Si ta shtyj afatin e vizës së turistit dhe më pas ta ndryshoj në vizë studenti

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Kam një vizë turistike 10 vjeçare B-2. Erdha në SHBA në tetor 2023. Do të doja të qëndroja më gjatë dhe mundësisht të regjistrohesha në ndonjë shkollë si student ndërkombëtar. A duhet të bëj ndonjë gjë tjetër përveç gjetjes së një shkolle dhe pagesës së tarifës së shkollimit?

DH

Brooklyn, NY 

Egziston mundësia që të zgjasni kohëzgjatjen e autorizuar të qëndrimit si dhe të ndryshoni statusin aktual në status studenti. Viza me shumë hyrje-dalje është e vlefshme nga data e lëshimit të saj deri në datën e skadimit, për udhëtim që kryhet për të njëjtin qëllim. Viza që keni, me sa kuptohet, është e vlefshme për 10 vjet. Dikush që udhëton shpesh si turist me vizë me shumë hyrje, nuk ka nevojë të aplikojë për një vizë të re sa herë që dëshiron të vijë në SHBA. Afati i skadimit të vizës nuk duhet të ngatërrohet me kohëzgjatjen e autorizuar të qëndrimit në SHBA, e cila i jepet udhëtarit nga zyrtari i emigracionit amerikan në pikën e hyrjes. Kjo kohëzgjatje shënohet në Formularin I-94 ose Formularin I-94w (për ata që nuk kanë nevojë për vizë). Në disa raste thjesht vendoset një vulë në pasaportë që tregon kohëzgjatjen e autorizuar të qëndrimit. Pra, data e skadimit të vizës nuk ka të bëjë me kohëzgjatjen e autorizuar të qëndrimit në SHBA. Nëse nuk keni formular I-94 ose vula në pasaportë është e palexueshme, mund të kontrolloni kohëzgjatjen e qëndrimit tuaj të autorizuar në internet në faqen e internetit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare: https://i94.cbp.dhs.gov/I94/#/recent-search

Qëndrimi përtej afatit përfundimtar zakonisht sjell anulimin automatikisht të vizës. Megjithatë, nëse paraqisni në kohë një aplikim për zgjatjen e qëndrimit ose ndryshimin e statusit dhe ky aplikim është me baza reale dhe pritet të merret në shqyrtim, atëherë viza zakonisht nuk anulohet. Ju rekomandojmë që të aplikoni për shtyrje të afatit të lejes së qëndrimit të paktën 45 ditë përpara skadimit të këtij afati. Nëse një person ka aplikuar për ndreqje statusi, pra për t’u pajisur me green card, ai ose ajo duhet të kontaktojë USCIS-in për të marrë leje për të udhëtuar përpara se të largohet nga SHBA.

Nëse qëndroni në SHBA përtej afatit të lejes së qëndrimit, atëherë mund t’ju ndalohet kthimi dhe/ose mund të dëboheni (deportoheni) nga Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu mund t’ju kërkohet të aplikoni për një vizë të re në vendin që ju ka dhënë nënshtetësinë.

Mund të keni të drejtë të aplikoni për një zgjatje të periudhës së lejes së qëndrimit nëse:

    Ju kanë lejuar të hyni në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të ligjshme me vizë joemigruese; 

    Statusi aktual si joemigrant është ende i vlefshëm; 

    Nuk keni kryer ndonjë krim që ju bën person të papërshtatshëm për të marrë vizë;

    Nuk keni shkelur kushtet nën të cilat jeni lejuar në SHBA; dhe

    Pasaporta juaj është e vlefshme dhe do të mbetet e tillë gjatë të gjithë kohëzgjatjes së qëndrimit.

Për të aplikuar, duhet të plotësoni Formularin I-539, Application to Extend/Change Nonimmigrant Status dhe të paraqisni tarifën përkatëse prej 370 dollarë së bashku me dëshmitë fillestare të kërkuara si dhe dokumentacionin mbështetës. Pasi USCIS-i të marrë Formularin I-539, do t’ju vijë një letër që njofton marrjen e aplikimit. Ky njoftim përmban një numër të caktuar nëpërmjet të cilit mund të gjurmoni ecurinë si dhe kohën e parashikuar të procesimit të aplikimit të paraqitur. Në njoftim do të gjeni gjithashtu disa udhëzime mbi mënyrën se si mund ta përdorni këtë numër për të kontrolluar statusin e çështjes tuaj në faqen e internetit të USCIS-it.

Përpara se të regjistrohen për të ndjekur një kurs studimi, personat që kanë statusin B-2 duhet së pari të fitojnë statusin F-1 të studentit. Regjistrimi në një kurs studimi sa kohë keni status B-2 do të rezultonte në shkelje të statusit. Personat me status B-2, të cilët kanë shkelur statusin e tyre joemigrues duke u regjistruar në një kurs studimi, nuk kanë të drejtë të zgjasin statusin e tyre aktual ose ta ndryshojnë në status F-1. Për këtë nuk bëhet përjashtim për askënd. Inkurajojmë të gjithë studentët dhe studentët e ardhshëm të bashkëpunojnë ngushtë me personin që është caktuar nga shkolla për t’u marrë me këto çështje (OSSH), për të koordinuar kohën e aplikimit për ndryshimin e statusit me atë të regjistrimit në një kurs studimi.

Mund të aplikoni për të ndryshuar statusin aktual në status F-1 (studenti) në rast se: 

    Nuk jeni regjistruar ende në ndonjë kurs; 

    Statusi aktual nuk ka skaduar; dhe

    Nuk keni punuar në mënyrë të paligjshme (pa leje pune) në Shtetet e Bashkuara.

Për të ndryshuar statusin tuaj joemigrues nga B-2 në F-1, duhet të paraqisni një Formular I-539, Application to Extend/Change Nonimmigrant Status si dhe të përfshini tarifën e kërkuar dhe dokumentet e listuara në udhëzimet e formularit. Nevojitet ta ruani statusin tuaj B-2 sa kohë që Formulari juaj I-539 është në pritje për t’u shqyrtuar. Do t’ju duhet të paraqisni një Formular të dytë I-539, me një tarifë të veçantë, për të kërkuar një zgjatje të statusit tuaj B-2 nëse:

    Statusi juaj aktual skadon më shumë se 30 ditë përpara datës fillestare të fillimit të programit F-1. USCIS-i mund të miratojë kërkesën tuaj për ndryshim të statusit vetëm nëse e ruani statusin aktual B-2 deri në 30 ditë përpara datës fillestare të fillimit të programit që keni zgjedhur. Nëse statusi juaj do të skadojë më shumë se 30 ditë përpara datës fillestare të fillimit të programit tuaj F-1, ju duhet të paraqisni një formular të dytë I-539 për të kërkuar zgjatjen e statusit tuaj B-2. Nëse nuk e dorëzoni këtë kërkesë shtesë në kohë, USCIS-i do ta refuzojë kërkesën tuaj për të ndryshuar statusin në F-1. Për të vendosur nëse do t’ju duhet të paraqisni një kërkesë për të zgjatur statusin tuaj B-2, duhet të kontrolloni kohët e procesimeve të aplikimit.

    Data e fillimit të programit tuaj F-1 është shtyrë deri në periudhën ose semestrin akademik pasardhës, sepse USCIS-i nuk ka arritur të marrë një vendim për aplikimin tuaj për ndryshim statusi përpara datës së fillimit të programit F-1 që patët synuar fillimisht. Duhet të paraqisni një Formular të dytë I-539 në mënyrë që të mbushni hendekun kohor mes datës së skadimit të statusit tuaj aktual dhe periudhës 30 ditore që i paraprin datës së fillimit të programit të ri F-1.

Nëse nuk përmbushni kriteret për ndryshim statusi nga joemigrues në F-1 gjatë kohës që jeni në SHBA, atëherë mund të aplikoni për një vizë F-1 pranë një konsullate të SHBA-së.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]