Në dritën e konfliktit në Gazë, Adrian Shtuni, ekspert i sigurisë, paralajmëron për ndikimin e tij në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Ai thotë se polarizimi social dhe politik që ekziston në këto dy vende, mund të çojë në radikalizëm dhe dhunë politike.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore kudo në Ballkan, e veçanërisht ndërmjet Kosovës e Serbisë, është shumë i rëndësishëm”, thotë Shtuni, studiues i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Ai shton se Kosova “ka mësuar shumë nga përvoja me luftëtarët e huaj që shkuan në Siri e Irak”, por thekson se rreziku për rekrutime të reja në Lindjen e Mesme vazhdon ende.
Shtuni, javë më parë, publikoi edhe një analizë të veten për konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – dhe implikimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë ju shtyu të analizoni se si sulmet terroriste të 7 tetorit kundër Izraelit dhe konflikti pasues në Gazë mund të ndikojnë në Evropë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, në aspektin e sigurisë?
Adrian Shtuni: Konflikti Izrael – Hamas [grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera] tashmë ka pasur ndikim të shumëfishtë në aspektin humanitar dhe të sigurisë, si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në Evropë.
Për arsyen se Ballkani Perëndimor është urë gjeografike midis Lindjes së Mesme dhe Evropës dhe rajoni me popullsinë më të madhe myslimane vendase të kontinentit, ky konflikt rezonon në mënyrë të veçantë në rajon. Kjo reflektohet edhe në solidaritetin tradicional me popullin palestinez. Pra, ka më shumë vëmendje, interes, ndjeshmëri nga publiku ndaj këtij konflikti dhe, padyshim, edhe ndikime që duhen analizuar dhe kuptuar qartë dhe objektivisht.
Ndër tendencat që kam vënë re për sa i përket sigurisë, mund të rendit si kryesorin shqetësimin nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian për një valë të re refugjatësh dhe emigrantësh të parregullt nga Lindja e Mesme, që mund të kalojnë transit nëpër Ballkanin Perëndimor, drejt vendeve të BE-së. Pak a shumë si gjatë krizës në Siri dhe Irak.
Shqetësimi është se militantë terroristë mund të depërtojnë në valën e refugjatëve dhe emigrantëve, që sa më e madhe të jetë, aq më e vështirë bëhet për t’u kontrolluar.
Trende të tjera problematike janë rritja e gjuhës së urrejtjes, e vërejtur si gjatë protestave pro-palestineze, ashtu edhe në postimet në rrjetet sociale, si dhe rritja e konsiderueshme e keqinformimit dhe dezinformimit online mbi konfliktin në Gazë.
Të gjitha këto përbëjnë shqetësim për përshkallëzim të polarizimit shoqëror dhe radikalizim të shtuar, që mund të pasohet nga aktivitete që cenojnë sigurinë në rajon.
Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë vend të caktuar në Ballkanin Perëndimor që është më i rrezikuar dhe pse?
Adrian Shtuni: Fatkeqësisht, si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnje, situata politike dhe sociale është mjaft e polarizuar. Gjuha e përbuzjes dhe urrejtjes ndëretnike është në rritje, titujt bombastikë që paralajmërojnë luftë mes Kosovës dhe Serbisë apo shpërbërjen e dhunshme të Bosnjës janë të kudondodhura. Eskalimi i tensioneve është kthyer në normalitet.
Edhe në aspektin e radikalizimit dhe militantizmit fetar që ka dalë në plan të parë gjatë kohës së konfliktit në Siri dhe Irak, këto dy vende kanë pasur numrin më të madh të qytetarëve që kanë udhëtuar në vatrat e luftës në Lindjen e Mesme dhe u janë bashkuar organizatave terroriste atje. Ky problem mund të jetë fashitur disi viteve të fundit, por, gjithsesi, vazhdon të përbëjë një rrezik të rëndësishëm sigurie.
Elementet e mësipërme tregojnë se këto dy vende janë më të cenueshme nga radikalizimi dhe dhuna politike apo ideologjike.
Edhe Maqedonia e Veriut shfaq probleme të ngjashme me dy vendet e tjera në rajon, por relativisht më pak shqetësuese.
Gjithsesi, dihet se polarizimi social dhe politik, veçanërisht në vendet me tensione ndëretnike me sfond fetar, kur përzihet me gjuhën e urrejtjes, çon në radikalizëm dhe dhunë politike.
Radio Evropa e Lirë: Sa shqetësuese është mundësia e terroristëve që përdorin rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në Bashkimin Evropian, veçanërisht kur kihet parasysh rritja e fundit e kalimeve të parregullta kufitare?
Adrian Shtuni: Ky vlerësohet si një kërcënim i vazhdueshëm nga EUROPOL-i [agjencia evropiane e policisë], po të gjykojmë nga raportet që publikohen çdo vit. Sipas Frontex-it [agjencisë evropiane kufitare], viti 2023 pati një rritje rekorde të hyrjeve të parregullta të migrantëve në BE, pra një vëllim që s’ishte parë që prej vitit 2016. Nëse konflikti Izrael-Hamas përhapet më gjerësisht në rajon, probabiliteti që ky fluks të rritet, do të ishte i lartë.
Në një rast të tillë, ekziston shqetësimi se vala e refugjatëve dhe migrantëve të parregullt që do të kalonte përmes rrugës ballkanike, mund të depërtohej edhe nga militantët terroristë. Një gjë e tillë u përjetua në vitet 2015-16, gjatë luftës në Siri dhe Irak, ku qindra mijëra njerëz, shpesh pa asnjë dokument identifikimi ose me dokumente të falsifikuara, kaluan përmes Ballkanit Perëndimor për në vendet e BE-së.
Fatkeqësisht, kjo valë njerëzish, jo rrallë, është përdorur nga terroristë të maskuar si refugjatë, që më pas kanë kryer sulme terroriste në Evropë.
Si përgjigje ndaj këtij rreziku, në fund të vitit të kaluar, njëmbëdhjetë vende të zonës Schengen kanë rivendosur kontrollet kufitare, pesë prej të cilave përmendin rrezikun e depërtimit të terroristëve në BE nëpërmjet Ballkanit.
Fakti që agjencitë e specializuara të sigurisë në pesë vende të BE-së vlerësojnë se ky është një rrezik aktiv, është domethënës – gjë që shton shqetësimet lidhur me situatën e sigurisë në rajon.
Radio Evropa e Lirë: Cili mendoni se duhet të jetë fokusi kryesor i autoriteteve rajonale dhe partnerëve ndërkombëtarë sa u përket hapave që duhet t’i ndërmarrin për të forcuar sigurinë kufitare?
Adrian Shtuni: Padyshim se siguria e kufijve bëhet më së shumti e cenueshme në kohëra krizash të lëvizjeve migratore të parregullta, që përkojnë me shtimin e aktiviteteve kriminale në zonat ndërkufitare.
Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare duhet t’i trajtojnë këto sfida në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Prandaj, prioritet duhet të jenë: rritja dhe fuqizimi i kapaciteteve që garantojnë sigurinë e kufijve, ngritja e cilësisë së bashkëpunimit ndërkufitar në nivel rajonal dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar zotimet e marra gjatë procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Radio Evropa e Lirë: Në artikullin tuaj përmendni shqetësimet për mundësinë e një vale të re luftëtarësh të huaj nga Ballkani Perëndimor që t’iu bashkohen konflikteve në Lindjen e Mesme. Cilët janë faktorët kryesorë që kontribuojnë në këtë?
Adrian Shtuni: Gjatë viteve 2012-2016, rreth 1.100 qytetarë të Ballkanit Perëndimor udhëtuan drejt vatrave të luftës në Siri dhe Irak dhe iu bashkuan organizatave terroriste që vepronin atje. I gjithë fenomeni i luftëtarëve të huaj nga Ballkani nuk ishte diçka e rastësishme, nuk ndodhi brenda natës, nuk ishte punë amatorësh apo njerëzve të papunë e të pashkolluar. Kjo duhet të kuptohet qartë, pasi fenomeni i radikalizimit dhe luftëtarëve të huaj nuk i përket së shkuarës.
Ende qindra qytetarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjenden në Siri dhe dhjetëra vazhdojnë të luftojnë në veriperëndim të vendit. Vetëm pak javë më parë, një djalë shqiptar 26-vjeçar nga Maqedonia e Veriut u vra në afërsi të Idlibit [në Siri].
Faktikisht, fenomeni i luftëtarëve të huaj është pasojë e një pune graduale të rrjeteve transnacionale të mirorganizuara dhe të mirëfinancuara nga jashtë, që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë baza të qarta ideologjike, me synim përhapjen e rrymave ultrakonservatore fetare me agjenda politike në rajon.
Padyshim, vendet që kanë pasur nivelet më shqetësuese të radikalizimit, rekrutimit dhe mobilizimit të luftëtarëve të huaj, janë vendet që kanë përjetuar luftëra ndëretnike me sfond fetar në vitet ’90, gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Shkatërrimi, traumat dhe tensionet e vazhdueshme shoqërore e politike të pasluftës në rajon janë ndër faktorët që janë shfrytëzuar nga rrjetet radikalizuese.
Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet se rajoni ka bërë shumë progres në lidhje me normalizimin e situatës. Siç e përmenda më lart, polarizimi social dhe politik është i lartë dhe diskursi publik është i mbingarkuar me retorikë nacionaliste.
Akoma më shqetësuese është se tensionet ndëretnike janë instrumentalizuar politikisht dhe kanë përfunduar në përplasje të armatosur në Banjskë [në veri të Kosovës].
Parë në kontekstin e luftës në Gazë, mund të them se në këtë moment në Ballkanin Perëndimor ka një gërshetim faktorësh radikalizues, si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm. Prandaj, nuk duhet menduar se ajo që u përjetua pak kohë më parë me valën e luftëtarëve të huaj që shkuan në Siri dhe Irak i përket së shkuarës, pasi faktorët dhe infrastruktura radikalizuese janë ende të pranishme.
Radio Evropa e Lirë: Nga cilat vende ka më shumë gjasa që të ndodhë kjo
Adrian Shtuni: Nuk mendoj se ishte rastësi që shumica dërrmuese e luftëtarëve të huaj nga Ballkani Perëndimor që iu bashkuan organizatave terroriste në Siri dhe Irak, vinin nga vende që përjetuan luftëra të përgjakshme ndëretnike me sfond fetar. Sa më i lartë të jetë polarizimi, tensionet dhe paqëndrueshmëria e shoqërisë, aq më e lartë është mundësia e radikalizimit dhe dhunës politike.
Thjesht, nëse gjykojmë nga e kaluara, vendet me paqëndrueshmërinë më të lartë janë më të cenueshmet ndaj radikalizimit. Pra, po flas për Bosnjën, Kosovën dhe deri diku edhe për Maqedoninë e Veriut. Kjo është një nga arsyet pse ka rëndësi kritike të punohet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Radio Evropa e Lirë: Kosova ishte ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, nga ku njerëzit, në shkallë të gjerë, shkuan për të luftuar në Lindjen e Mesme. Por, Kosova reagoi duke miratuar ligje që i sanksionojnë këto veprime…
Adrian Shtuni: Kosova ka reaguar shpejt dhe mendoj se ka mësuar shumë nga përvoja me luftëtarët e huaj që shkuan në Siri e Irak. Po ashtu, ka qenë një nga vendet e para që riatdhesoi qytetarët e saj. Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm, por një hap në një rrugë të gjatë.
A ka më rrezik? Sigurisht, po. Nuk ka vende që mund të konsiderohen imune ndaj radikalizimit të dhunshëm ose rekrutimit për aktivitete terroriste, prandaj duhet ndërgjegjësim, njohje me themel e shkaqeve që çojnë në radikalizëm, dhe vigjilencë e punë e vazhdueshme për të parandaluar përhapjen e ideologjive që nxisin padurimin dhe urrejtjen etnike apo fetare.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë masash konkrete mund të zbatohen për të parandaluar radikalizimin dhe rekrutimin e individëve nga rajoni nga grupet ekstremiste?
Adrian Shtuni: Shpesh mendohet se masat represive me forca të rendit janë çelësi për zgjidhjen e këtij problemi, por në fakt parandalimi proaktiv i radikalizimit është investimi më efektiv.
Para së gjithash, kjo nënkupton adresimin e faktorëve të brendshëm socialë dhe politikë, që e bëjnë një shoqëri më të paqëndrueshme e të cenueshme nga radikalizimi. Këtu përfshihet polarizimi politik dhe shoqëror, tensionet ndëretnike dhe fetare, ultranacionalizmi, gjuha e urrejtjes etj.
Prandaj, theksoj se normalizimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore kudo në Ballkan, e veçanërisht ndërmjet Kosovës e Serbisë, është shumë i rëndësishëm.
Është gjithashtu e nevojshme të punohet në mënyrë sistematike për t’iu kundërvënë keqinformimit dhe dezinformimit, që shpesh përshpejtojnë polarizimin social, radikalizimin dhe dhunën politike. Për këtë duhet punuar shumë në fushën e edukimit mediatik, që publiku i cili konsumon informacione dhe lajme nga mediat sociale, të mos bjerë pre e lajmeve të rreme dhe të deformuara qëllimisht nga ata që kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe përhapin ideologji që nxisin urrejtje dhe dhunë.
Sigurisht se për të gjitha këto duhet të ketë një koordinim rajonal nga struktura të veçanta dhe të kontrollohet sistematikisht puna e organizatave dhe fondacioneve me bazë fetare dhe ideologjike, të financuara nga jashtë, në mënyrë që aktivitetet e tyre të mos bien ndesh me ligjet e vendeve të rajonit apo me normat demokratike.
Radio Evropa e Lirë: E përmendni dezinformimin dhe keqinformimin si problem edhe në analizën tuaj. Çfarë masash konkrete sugjeroni për luftimin e kësaj dukurie?
Adrian Shtuni: Autoritetet shtetërore përgjegjëse për mbikëqyrjen e mediave tradicionale duhet të rrisin monitorimin e përmbajtjeve dhe programeve mediatike dhe të krijojnë mekanizma llogaridhënieje për ata që shkelin standardet dhe rregullat.
Gjithashtu, duhet të ketë bashkëpunim me kompanitë kryesore të mediave sociale ndërkombëtare, për të kërkuar rritjen e kapacitetit për moderimin e përmbajtjeve që keqinformojnë apo dezinformojnë qëllimisht në gjuhët kryesore të Ballkanit Perëndimor.
Fatkeqësisht, këto kompani, aktualisht, pothuajse nuk u kushtojnë aspak vëmendje përmbajtjeve të postuara në platformat e tyre në gjuhët ballkanike.
Gjithsesi, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, prioritet duhet t’i jepet krijimit të kapaciteteve të nevojshme për edukimin mediatik, veçanërisht për të rinjtë që konsumojnë më së shumti informacione nga mediat sociale.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund ta ketë ndikuar këshillimin kundër udhëtimeve, të lëshuar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, në vendet specifike në Evropë, të tilla si Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina?
Adrian Shtuni: Të gjitha vendet kanë sisteme të veçanta për vlerësimin e nivelit të kërcënimeve të sigurisë, të bazuar në kritere specifike që zakonisht nuk bëhen publike. Megjithatë, duket se Shqipëria ka kaluar ndërkohë nga niveli i rrezikshmërisë 3 në nivelin 1, pra vlerësohet se nuk ka asnjë kërcënim për udhëtim nga ana e qytetarëve të Izraelit.
Ndërkohë, sipas vlerësimit të përditësuar nga Izraeli, Bosnja vazhdon të ketë një kërcënim të nivelit 3, pra të moderuar.
(Valona Tela, Radio Evropa e Lirë)