Si të përgatiteni në rast ndalimi nga ICE

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Në vitin 2025, u raportuan shumë arrestime në gjykatat e emigracionit. Që prej pranverës së vitit 2026, arrestimet në gjykatat e emigracionit janë bërë më pak të zakonshme. Megjithatë, kjo situatë mund të ndryshojë sërish në të ardhmen. Për t’u informuar mbi atë që po ndodh në gjykatën tuaj specifike të emigracionit, përpiquni të gjeni një avokat ose një organizatë që mbështet emigrantët në zonën tuaj.

Në disa seanca gjyqësore është e domosdoshme prania fizike e të pandehurit, ndërsa disa të tjera mund të mbahen online. Nëse dëshironi, mund të kërkoni që seanca juaj, për të cilën është planifikuar që të paraqiteni fizikisht, të zhvillohet online, por kini parasysh që kërkesa mund edhe të mos ju miratohet. Nëse planifikoni të merrni pjesë fizikisht në një seancë në gjykatën e emigracionit, ja disa gjëra që duhet të dini përpara se të shkoni:

Mund të përpiqeni të gjeni një avokat që t’ju shoqërojë në seancën tuaj gjyqësore. Prania e një avokati nuk ju mbron domosdoshmërisht nga ndalimi apo mbajtja në paraburgim, por avokati është në gjendje të bëjë një përpjekje për të mbrojtur interesat tuaja. Edhe nëse nuk keni një avokat që t’ju shoqërojë në seancë, përpara zhvillimit të seancës mund të jetë e dobishme të konsultoheni paraprakisht me një avokat për çështjen tuaj specifike.

Gjithashtu, nuk do të ishte ide e keqe nëse do t’i kërkonit një miku ose një anëtari të familjes që është nënshtetas i Shteteve të Bashkuara, që t’ju shoqëronte në seancën gjyqësore jo vetëm në shenjë mbështetjeje, por edhe për të lajmëruar të afërmit ose njerëz të tjerë që njihni, nëse do t’ju ndalonin dhe mbanin në paraburgim. Personat shoqërues do të ishte mirë të merrnin me vete edhe një dokument që vërteton nënshtetësinë e tyre amerikane. Do të ishte gjithashtu në dobinë tuaj nëse këta persona do të dinin të flisnin anglisht.

Nëse po aplikoni për azil, mund të merrni me vete një kopje të vulosur të aplikimit tuaj për azil, ose mund të përgatisni një aplikim për azil për ta paraqitur gjatë seancës. Paraqitja e provave që tregojnë se po aplikoni për azil nuk ju mbron nga ndalimi, por mund t’ju ndihmojë të argumentoni para gjykatësit se jeni i gatshëm të vazhdoni ndjekjen e çështjes suaj.

Nëse keni ndonjë aplikim në pritje për vendim pranë USCIS-it që nuk është kërkesë për azil (për shembull, një aplikim për green card përmes martesës), mund të merrni me vete një kopje të njoftimit që dëshmon që kërkesa ju është pranuar. Nëse keni fëmijë që janë nënshtetas amerikanë, merrni me vete një kopje të certifikatave të tyre të lindjes. Këto dokumente nuk ju mbrojnë nga arrestimi, por janë fakte të dobishme të cilat gjykatësi mund t’i marrë në konsideratë.

Përpara se të shkoni në gjykatë, hani një vakt të bollshëm dhe pini shumë ujë. Nëse ju ndalojnë, mund t’ju duhet të kaloni shumë orë përpara se të keni mundësi të hani përsëri. Vishuni me rroba të rehatshme dhe merrni me vete një pulovër ose xhaketë, pasi qendra e paraburgimit mund të jetë e ftohtë.

Mësoni përmendësh numrin e telefonit të paktën të një personi të besuar ose shkruajeni numrin e tij në krah, në mënyrë që të mund ta telefononi nëse, për cfarëdolloj arsyeje, mund të mos jeni në gjendje të përdorni telefonin tuaj. Pyeteni atë person nëse mund t’ju ndihmojë në rast emergjence (për shembull, duke marrë fëmijët nga shkolla). Sigurohuni që ai person të dijë emrin tuaj të plotë, numrin tuaj A (A-number), datën dhe vendin tuaj të lindjes, si dhe të jetë në dijeni të vendit ku i mbani dokumentet tuaja të rëndësishme. Nëse keni një avokat, sigurohuni që personi në fjalë të dijë se si ta kontaktojë avokatin tuaj.

Nëse nuk paraqiteni në seancën tuaj gjyqësore, ka shumë të ngjarë që gjykatësi të lëshojë kundër jush urdhër dëbimi.

Nëse ndaloheni, ka persona që arrijnë të sigurojnë lirimin nga arrestimi përmes një seance ku kërkohet lirim me kusht kundrejt pagesës  (bond hearing) ose përmes një peticioni habeas corpus.

Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com