Shtëpia e Enver Hoxhës do të kthehet në qendër arti

Tiranë, 11 tetor 2023 – Këshilli i Ministrave vendosi të mërkurën që ish-shtëpia e diktatorit Enver Hoxha, në Tiranë, tani rezidencë qeveritare, të jepet në shfrytëzim për një projekt kulturor, raporton Reporter.al.

Sipas vendimit, disa ambiente të kësaj ndërtese do të shfrytëzohen për realizimin e projektit kulturor “Vila Art Rezidencë Tirana”.

Projekti do të zbatohet nga Ministria e Kulturës, e cila do të marrë përsipër vetëm tarifat e furnizimit me energji elektrike dhe me ujë, si edhe koston e mirëmbajtjes së ambienteve gjatë gjithë periudhës së dhënies në shfrytëzim.

Ndërtesa gjendet në qendër të Tiranës, në lagjen që sot njohet si “ish-Blloku”, ku gjatë diktaturës komuniste 1944-1991 jetuan familjet e kupolës së regjimiit komunist të Shqipërisë, njërit prej regjimeve më të egra të Lindjes.

Enver Hoxha e drejtoi Shqipërinë me dorë të hekurt derisa vdiq, në vitin 1985, ndërsa pasardhësi i tij, Ramiz Alia ishte presidenti që iku nga pushteti i fundit nga të gjithë udhëheqësit e shteteve të Lindjes, pas rënies së “perdes së hekurt”.

Pas vitit 1991, shtesa e re e shtëpisë së Enver Hoxhës, e cila ishte ndërtuar në vitin 1973, u menaxhua nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe ka shërbyer për pritje zyrtare dhe për aktivitete të ndryshme.  Pjesa e vjetër e shtëpisë aktualisht funksionon si biznes – si hotel dhe restorant.

(r.m.)