Shqiptari bëhet hero, e ndalon pasagjerin që deshi ta hapte derën e emergjencës së aeroplanit gjatë fluturimit

Londër, 8 shtator 2023 – Një pasagjer shqiptar u bë hero pasi u përball në aeroplan me një burrë që e sulmoi një anëtar të ekipazhit dhe u përpoq ta hapte me forcë derën e emergjencës, gjatë fluturimit në lartësi.

Aeroplani i nisur nga Tel Avivi për në Londër u detyrua të bënte një ulje emergjente në Beograd, të hënën, shkran The Sun.

Victor Tropolini e kapi burrin që e grushtoi një stjuardesë dhe po tentonte ta hapte derën. Në videon e regjistruar në aeroplan gjatë incidentit shihet burri duke bërtitur dhe Viktori që e shtrin përtokë, ia mban duart dhe ia lidh me ndihmën e stjuardesave.

“Ai u përpoq të hapte daljen e emergjencës. Ai ishte ulur në pjesën e pasme, ku është e lehtë të hapet dalja e emergjencës, dhe po e tërhiqe dorezën”, ka shpjeguar Troplini.

“E shtriva poshtë. Ai ishte shumë i rëndë… E godita me kokë, kurse stjuardesat ia lidhën duart me lidhëse plastike… Më duhej ta bëja këtë”, ka thënë ai.

“E mbajta shtrirë 10 minuta, derisa iu zu fryma dhe u lodh. E mbajtëm lidhur prej 45 minuta deri në 1 orë, derisa aterruam në Beograd”, ka treguar Troplini.

Ai ka thënë se sulmuesi ka thirrur disa here “Allahu Akbar”.

Në videon e publikuar nga “Th Sun”, shihet Viktori me një kapele bejsbolli, duke e mbajtur poshtë sulmuesin.

Victor Troplini është nga Shqipëria, por jeton në Zvicër.  Me aeroplanin që po udhëtonte kur ndodhi incidenti ai po shkonte në Londër, për ta vizituar nënën e tij.

(r.m.)