Nga Uk Lushi

Dje në Tiranë pushoi zemra e madhe e ushtarakut të shkëlqyeshëm shqiptar dhe komandantit të parë të Batalionit Atlantik të UÇK-së, Skender Doci. Një humbje e madhe për krejt kombin shqiptar.
Komandë Skender Doçi në moshën 64 vjeçe la Amerikën dhe iu bashkangjit UÇK-së.
Kam shumë kujtime të mrekullueshme për Doçin, por do të ndaj më thelbësorin.

Ne, ushtarët shqiptarë të Amerikës, duke parë masakrat dhe tmerret që i bënte Serbia, ishim me zemra prush dhe me padurim kërkonim të hynim në luftime me vrasësit serbë të fëmijëve, grave dhe pleqve shqiptarë.
— Po shkojmë me vdekë për Kosovë! Na çoni në front sonte!— këmbëngulnim ne sapo zbritëm në aeroportin e Rinasit nga New Yorku.
Zemrat tona na drejtonin jetën dhe arsyen. Gjaku rinor na gufonte.
Por Komandë Doçi, shqiptari i rrallë trim dhe i mençur, na mësoi ndryshe.
Në luftë, na tha ai, nuk shkohet për të vdekur, por për të mbijetuar dhe fituar. Dhe kjo nuk arrihet pa u përgatitur dhe stërvitur.
Doçi ishte një gjeni ushtarak dhe, duke na përgatitur psikologjikisht, fizikisht, taktikisht dhe strategjikisht, ai e bëri Batalionin “Atlantiku” njësit hekur.
Skënder Doçi ishte faktori kryesor pse ne ushtarët shqiptaro-amerikanë nuk vdiqëm, por luftuam me nder dhe mençuri dhe serbët u mundën nga shqiptarët dhe aleatët.
Komandë Doçi jetoi një jetë shmbullore dhe ishte prova që lufta e UÇK-së ishte e krejt shqiptarëve, prej Shqipërisë Londineze, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës e deri në çdo cep të Mërgatës.
Sot zemrat tona janë të mbushura me dhimbje, por edhe me respekt për Komandant Skender Doçin, udhëheqësin trim dhe po aq të mençur.
Ngushëllime bashkëluftëtarëve, familjes Doçi dhe krejt kombit shqiptar.
Të gjithë qëndrojmë gatitu dhe i themi lamtumirë Komandantit Skénder Doçi. Veprat e tij nuk do të harrohen kurrë!





