SHTËPIA E PEMËVE TË JETËS…

– Vepër nga Adrian Paci në Milano –

Sapo na thanë që në Milano, në pjesën moderne të metropolit italian, në “City Life” është një vepër e artistit shkodran, Adrian Paci, që jeton dhe punon në këtë qytet, ku jep leksione universitare, – e dinim që është i njohur në mbarë botën e artit – dhe nxituam të shkonim ta shihnim. Ç’ishte, skulpturë, kompleks monumental, instalacion modern?

– Vërtet kam kërshëri, më duket e mrekullueshme… – po u thosha miqve tanë, Lulit dhe Albanin, që po na çonin për atje mua me Edën time dhe do të shihnim se vepra e Adrian Pacit ishte të gjitha ato që kisha menduar dhe më shumë…

Makina rendëte rrugëve të Milanos dhe çdo shesh më dukej si “Piazzale Lagosta”, ku banonte Maestro Ibrahim Kodra, legjendari, siç po e quante në takimet tona poeti dhe kritiku i artit italian Sebastiano G.

Milano ka ndryshuar dhe është modernizuar edhe në arkitekturë duke ruajtur vetveten, po thoshim, ndërsa unë shtova se, kur donim të shihnim një vepër të Kodrës tonë dikur, duhej të futeshim brenda, në shtëpinë e tij, në studio, në ndonjë galeri, ekspozitë, ndërsa sot, që duam të shohim një vepër të Adrian Pacit tonë, duhet të rendim jashtë, në sheshet e mëdha… aty ishte, permanente… po ndjeja emocion…

Po na prisnin dhe Adriani me Melisën e tij. Iu afruam Veprës së mermertë. Arketipi i një shtëpie pa çati, me pemët brenda më të larta se muret, ato ishin banorë të saj. Fasada për një çast – si asosacion ideje, – më kujtoi Katedralen e Shkodrës, edhe kullat e malësorëve, por Duomon në Firence më shumë, po ajo ngjyrë mermeri. Rozetat ornamentale ngjajnë dhe me punët me grep, çentrot e nënave tona.

Dolëm nga pas shtëpisë. Befasi krijuese, Paci nga ajo që duket e zakonshme, muri dhe pemët, psh, krijon si me realizëm magjik të pazakonshmen, por që është gjithsesi dhe e natyrshme, gjenialiteti i tij artistik arrin thellësitë e asaj që duket e zakonshme, por dhe paradoksale…

Shtëpia e Adrianiane është e banuar nga pemët, të tilla që i gjen dhe në Shkodrën e tij, por janë pemë biblike:

fiku – gjethet e të cilit ishin veshja e parë e njeriut, Adamit dhe Evës, por që simbolizojnë pjellshmërinë dhe dijen, hurma – simbol i 7 virtyteve, shega- kthimin e përjetshëm dhe dashurinë e mëshirshme, qiparisat- janë tipike të trojeve, ku gjen prehjen jeta tokësore. E gjitha është një ftese për të aktivizuar marrëdhëniet mes njeriut, natyres dhe artefaktit në një kontekst urban, është shkruar në targetin mbi bar ndan Veprës. Është metafora e jetës, – shtoj unë, – që tenton qielloren dhe Qiellin.

Nuk të iket nga kjo shtëpi e artit…

Visar Zhiti