Shtëpia e Bardhë: Përfundimi i luftës në Gaza është prioriteti kryesor i Donald Trump në Lindjen e Mesme

Uashington, 7 korrik 2025 – Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, tha se Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e konsideron përfundimin e luftës në Rripin e Gazës dhe kthimin e pengjeve si prioritetin kryesor të administratës së tij në Lindjen e Mesme.

“Prioriteti kryesor i presidentit për Lindjen e Mesme është t’i japë fund luftës në Gaza dhe të kthejë të gjithë pengjet”, tha Levitt në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo konfirmoi se i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të udhëtojë këtë javë drejt Dohas, ku po zhvillohen bisedime indirekte mes Izraelit dhe Hamasit me ndërmjetësimin e Katarit dhe të Egjiptit.

Levitt e bëri këtë deklaratë pak orë para takimit të Presidentit Trump me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington.

Trump dhe Netanyahu pritet të diskutojnë për një marrëveshje të re armëpushimi, e cila synon t’i japë fund konfliktit që ka shkaktuar mijëra viktima dhe një krizë të thellë humanitare në territorin palestinez.

Duke iu referuar zhvillimeve në rajon, Levitt tha se SHBA-të vazhdojnë të mbajnë kontakte të drejtpërdrejta dhe indirekte me Iranin, në përpjekje për të arritur një marrëveshje mbi programin bërthamor të Teheranit.

Administrata amerikane ka ritheksuar angazhimin e saj për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm në rajon, ndërsa i bën thirrje të gjitha palëve të angazhohen në zgjidhje diplomatike afatgjata.

(r.m.)

Comment

*