Çështje të Emigracionit nga Avokati Kieran Both

Ligjet amerikane për Emigracionin dhe Nënshtetësinë (INA) përcaktojnë numrin e vizave emigruese që Departamenti Amerikan i Shtetit (DOS) mund t’u lëshojë çdo vit të huajve që kërkojnë të bëhen banorë të përhershëm të ligjshëm (të marrin Green Card). Numri i vizave emigruese për familjarët më të afërt të nënshtetasve amerikanë është i pakufizuar, prandaj këto viza janë gjithmonë të disponueshme. Familjarë më të afërt konsiderohen: bashkëshortët e nënshtetasve amerikanë; fëmijët (e pamartuar dhe nën 21 vjeç) e nënshtetasve amerikanë; prindërit e nënshtetasve amerikanë që janë të paktën 21 vjeç; si dhe gratë ose burrat e ve të nënshtetasve amerikanë, nëse nënshtetasi amerikan ka paraqitur kërkesën për bashkim familjar para se të vdiste, ose nëse bashkëshorti/ja i/e mbetur ve paraqet vetë kërkesën brenda dy vjetëve nga vdekja e nënshtetasit.
Vizat emigruese për kategoritë preferenciale me bazë bashkimin familjar dhe punësimin janë të kufizuara numerikisht, prandaj nuk janë gjithmonë menjëherë të disponueshme.
Në përgjithësi, numri i vizave të kategorisë preferenciale me bazë bashkimin familjar kufizohet në 226,000 viza në vit, ndërsa numri i vizave me bazë punësimin kufizohet në 140,000 viza në vit. (Sipas ligjit, këto kufij vjetorë të vizave mund të tejkalohen kur disa viza emigruese nga kuota e vizave të vitit të mëparshëm fiskal nuk janë përdorur plotësisht.) Të dyja kategoritë ndahen në disa nënkategori, secila prej të cilave merr një përqindje të caktuar të numrit të përgjithshëm të vizave, sic parashikon ligji. Përveç kësaj, ka kufizime për përqindjen e vizave që vihen në dispozicion në varësi të vendit të origjinës së emigrantit (zakonisht vendi i lindjes).
Kur kërkesa për viza është më e lartë se numri i vizave të vëna në dispozicion për një vit të caktuar, për cilëndo kategori apo cilindo vend të caktuar, krijohet një radhë për viza (një listë pritjeje ose vonesa). Për të bërë shpërndarjen e vizave mes të gjitha kategorive preferenciale, Departamenti i Shtetit (DOS) i ndan vizat sipas kategorisë pereferenciale të emigrantit të ardhshëm, vendit të origjinës, dhe datës prioritare. DOS-i përdor datën prioritare për të përcaktuar vendin e një emigranti në radhën e vizave. Kur “vjen” data e përparësisë pra kur bëhet “aktuale,” emigrantët mund të aplikojnë për ndryshim statusi (ose për vizë emigruese pranë DOS-it nëse ndodhen jashtë SHBA-së) dhe të marrin statusin e banorit të përhershëm të ligjshëm, nëse kualifikohen për një status të tillë.
Nëse keni aplikuar për vizë emigruese, mund ta gjeni datën tuaj prioritare në Formularin I-797, Notice of Action, që ju kanë dërguar kur keni paraqitur peticionin në emrin tuaj. Koha që do t’ju duhet të prisni derisa të mund të merrni një vizë emigruese ose të ndryshoni statusin varet nga numri i kërkesave dhe ai i vizave emigruese të vëna në dispozicion, nga kufizimet në numrin e vizave sipas vendeve përkatëse dhe nga numri i vizave që janë caktuar për kategorinë tuaj preferenciale.
Për emigrantët e sponsorizuar nga familja, data e përparësisë është data e dorëzimit në mënyrë të rregullt pranë USCIS-it e Formularit I-130, Petition for Alien Relative, ose në raste të tjera e Formularit I-360, Petition for Amerasian, Widow(er), or Special Immigrant. Visa Bulletin (Buletini i Vizave) ju lejon të kontrolloni vendin që keni në radhën e vizave emigruese. Buletini i vizave tregon gjithashtu datën më të fundit kur një numër vize bëhet i disponueshëm për vizat e kategorive dhe vendeve të ndryshme, të sponsorizuara nga familja, atyre me bazë punësimin dhe vizave të programit të diversitetit (llotarisë amerikane).
Një vizë duhet të jetë e disponueshme përpara se të mund të ndërmerrni një nga hapat përfundimtarë në procesin e marrjes së statusit të banorit të përhershëm të ligjshëm. Meqenëse numri i emigrantëve që kërkojnë green card është më i madhse numri i vizave emigruese që vë në dispozicion ligji, jo të gjithë mund të marrin menjëherë një vizë emigruese. Koha që duhet të prisni varet nga data juaj prioritare, kategoria preferenciale dhe vendi i origjinës së aplikantit. Nëse kërkesa për viza emigruese është më e madhe se oferta për një kategori dhe vend të caktuar, Departamenti i Shtetit (DOS) e konsideron atë kategori dhe vend “të mbiabonuar” (oversubscribed) dhe i duhet të caktojë një datë “përfundimtare” (cut-off date) që të mund ta mbajë shpërndarjen e vizave brenda kufijve ligjorë. Një vizë bëhet e disponueshme kur data juaj prioritare është më e hershme se data “përfundimtare” – në tabelën përkatëse të Buletinit të Vizave (Visa Bulletin) – që i përket kategorisë dhe vendit tuaj të origjinës.
Buletinin e Vizave mund ta gjeni këtu: https://travel.state.gov/content/travel/en/legal/visa-laë0/visa-bulletin/2026/visa-bulletin-for-october-2025.html
Për shembull, nëse Visa Bulletin (Buletini i Vizave) tregon një datë 15 dhjetor, 2007 për Kinën në kategorinë preferenciale familjare (F1), vizat janë aktualisht të disponueshme për emigrantët që kanë një datë prioritare më të hershme se 15 dhjetori, 2007. Ndonjëherë, kërkesa për viza emigruese është më e vogël se oferta për një kategori dhe vend të caktuar. Në këtë rast, Visa Bulletin e shënon atë kategori me shkronjën “C”, që do të thotë se vizat emigruese janë aktualisht të disponueshme (current) për të gjithë aplikantët që kualifikohen për ndryshim statusi dhe për ata që kanë aplikuar për viza emigruese jashtë SHBA-së në atë kategori preferenciale dhe nga vendi përkatës. Nëse Visa Bulletin tregon “U” në një kategori, kjo do të thotë se vizat emigruese janë përkohësisht të padisponueshme për të gjithë aplikantët në atë kategori preferenciale dhe/ose nga ai vend i origjinës.

Ndonjëherë, një datë prioritare që është aktuale për një muaj të caktuar mund të mos jetë më aktuale në muajin në vijim, ose data përfundimtare mund të spostohet mbrapsht drejt një date më të hershme. Diçka e tillë quhet “kthim mbrapa në kohë i vizave” (visa retrogression), dhe ndodh atëherë kur numri i njerëzve që aplikojnë për një vizë në një kategori të caktuar është më i madh se numri i vizave të disponueshme në atë muaj. “Kthimi mbrapa në kohë i vizave” zakonisht ndodh kur numri vjetor i vizave për një kategori ose vend të caktuar ka “shterur” ose pritet “të shterojë” së shpejti. Kur fillon viti i ri fiskal më 1 tetor, vihet në dispozicion një sasi e re vizash. Zakonisht, por jo gjithmonë, “furnizimi i ri” me viza e rikthen “datën kufi” në vendin ku ishte para “kthimit pas në kohë” të vizave.
Kur data prioritare bëhet “aktuale” (e menjëhershme), mund të filloni procesin e aplikimit për vizë.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com