Nga Luan Çipi
U njoftua se vdiq dhe u përcoll me nderim studiuesi, gjuhëtari, përkthyesi dhe shkrimtari Petro Zheji, një nga figurat më të spikatura, më të ditura dhe ndër më kontribuuese të gjuhës shqipe.
Nuk mund ta mposht hidhërimin që ndjeva për vdekjen e tij, kjo edhe se më takoi ta njihja nga afër në vitet e rinisë, (ne vitet 1953-54), kur edhe pse me arsim të lart, u diferencua për të kryer (bashkë me mua) në Ersekën kufitare,“shërbimin e detyruar ushtarak”. Kujtimet më sjellin bashkëbisedime intime rinore të kohës, një jetë të gjallë aktive, kur ai djalosh i fuqishëm dhe i distancuar dukshëm në dije,“shfrytëzohej” edhe atje, më shumë për të ndihmuar në pozicionin e mësuesit të matematikës dhe të gjuhës ruse, “kuadrot ushtarake” që vazhdonin shkolla e kurse. Më kujtohet me mall e dashuri edhe kur aktivizoheshim në lojëra sportive, kryesisht në ekipin përfaqësues të futbollit dhe në grupet artistike të Repartit Ushtarak 4585 Ersekë.
I biri i Gjirokastritit Spiro Ballo me origjinë nga Zheji, ish oficer madhor laureuar në Itali dhe me shërbim e jetesë në Tiranë dhe vëllai i shkrimtarit dhe gjuhëtarit prestigjioz, mësuesit tim të Gjuhës Shqipe, Gjergj Zheji, Petro Zheji, pak më i vogël nga ai, lindi në Tiranë në vitin 1929.
Babai i Petro Zheit, shok dhe bashkëveprues me antifashistin Spiro Moisiu edhe pse grishet dhe përkrah luftën nacional çlirimtare, pas çlirimit si ish oficer dhe i kamur, përndiqet dhe i sekuestrohen pronat nga regjimi komunist.
Petrua studion Matematikë-Fizikë në nivel dyvjeçar në Tiranë, jep mësim në gjimnazin “Qemal Stafa dhe dërgohet për të dhënë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës. Më pas studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës, punon pranë Ndërmarrjes së Botimeve “8 nëntori”, si përkthyes me normë si dhe pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet. Martohet me aktoren Besa Imami, martesë nga e cila u lind djali i vetëm, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë dhe Petrua, mbas viteve të tranzicionit, largohet drejt ShBA-së. Kthehet në Tiranë pas shumë vitesh, në një kohë kur çmohet dhe vlerësohet si veprimtar e personalitet, deri me dhënien e një pensioni suplementar.
Petro Zheji, qysh në moshë të re, u shqua për talent të rrallë në njohjen dhe zotërimin e gjuhëve të huaja. Poliglot që njihte me themel shqipen, zotëronte edhe gjuhët italiane, frënge, angleze, spanjolle, gjermane, ruse, hebraishten, sanskritishten e vjetër, greqishten e vjetër dhe latinishten.
Petro Zhej nisi të dallohet shumë si një nga përkthyesit më elitarë, e më produktiv me mbi 13.000 faqe përkthime të botuara në shumë vite dhe cilësia përkthimeve të tij është superiore. Përkthimi i tij i parë daton më 1958 me vëllimin e parë të romanit “Bruski” të Fedor Panferov; përkthyer së bashku vëllain, Gjergjin. Tituj të tjerë veprash madhore të përkthyera janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” i Servantes, (që është një kulm i pa dalluar nga përkthimi i Nolit të madh), “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vilet e zemërimit” të Stajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjolle, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze e deri nordike. Me këto, Petro Zhej pa mëdyshje, vihet në radhën e parë të përkthyesve te shquar shqiptar, krahas Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, Skënder Luarasi, Robert Shvarc, etj.
Një nga drejtimet që e ka angazhuar gjatë gjithë jetës studiuesin Petro Zheji ka qenë filozofia dhe gjuhësia. Në frymën e simbolizmit me veprat e tij edhe pse të botuara me vonesë si “Roli mesianik i gjuhës shqipe”, “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” etj. Veprat e tij filozofike përcaktojnë raportin botëkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën. Këto studime e kanë zanafillën te Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot dhe pasqyrojnë në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë, që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Sipas Petro Zhejit në këto drejtime ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të ëndrrës së heronjve të tillë të mendimit të përparuar si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu etj.
Për gjuhën shqipe gjithashtu janë me shumë vlerë studimet e Petro Zhejit për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (në dy vëllime.; 1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, “Libri i Aforizmave” (2012), që shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë.
Këto punime janë në botim e sipër dhe figura të spikatura studiuesish si Martin Camaj, Robert Elsie etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e tyre.
Do ta mbyllja këtë shkrim homazh e përkujtimor, me fjalët e dhëmsura, enkas për këtë rast, të shkrimtarit të shquar Faruk Myrtaj: “Ikjet e këtyre përmasave detyrojnë respekt dhe heshtje…Petro Zhej, një altar, ku mund t’i bjemë në gjunjë Gjuhës Shqipe!”
Nga Libri Im :” Urtësi, Trimëri…”