Shtyhet për 19 janar seanca paraprake ndaj Erion Veliajt

Tiranë, 5 janar 2026 – Gjykata e Posaçme ka shtyrë për datën 19 janar seancën e radhës të shqyrtimit paraprak ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëpandehurve të tij.

Shkak për shtyrjen e seancës ishte mungesa e Veliajt si edhe e dy avokatëve mbrojtës të tij. Sipas raportimeve, kryebashkiaku ka refuzuar të dalë nga burgu, duke pretenduar se automjeti i policisë së burgjeve me të cilin duhet të dërgohej në gjykatë ishte vonuar. Ndërkaq, avokatja kryesore e tij, përmes një emaili, ka kërkuar shtyrjen e seancës, me arsyetim se ndodhei jashtë vendit.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve hodhi poshtë pretendimet se Veliajt lidhur me çështjen e transportimit të tij nga burgu në gjykatë. Në një deklaratë për shtyp të saj thuhet se Veliaj ishte njoftuar në kohë nga forcat policore të burgjeve për përgatitjen dhe për nisjen e seancës gjyqësore.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se janë të pavërteta pretendimet lidhur me orarin e transferimit të shtetasit Erion Veliaj nga IEVP Durrës drejt Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Forcat e Policisë së Burgjeve, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kanë njoftuar në kohë shtetasin E.V. për përgatitjen dhe nisjen drejt seancës gjyqësore. Mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V. ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar{, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Në seancën e ardhshme pritet që gjykata të vijojë me shqyrtimin paraprak të çështjes.

(r.m.)

Comment

*