Nga Avokati Kieran Both

Kohët e fundit, gjatë intervistave të Shërbimit të Emigracionit dhe të Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) si dhe gjatë takimeve në qendrat ndihmëse ASC është vënë re një rritje e aksioneve nga ana e agjencisë federale ICE e cila merret me zbatimin e ligjeve të emigracionit. Disa zyra lokale në Kaliforni kanë dokumentuar ndalime të aplikantëve, veçanërisht gjatë intervistave për ndreqje statusi (green card) me bazë bashkimin familjar. Në këto raste, agjentë të ICE-it janë paraqitur në zyrat e USCIS-it dhe kanë arrestuar aplikantët gjatë intervistës ose menjëherë pas saj, dëshmi kjo e një qasjeje që rezulton në zbatim më të ashpër të ligjeve të emigracionit. Procesi që përdor USCIS-i për të bashkëvepruar me ICE-in në këto raste duket se ndryshon nga një zyrë lokale në tjetrën, dhe mënyra si përdoret autoriteti diskrecional mund të çojë në rezultate të ndryshme madje edhe brenda përbrenda të njëjtës zonë ku gjendet zyra e USCIS-it.
Aplikantët që kanë një urdhër të mëparshëm dëbimi konsiderohen automatikisht si “më të rrezikuarit” nga aksionet zbatimore, pasi janë gjatë të gjithë kohës subjekte të një ndalimi të mundshëm. Vetë fakti që atyre u është dhënë më parë një urdhër dëbimi përbën një faktor që mbizotëron mbi faktorët e tjerë lehtësues, duke e bërë këtë kategori njerëzish veçanërisht më të prekur nga rreziku i ndalimit. E kaluara penale e aplikantit e rrit ndjeshëm rrezikun e ndërhyrjes nga ana e autoriteteve gjatë intervistave të USCIS-it. Individët me dënime që kualifikohen si krime ku përfshihen krimet e natyrës morale (CIMT), krimet e rënda (aggravated felonies), vepra penale që lidhen me drogën ose sjellje të dhunshme, pavarësisht kohës kur kanë ndodhur, janë veçanërisht më të rrezikuar për t’u ndaluar nga ICE-i. Prania e këtyre dënimeve mund të shërbejë si bazë për papranueshmëri ose dëbueshmëri nga vendi. Përtej këtyre pasojave, thjesht ekzistenca e një të kaluare penale, përfshirë këtu dhe dënimet për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit (DUI), mund t’i bëjë këta individë më të rrezikuar për t’u ndaluar nga ICE-i. Raportet e fundit të marra nga AILA sugjerojnë se oficerët e USCIS-it po shqyrtojnë me shumë kujdes sjelljen e mëparshme [të aplikantëve] dhe mund të vendosin të hetojnë rastet ku kanë konstatuar mashtrim ose keqdeklarim nga ana e aplikantit, që lidhet me qëllimin që ky aplikant ka patur në momentin e hyrjes në vend, gjë kjo që mund të çojë në ndalim të aplikantit. Gjatë një interviste, individët me aplikime të refuzuara më parë, status të revokuar ose vendime të tjera jo të favorshme në fushën e emigracionit ka më shumë gjasa të kthehen në shënjestra për zbatimin e ligjit. Diçka e tillë, veçanërisht kur kombinohet me faktorë të tjerë rreziku, mund të rrisë ndjeshëm probabilitetin e ndalimit.
Sipas raportimeve, aplikantët që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara pa u kontrolluar në kufi (EWI) ose që kanë grumbulluar ditë qëndrimi të paligjshëm janë gjithashtu subjekt i këtyre aksioneve për zbatimin e ligjit. Fakti që një aplikant kualifikohet për ndreqje statusinuk shërben si mbrojtje nga veprimet e ICE-it; edhe kur aplikantët përmbushin të gjithë kushtet e tjera për ndreqje statusi, ICE-i mund t’i ndalojë gjatë një interviste nga USCIS-i nëse aktualisht këta aplikantë nuk kanë status të ligjshëm.
Sipas raportimeve, lihet të kuptohet se ICE-i dhe USCIS-i kanë koordinuar procedura të brendshme të cilat lejojnë ndërmarrjen e aksioneve për zbatimin e ligjit gjatë ose menjëherë pas intervistave të USCIS-it. Është e mundur që ky proces të nisë shumë përpara datës së planifikuar të intervistës.
Aplikantët duhet të diskutojnë të gjithë historikun e tyre të emigracionit me avokatin e tyre, përfshirë aplikimet e mëparshme pranë të gjitha agjencive, në mënyrë që avokati të jetë në dijeni dhe të kuptojë çdo gjë që aplikanti ka deklaruar në dosjet e mëparshme. Nëse një person ka një urdhër të mëparshëm dëbimi, avokati duhet të vlerësojë nëse aplikanti mund ose jo të kërkojë rihapjen e procedurave të emigracionit. Nëse rihapja nuk është e mundur dhe ICE-i ka refuzuar një pezullim të dëbimit, aplikanti kthehet në subjekt të mundshëm ndalimi. Gjithashtu, duhet të kryhet një kontroll i plotë i të kaluarës penale, përfshirë dhe shqyrtimin e arrestimeve, dënimeve, çështjeve në pritje dhe/ose çështjeve të mbyllura, madje edhe çështjeve si shkelje të vogla të rregullave të trafikut. Nëse del ndonjë vepër penale pasi çështja është depozituar, aplikantët duhet t’i sigurojnë këto dokumente të arkivuara, përpara intervistës, pasi do t’u kërkohet që t’i paraqesin gjatë intervistës.
Aplikantët kanë të drejtë të përfaqësohen nga një avokat gjatë intervistës. Edhe kur përfaqësuesi ligjor është i pranishëm, avokatët nuk mund të ndalojnë një veprim ndalimi të nisur nga ICE-i. Megjithatë, prania e avokatit mund të ndihmojë që çështja të dokumentohet siç duhet dhe që të mbrohen të drejtat e aplikantit.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com