Si ranë në grackën e policisë të dysharit për sjelljen e mbi 42 mijë monedhave false në Kosovë?

Prishtinë, 1 dhjetor 2023 – Me një skenar si në filma. 6 personat e arrestuar nga policia e Kosovës dyshohet se kishin falsifikuar dhe pastaj kishin tentuar për t’i bartur në Kosovë dhe për t’i shpërndarë mbi 42 mijë monedha 2 euroshe të falsifikuara.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Policia dhe Prokuroria janë përfshirë në zbulimin dhe arrestimin e këtij grupi, të dyshuar për falsifikim të monedhave metalike 2 euroshe.

Sipas dosjes së prokurorisë, Benjamin Ajrullovski, Sherif Ajrullovski, Alil Ajrullovski, Setki Ramuka, Muhamed Krasniqi dhe Hajredin Dernjani janë gjashtë të dyshuarit për falsifikimin e monedhave 2 euro, të cilat tash e një kohë janë duke qarkulluar në tregun e Kosovës.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi ka paraqitur në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për 6 të dyshuarit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, Benjamin, Sherif dhe Alil Ajrullovski, shtetas të Maqedonisë së Veriut, kanë siguruar në vendin fqinj mbi 42 mijë copë monedha 2 euroshe, në vlerë totale prej mbi 85 mijë eurosh, para të cilat kanë qenë të gatshme të falsifikuara. Për t’i futur në Kosovë, ata kishin përdorur metoda të kamufluara.

Sipas prokurorisë, të dyshuarin i kishin futur paratë e falsifikuara në një qese të zezë najloni, që të duken si mall i zakonshëm dhe i kishin futur në Kosovë.

Dosja thotë se tre të dyshuarit nga Maqedonia e Veriut janë koordinuar me të dyshuarit e tjerë nga Kosova

Sipas prokurorisë, ata janë takuar në Han të Elezit dhe kanë bërë ngarkimin e parave të falsifikuara në një veturë të tipit “Passat”, të cilën. sipas prokurorisë. po e e ngiste i dyshuari Hajredin Dernjani.

Kjo veturë tashmë e sekuestruar nga Policia.

Siç shpjegohet në dosjen e prokurorisë, paratë e falsifikuara janë transportuar me këtë veturë për në Prishtinë dhe të dyshuarit janë takuar në një pompë të derivateve në lagjen ‘Veternik’ të kryeqytetit.

Sipas dosjes, plani i paraparë ka qenë që të bëhej shitblerja e parave të falsifikuara. Mirëpo këtu të njëjtit janë identifikuar nga Policia e Kosovës. me ç’rast edhe është bërë arrestimi i tyre në flagrancë dhe sekuestrimi i parave të falsifikuara.

Arrestimi dhe kapja në flagrancë e të dyshuarve ka ndodhur me 28 nëntor.

Prokuroria pretendon se ekziston mundësia që në këtë rast bëhet fjalë për një grup kriminal me role të caktuara, ku të dyshuarit nga Maqedonia Veriore i siguronin paratë e falsifikuara, kurse të dyshuarit e Kosovës e kishin rolin e ndërmjetësve.

Prokuroria thotë se ky grup dyshohet që në mënyrë aktive bënë prodhimin dhe shpërndarjen e parave false nga Maqedonia e Veriut në Kosovë, por e lë të hapur edhe mundësinë që një aktivitet i tillë të zhvillohet edhe në vende të tjera të rajonit.

Për këto veprime Prokuroria Speciale ka ngritur dyshime lidhur me këto vepra penale: blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale, falsifikimi i parasë dhe shpërlarja e parave.

Benjamin, Sherif dhe Alil Ajrullovsi po dyshohen për shpëlarje të parave. Sipas dosjes së Prokurorisë, ata kanë pasur qëllim që paratë e falsifikuara t’i sillnin në Kosovë për t’i shitur me çmim të caktuar tek persona të tjerë, të cilët do t’i fusnin në qarkullim si para të vërteta. Kështu ata kanë tentuar që paratë false t’i paraqitnin si para të ligjshme.

Në dosje shtjellohet gjthashtu pesha e natyrës së një veprimtarie të tillë, posaçërisht në Kosovë. Aty përmendet situata e krijuar në tregun e Kosovës me qarkullimin e monedhave 2 euroshe fals.

“Dukuria e pranisë së parave të falsifikuara në Kosovë ditët e fundit vërehet si kurrë më parë, aq sa nga frika e dëmtimit personal, tregu ka filluar në mënyrë jo zyrtare që të mos i pranojë si mjete pagese monedhat 2 euro për faktin se ka shumë të tilla të falsifikuara në tregun tonë” – thuhet mes tjerash në dosjen e Prokurorisë Speciale.

Sipas Prokurorisë, nëse të dyshuarit do të ishin në liri, ekzistonte rreziku që ata do të vazhdonin edhe më tutje aktivitetin, i cili do të kishte pasoja serioze në tregun financiar.

Si u arrestuan nga Policia?

Sipas dosjes së Prokurorisë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e ka njoftuar Prokurorinë Speciale se ekziston mundësia e ardhjes së një sasie parash të falsifikuara nga Maqedonia e Veriut. Aty thuhet se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit i kishte pranuar këto informata përmes Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Prokuroria, në bashkëpunim me hetuesinë, kanë planifikuar punën operative e cila çoi në arrestimin e të dyshuarve. Arrestimi i të dyshuarve u bë në flagrance, në njërën prej pompave të derivateve në lagjen Veterniku të Prishtinës.

Pas arrestimit, asnjëri prej gjashtë të dyshuarve nuk u deklarua rreth çështjes, duke e shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

Gjithashtu, pas arrestimit të tyre janë gjetur dhe sekuestruar para, telefona dhe automjete. Policia i ka sekuestruar mbi 4 mijë monedha 2 euroshe që dyshohen se janë të falsifikuara, 10 telefona dhe 5 automjete.

Sipas dosjes së prokurorisë, një prej këtyre automjeteve, pas verifikimit të hyrje – daljeve kufitare, rezulton të ketë pasur hyrje – dalje të shpeshta në kufirin Kosovë – Maqedoni e Veriut.

Bëhet fjalë për veturën e tipit VW “Touran” me targa të Maqedonisë së Veriut, e cila është gjetur në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit Hajredin Dernjani. Prokuroria ka ngritur dyshime se kjo veturë është përdorur për transportimin e parave të falsifikuara.

(Kallxo.com)