Nju Jork, 17 shtator 2026 – Komuniteti shqiptar në SHBA organizoi mbrëmë në Times Square të Nju Jorkut një protestë në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me 81 vjet burgim bashkërisht nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë.
Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, i cili ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga protesta, ka thënë se të gjithë shqiptarët janë bashkë “për një qëllim – Liri për Çlirimtarët”.
“Pavarësisht se nga cila trevë shqiptare vijmë, sot na bashkon Kosova, na bashkon historia jonë dhe respekti për ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e saj.
Nga Amerika e kudo në diasporë, mesazhi ynë është i qartë: nuk i harrojmë çlirimtarët tanë dhe nuk harrojmë sakrificën e popullit të Kosovës”, ka shkruar Hajdari.
“Së bashku kemi qenë në ditët më të vështira dhe së bashku do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe sot — si vëllezër e motra, si një diasporë dhe si një komb”, ka theksuar ai.
Postimi i plotë:
Në Manhattan, në Times Square !
TË GJITHË BASHKË, PËR NJË QËLLIM — LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!
Mbrëmë, diaspora shqiptare u mblodh si një trup i vetëm, me një zë dhe me një qëllim: të qëndrojmë pranë vëllezërve tanë, ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ne besojmë se janë dënuar padrejtësisht.
Pavarësisht se nga cila trevë shqiptare vijmë, sot na bashkon Kosova, na bashkon historia jonë dhe respekti për ata që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e saj.
Nga Amerika e kudo në diasporë, mesazhi ynë është i qartë: nuk i harrojmë çlirimtarët tanë dhe nuk harrojmë sakrificën e popullit të Kosovës.
Së bashku kemi qenë në ditët më të vështira dhe së bashku do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe sot — si vëllezër e motra, si një diasporë dhe si një komb.
LIRI • DREJTËSI • DINJITET
Së bashku për vëllezërit tanë. Së bashku për çlirimtarët.
(r.m.)




