Aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe miq të tyre amerikanë u takuan në New York, parmbrëmë me Senatorin amerikan John Thune nga shteti South Dakota.
Ai shoqërohej nga bashkëshortja, Kimberley, dhe anëtarë të ekipit të tij.
Senatori Thune ka filluar fushatën për zënë vendin e Liderit të Partisë Republikane në Senatin Amerikan, pasi lideri aktual Mitch McConnell, do ta lëshojë këtë pozitë në nëntor të këtij viti.
Ai shërbën në Senatin amerikan që nga viti 1997, kur bëri bujë duke mundur Liderin e atëhershëm të Demokratëve në Senat, Tom Daschle.
Gjatë këtij takimi mbështetës për Senatorin Thune, u bisedua për gjendjen në Kosovë. Jim Xhema, aktivisti i njohur i diasporës, i cili organizoi këtë takim dhe aktivistë të tjerë kërkuan ndihmën e Senatorit amerikan për Kosovën veçanërisht për anëtarësimin e saj në NATO.
Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane, “Illyria” i dorëzoi Senatorit një dokument përmbledhës të situatës në Kosovë dhe kërkesat e komunitetit shqiptaro-amerikan për drejtimin në politikën e jashtme amerikane.
Në dokument, përveç përshkrimit të shkurtër të rëndësisë komunitetit shqiptar dhe gjendjes në Kosovë paraqiten disa kërkesa specifike për politikën e jashtme amerikane që do të ishin në inters jo vetëm të Kosovës dhe shqiptarëve në rajon por edhe në shërbim të paqes dhe stabilitetit.
Dokumenti kërkon veç të tjerash që SHBA të përsërisë në mënyrë të qartë se fundi i procesit të normalizimit është njohja e Kosovës nga Serbia. SHBA duhet gjithashtu të punojë që 5 vendet e mbetura të BE-së të njohin Kosovën dhe të ndihmojë në anëtarësimin e përshpejtuar të saj në NATO.
Më tej dokumenti rreshton edhe pikëpamje të komunitetit për një numër çështjesh që kanë të bëjnë me Kosovën, Serbinë dhe rajonin, me nevojën për drejtësi për përdhunimet sistematike të kohës së luftës, për vrasësit e Vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyçi etj.
Në fund të bisedës, Senatori amerikan falenderoi për takimin dhe darkën që u shtrua në restorantin e aktivistit shqiptare Halil Ahmetaj, “Allora”, në Manhattan dhe premtoi se do të vizitojë në një të ardhme Kosovën. (Illyria)