutfiu,
Në thirrjen për protestë, ai ka thënë se diskrimini I shqiptarëve në Serbi “ka prekur kufitë e racizmit”.
“Diskriminimi i Serbisë ndaj komunitetit shqiptar i ka prekur kufijtë e racizmit, nuk ka mbetur asnjë familje shqiptare në vendin tonë pa u prekur nga procesi i pasivizimit të adresave. Përmes pasivizimit Serbia po ua heq qytetarëve të drejtën e votës, andaj u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse që të korrigjojnë këto shkelje pa vonesa të mëtejshme”, ka thënë Lutfiu, të dielën.
Thirrjes për protestë iu bashkuan liderët e të gjitha subjekteve politike shqiptare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Luginë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në Serbi jetojnë 61.687 shqiptarë. Liderët politikë të shqiptarëve thonë se ky numër është shumë më i madh, por autoritetet serbe e kanë pamundësuar regjistrimin e tyre, përmes pasivizimit të adresave dhe formave tjera të pëerjashtimit të shqiptarëve nga sistemi.
(r.m.)