Si e pritën liderët evropianë fitoren e Magyarit në Hungari?

Prishtinë, 13 prill 2026 – Shumica e liderëve evropianë e kanë mirëpritur fitoren spetakolare të partisë Tisza dhe liderit të saj, Peter Magyar, në zgjedhjet parlamentare në Hungari. Ata kanë vlerësuar se Hungaria, me fitoren e Magyarit, është rreshtuar me vendet që i mbështesin vlerat evropiane. 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, është shprehur e lehtësuar që tash e tutje nuk do të ketë punë me euro-skeptikun Viktor Orban, i cili pësoi humbje të thellë nga Magyar.

Hungaria e zgjodhi Evropën. Evropa gjithmonë e ka zgjedhur Hungarinë. Së bashku jemi më të fortë. Një vend rifiton rrugën e tij evropiane. Bashkimi na bën më të fortë”, ka shkruar ajo në platformën X, menjëherë pasi Orban e pranoi humbjen.

Kancelari gjerman Friedrich Mertz tha se rezultati i zgjedhjeve në Hungari tregon se shoqëritë evropiane janë “rezistente ndaj propagandës ruse” dhe ndikimeve të tjera të jashtme.

“Populizmi i krahut të djathtë pësoi një disfatë të rëndë në Hungari dje dhe kjo ndikon më shumë sesa vetëm në Hungari”, u tha Mertz gazetarëve në Berlin, sot në mëngjes.

“Hungaria po dërgon një mesazh shumë të qartë kundër populizmit të krahut të djathtë në gjithë botën. Në këtë kuptim, dje ishte një ditë e mirë”, theksoi ai.

E presidenti francez Emmanuel Macron tha se fitorja e Magyarit dëshnmon lidhjen e popullit hungarez me vlerat e Bashkimit Evropian.

“Franca e përshëndet këtë fitore të pjesëmarrjes demokratike, të lidhjes së popullit hungarez me vlerat e Bashkimit Evropian dhe për Hungarinë në Evropë”, tha Macron.

“Së bashku, le të çojmë përpara një Evropë më sovrane, për sigurinë e kontinentit tonë, konkurrueshmërinë dhe demokracinë tonë”, theksoi ai.

Kryeministri polak Donald Tusk, tha se ai është i lumtur për fitoren e Magyarit. Madje, tha se ai është më i lumtur se vetë Magyar.

“Mendoj se jam më i lumtur se ti”, tha ai në mesazhin dërguar kryeministrit të ardhshëm hungarez, Peter Magyar.

“Mirë se vini përsëri në Evropë!”, theksoi ai në mesazhin që e shoqëroi me pamje nga festimet e mbështetësve të Magyarit me flamujt polakë dhe hungarezë.

Kryeministri I Republikës së Çekisë, Andrej Babis, krahas urimit, premtoi se do të bashkëpunojë me Magyarin.

“Ai nuk duhet të zhgënjejë. Unë e respektoj rezultatin e zgjedhjeve dhe pres me padurim bashkëpunimin tonë, sepse marrëdhënia midis Hungarisë dhe Republikës Çeke është e ngushtë dhe unë gjithmonë do të punoj në mënyrë konstruktive me këdo që e zgjedhin votuesit”, tha Babis.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e përgëzoi Magyarin për fitoren në zgjedhje menjëherë pasi Viktor Orban e pranoi humbjen.

“Ukraina gjithmonë është përpjekur për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjithë në Evropë dhe ne jemi të gatshëm të përmirësojmë bashkëpunimin me Hungarinë”, tha ai/

Ai shtoi se Kievi është gati për “takime dhe punë të përbashkët konstruktive në dobi të të dy kombeve”.

Ndërkaq, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, i cili ishte aleat i Orbanit, reagoi pa entuziazëm për fitoren e Magyarit. Ai tha se është gati “për bashkëpunim intensiv” me udhëheqësin e ri hungarez, duke përsëritur se Bratislava duhet të ketë “qasje të përbashkët” me Budapestin “në mbrojtje” të interesave të përbashkëta energjetike.

“Unë besoj se ende ekziston një interes i fortë i Sllovakisë, Hungarisë dhe Evropës Qendrore në tërësi për të rivendosur funksionimin e tubacionit Druzhba”, theksoi Fico.

Kryeministrja italiane, Giorgio Meloni, e cila gjithashtu ishte e afët me Orbanin, shprehu besimin se dy vendet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë “në interes të popujve tanë dhe sfidave të përbashkëta”

“Jam e bindur se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në një frymë konstruktive në interes të popujve tanë dhe sfidave të përbashkëta në nivel evropian dhe ndërkombëtar”, tha Maloni.

Uashingtoni zyrtar nuk ka reaguar ende pas fitores së Peter Magyarit ose humbjes së Viktor Orbanit, aleatit të fortë të Presidentit Donald Trump.

As Moska zyrtare nuk ka reaguar ende lidhur me fitoren e Peter Pagyarit në zghjedhjet parlamentare në Hungari. Deri më tani ka reaguar vetëm i dërguari jozyrtar i presidentit rus Vladimir Putin në Uashington, Kirill Dmitriev, i cili ka thënë se po e shfaq mendin e tij.

“Kjo thjesht do të përshpejtojë rënien e BE-së”, ka thënë ai në përgjigje të aktivistit të ekstremit të djathtë Tommy Robinson.

“Kontrolloni nëse kam të drejtë pas 4 muajsh”, ka theksuar ai.

Kryeministri hungarez në largim, Viktor Orban, pengoi marrjen e vendimeve lidhur me disa çështje me rëndësi strategjike për Bashkimin Evropian, sidomos lidhur me sanksionet ndaj Rusisë dhe me mbështetjen për Ukrainën.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ai vuri veto ndaj vendimit të BE-së që Ukrainës t’i jepej një kredi prej 90 miliardë eurosh.

Ai e tërhoqi pëlqimin për këtë kredi pasi Kievi e ndaloi furnizimin e Hungarisë me naftë nga Rusia përmes tubacionit “Druzhba” që kalon nëpër Ukrainë. Orban e cilësoi këtë si akt të qëllimshëm të Kievit për të ndikuar në zgjedhjet hungareze duke e dobësuar ekonominë e këtij vendi.

(r.m.)

Comment

*