Si e regjistroi Rusia bisedën sekrete të ushtrisë gjermane?

Berlin, 4 mars 2024 – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka bërë thirrje për unitet të skenës politike të Gjermanisë pas publikimit të një bisede të oficerëve të lartë të aviacionit luftarak gjerman nga Rusia.

“Bëhet fjalë për një sulm hibrid të disinformimit, bëhet fjalë për përçarje, dhe minim të unitetit tonë”, ka thënë Pistorius, citon Deutshche Welle.

“Ne nuk duhet të biem në grackën e Putinit. Prandaj duhet të reagojmë me mençuri”, ka theksuar ai.

Pistorius ka refuzuar marrjen e masave ndaj personelit ushtarak në këtë moment. Ai ka thënë se ky do të ishte ekzagjerim, por ka kërkuar të sqarohet nëse në këtë bisedë janë diskutuar përmbajtje sekrete dhe nëse për këtë bisedë shërbimi i konferencave, Webex, ka qenë formati i duhur për të komunikuar.

Televizioni rus e ka publikuar në internet të premten një videoregjistrim me telefon të një konference të oficerëve të lartë të ushtrisë gjermane. Në video dëgjohet biseda e kreut të aviacionit luftarak gjerman, Ingo Gerhartz, me tre oficerë për mundësinë e dërgimit të raketave “Taurus” për forvat e Ukrainës.

Njëri nga inspektorët e ushtrisë gjermane thotë se ai thotë se si fillim ukrainasve mund mund t’i jepen 50 “Taurus” e pasdtaj edhe 50 të tjera, nëse kancelari e ndryshon qëndrimin. Sipas bisedës, edhe britanikët i kanë ofruar raketa Ukrainës dhe “i kanë disa njerëz në terren”.

Oficerët e lartë gjermanë diskutojnë gjithashtu nëse raketat “Taurus” janë në gjendje të shkatërrojnë urën e ngritur nga Rusia pas aneksimit të Krimesë dhe nëse Ukraina do të mund të bënte programimin e raketave pa ndihmën e Bundeswehrit.

Publikimi i kësaj bisede nxjerr në pah problemet e sigurisë brenda ushtrisë gjermane. Nuk dihet saktësisht se si e ka siguruar bisedën Rusia.

Politikani i CDU-së për Mbrojtjen, Roderich Kiesewetter, është i mendimit, se Moska ka pasur të dhëna për t’u regjistruar në platformë.

“Për fat të keq, shtohen të dhënat se, me gjasë, një pjesëmarrës rus është regjistruar në Webex dhe nuk ka rënë në sy që aty ka pasur një numër tjetër telefoni që ka qasje”, ka thënë Kieswetter.

Si Kiesewetter ashtu edhe Pistorius thonë se publikimi i bisedës është zgjedhur me qëllim.

“Askush nuk beson seriozisht, se kjo ishte rastësi”, ka thënë Pistorius, duke e vendosur këtë në kontekst me vdekjen në burg të kritikut të Kremlinit, Aleksej Navalny, dhe me publikimin e hulumtimeve për Wirecard dhe Jan Marsalek.

Ai ka bërë thirrje për unitet të forcave politike në Gjermani.

“Në fund të fundit, ka rëndësi që të ne të qëndrojmë të bashkuar”, ka thënë Pistorius.

(r.m.)