Shtyhet gjyqi ndaj rrjetit Fox News të paditur për shpifje

Uashington, 17 prill 2023 – Kompania “Dominion Voting Systems”, e cila prodhon pajisje elektronike për numërimin automatik të votave, ngriti një padi për shpifje kundër rrjetit televiziv “Fox News” në vitin 2021, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 1.6 miliardë dollarësh. Firma Dominion e akuzon televizionin “Fox News” se kishte pretenduar në mënyrë të rreme se kompania e makinave të votimit kishte manipuluar zgjedhjet e vitit 2020. Por fillimi i gjyqit, që ishte planifikuar për të hënën, është shtyrë me një ditë, tha gjykatësi i çështjes të dielën. Burime me njohuri për çështjen thonë se gjigandi i medias po përpiqet të arrij një marrëveshje me palën akuzuese për zgjidhjen e çështjes pa gjyq.

Fillimi i gjyqit kundër rrjetit “Fox News”, nën akuzat për shpifje nga firma Dominion, është shtyrë me një ditë, sipas gjykatësit të çështjes.

Gjykatësi Eric Davis nuk dha arsye për shtyrjen, vetëm disa orë para fillimit të procesit gjyqësor të hënën, ndërsa burime të agjencisë së lajmeve Reuters bëjnë me dije se gjigandi mediatik po përpiqet të arrijë një marrëveshje me firmën “Dominion Voting Systems”.

Kompania me qendër në Shtetet e Bashkuara po kërkon një dëmshpërblim prej 1.6 miliardë dollarësh, me pretendimet se “Fox News” ka përhapur të pavërteta me vetëdije, ose nga pakujdesia.

Kompania Dominion e akuzon rrjetin “Fox News” për dëmtim të reputacionit të saj, përmes transmetimit të pretendimeve të pabaza për pajisjet e votimit, pretendime që e dinte se ishin të rreme, duke thënë se makinat e votimit ndryshuan rezultatin e zgjedhjeve në favor të demokratit Joe Biden dhe shkaktuan humbjen e republikanit Donald Trump.

Një ekspert i kontraktuar nga firma Dominion arriti në përfundimin se firma humbi shumë kontrata si rezultat i njoftimeve të përhapura nga “Fox News”, megjithëse pjesa më e madhe e raportit të tij nuk është bërë publike.

Rrjeti “Fox News” thotë se dëmshpërblimi i kërkuar është joreal dhe i bazuar në një model ekonomik të gabuar. Gjigandi meditatik pretendon se padia nga Dominion përbën kërcënim për lirinë e shtypit.

Gjyqi, i cili pritet të fillojë tani të martën, është një prej rasteve më të bujshme për shpifje në Shtetet e Bashkuara.

Rupert Murdoch, themeluesi i kompanisë, pritet të dëshmojë, së bashku me disa drejtues të lartë të rrjetit si dhe gazetarë. Kompanitë Dominion dhe Fox nuk kanë pranuar të komentojnë.

(Zëri i Amerikës)