Si e përjetova tragjedinë e 11 Shtatorit?

E shkruar pak ditë pas tragjedisë; ribotohet pas 20 vitesh

 

Nga Gena Bajrami

Manhattan-i po lahej nga rrezet e ngrohta të mëngjesit. Ishte ditë e martë, 11 shtator, 2001. Çdo gjë kishte filluar me ritmin e zakonshëm të këtij qyteti. Por biri im Roni, pesëvjeçar po më paralajmeronte se diçka e keqe do të ndodhte atë ditë. Në orën 8 të mëngjesit u nisa me të për ta çuar në kopshtin shkollor dhe ai po më tregonte se gjatë natës kishte parë një ëndërr të keqe.
– Mami, pashë një njeri me sy të bardhë. Ai më frikësonte. Kishte hyrë në një bodrum, kishte lënduar këmbën dhe pasi e dërguan ne spital, ndërroi jetë.
– Mos u frikëso bir, ka qenë vetëm një ëndërr, – u mundova ta qetësoja
– Po, ishte ëndërr por qe ëndërr e frikshme, – ma ktheu ai.
Në kopshtin parashkollor arritëm duke biseduar për ëndrrën e keqe.
Në orën 9 e 15 minuta arrita në “City Hall”. Sapo dola nga treni dhe u drejtova për në kolegjin ku studioj dëgjova klithmat e njerëzve. Në rrugë kishte më shumë njerëz se zakonisht. Për ndryshim nga ditët e tjera, ata ishin shtangur dhe nuk po lëviznin. Ç’do të ketë ndodhur? Aksident komunikacioni? Vrasje?
– Qendra Ndërkombëtare Tregtare po digjet, – më tha një grua që nuk mund të përmbahej.
Ngrita kokën dhe vështrova në drejtim të ndërtesave më të mëdha të New York-ut. Ç’të shohin sytë? Dy ndërtesat në tym e flakë. Si ka mundur të ndodhë kjo?
– Dy aeroplanë kanë goditur ndërtesat, – më thotë një grua.
Zemra ime ndryshoi ritmin. Isha dëshmitare e një tragjedie të pashpjegueshme. Minutat kalonin e ndërtesat gjithnjë e më shumë po i kaplonte tymi. Në ato çaste mendja më shkoi te shqiptarët që punonin në këtë qendër, të cilët i njihja. Njeri prej tyre ishte Bardhyl Quku, ndërmjetësues i madh investimesh. Kisha dëgjuar edhe për një shqiptar tjetër, Rrok Camajn, i cili pastronte xhamat e jashtëm të 107 kateve të dy ndërtesave. Luta Zotin që të kenë shpëtuar.
Vazhdova rrugën për të arritur në kolegj, dhjetë minuta larg, nga stacioni i Bashkisë së Qytetit (City Hall). Në orën 9 e 35 minuta arrita para ndërtesës në Chamber Street. Punëtorët, që punonin në ndërtesat rreth Binjakeve, të mbytur në vaj po vështronin Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë. Një grua kishte lënë takim me një shoqe që punonte në njërën nga ndërtesat dhe nuk dinte gjë për fatin e saj. Të gjithë ata që kishin celularë përpiqeshin të lidheshin me të afërmit, shokët, shoqet për t’u dhënë lajmin e kobshëm apo për t’u treguar se ishin jashtë rrezikut për jetën. Është e çuditshme që njerëzit i kishin kaq afër ndërtesat e mëdha dhe nuk largoheshin. Ajo që më ndali frymën ishte çasti kur vërejta në katet e larta të ndërtesave njerëzit që po hidheshin nga dritaret. Numërova: një njeri, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë… Të shohësh njeriun duke vdekur, ka gjë më të vështirë?
-O Zot, njerëzit po hidhen, – dëgjoheshin klithmat.
Nuk mund të qendroja më. Këmbët nuk më mbanin. Mendjen e kisha te Roni. A do të ketë dëgjuar për këtë tragjedi? Do t’i ketë treguar mësuesja?
Vazhdova rrugën. Kur u largova 6 blloqe larg ndërtesave, pashë njerëzit që po largoheshin duke bërtitur. Disa po rrëzoheshin përtokë. Edhe unë fillova të vrapoj. Më dukej se jetoja në një botë jo reale. Sa herë kisha shëtitur e sigurtë, në këtë rrugë, e sot… Njerëzit po iknin nga vdekja.
Deri në rrugën 34 njerëzit ecnin me nxitim. Veturat mezi depërtonin përmes turmave. Para bankave ishin krijuar radhë të gjata njerëzish.
Në orën 10 e 45 të paradites arrita në kopshtin parashkollor në rrugën 33 ndërmjet Avenusë së Tretë dhe të Dytë. Prindërit kishin shkuar të merrnin fëmijët. Roni kishte vërejtur se diçka e jashtëzakonshme po ndodhte atë ditë në Manhattan.
– Pse erdhe kaq herët, – më pyeti.
Unë nuk iu përgjigja.
Kur arritëm në shtëpi ai e kuptoi se ç’po ndodhte. Shumë mesazhe më kishin lënë shoqet e të afërmit në telefon. Zërat e motrave, Teutës dhe Mimozës nga Kosova dëgjoheshin plot vaj: – Jemi shumë të shqetësuara nga ajo që ka ndodhur në New York.
Telefonatat vazhduan gjatë gjithë ditës. Shoqet e mia më sugjeruan të largohem nga Manhattan-i. Ato kishin frikë se objekt i sulmit të terroristëve mund të jetë edhe ndërtesa “Empire State”, e cila ndodhet një rrugë larg nga banesa ime. Bashkëshorti im më qetëson. Më thotë se jemi jashtë rrezikut. Më vonë “Zëri i Amerikës” dhe “Deutche Welle” më kërkojnë një intervistë. Flas e emocionuar si dëshmitare e ngjarjeve të tmerrshme që përjetova nga aktet terroriste të 11 shtatorit.
Të nesërmen në mbrëmje televizioni lajmëron se një bombë është gjetur në “Empire State Building”. Pak më vonë mësojmë se ishte vetëm një kërcënim.
Sot, është dita e pestë qëkur ndodhi tragjedia. Manhattan-i dhe gjithë Amerika vazhdojnë të përjetojnë thellë të martën e zezë në New York dhe Washington D.C.
Hedh vështrimin në drejtim të ndërtesës 102 katëshe “Empire State Building” që ka mbetur pas 30 viteve sërish më e larta ndertesë e New York-ut. Siç do të shkruante një gazetar amerikan, kjo “zonjë” sot është e mërzitur dhe e vetmuar pa dy “zoterinjtë” që e shoqëronin – binjaket e famshme që sot janë rrëzuar përtokë.

 

P.S. Më vonë mësuam se tre shqiptarë humbën jetën në këtë tragjedi. Ata ishin Rrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedvukaj.