Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Shërbimi i Emigracionit dhe Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) ka përditësuar kohët e fundit manualin e rregullave që kanë të bëjnë me kriteret në bazë të cilave vendoset nëse një çështje duhet të trajtohet ose jo në mënyrë të përshpejtuar. Mund t’i kërkoni USCIS-it të përshpejtojë marrjen e vendimit për kërkesën që keni paraqitur për benefite emigracioni (kërkesa mund të jetë një aplikim ose një peticion).
USCIS-i i shqyrton të gjithë kërkesat për proçedurë të përshpejtuar në bazë të meritave që kanë secila prej tyre. Aplikantët mund të paraqesin dokumenta në mbështetje të kërkesës që kanë paraqitur. USCIS-i ushtron pushtetin e tij diskrecional për të vendosur nëse duhet ta aprovojë apo ta hedhë poshtë kërkesën.
USCIS-i mund të marrë në konsideratë një kërkesë për proçedurë të përshpejtuar në ato raste kur ajo përmbush një ose më shumë nga kriteret apo rrethanat e mëposhtme:
- Humbje të rëndë financiare për një kompani apo individ, gjithnjë nëse nevoja për ndërhyrje urgjente nuk ka lindur për shkak se aplikanti apo peticioneri nuk ka arritur: (1) ta paraqesë në kohë kërkesën për benefite; ose (2) t’i përgjigjet në kohë ndonjërës prej kërkesave për dokumentacion shtesë;
- Raste urgjente dhe arsye urgjente të natyrës humanitare;
- Organizatat jofitimprurëse (të cilësuara të tilla nga Internal Revenue Service (IRS)) të cilat kërkojnë të çojnë përpara interesat shoqërore dhe kulturore të Shteteve të Bashkuara; interesat e vetë qeverisë amerikane (ku përfshihen rastet urgjente në agjencitë federale si Departamenti amerikan i Mbrojtjes, Departamenti amerikan i Punës, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) apo interesa që lidhen me sigurinë publike apo atë kombëtare); ose
- Qartazi një gabim nga ana e USCIS-it.
Jo çdo rrethanë që bën pjesë në njërën nga kategoritë e lartpërmendura çon domosdoshmërisht në një proçedurë të përshpejtuar.
Humbja e madhe financiare si shkak për ta trajtuar çështjen në mënyrë të përshpejtuar.
Thjesht nevoja për të nxjerrë autorizimin për të punuar, pa prova faktorësh të tjerë me interes nuk garanton aprovimin e një proçedure të përshpejtuar. Humbja e vendit të punës mund të mjaftojë për të dëshmuar humbje të rënda financiare, gjithnjë në varësi të rrethanave të personit në fjalë. Për shembull, paaftësia për të udhëtuar për në punë që mund të çonte në humbjen e vendit të punës mund t’ju garantojë një përshpejtim të proçedurës. Gjithashtu, përbën humbje të rëndë financiare rasti kur mospërshpejtimi i proçedurës do të sillte një humbje të përfitimeve publike të një rëndësie kyçe.
Të gjitha kërkesat për përshpejtim që pretendojnë humbje të rënda financiare, pavarësisht se për çfarë përfitimi nga emigracioni bëhet fjalë dhe pavarësisht nëse humbjen e përjeton një individ apo kompani, duhen të jenë të dokumentuara mirë në mënyrë që të provohet që personi që ka paraqitur kërkesën nuk është në gjendje të përballojë humbjen e përkohshme financiare që vjen si pasojë e natyrshme e kohës normale të proçesimit të çështjes. Një kompani mund të demonstrojë që mund të ketë humbje të rëndë financiare nëse rrezikon të humbasë një kontratë të rëndësishme ose i kërkohet të bëjë shkurtime të numrit të punonjësve. Për shembull, një klinikë mjekësore mund të bjerë pre e një humbjeje të rëndë financiare nëse një “hendek” në autorizimin e punës së një mjeku do të nënkuptonte largimin nga puna të ndihmësmjekëve.
USCIS-i zakonisht nuk i merr në konsideratë kërkesat për proçedura të përshpejtuara për ato peticione dhe aplikime që mund të shfrytëzojne shërbimin me përparësi që njihet si Premium Processing Service. Gjithsesi, një peticioner që është cilësuar nga IRS si organizatë jofitimprurëse dhe aktiviteti i të cilit shërben për të çuar përpara interesat social-kulturore të Shteteve të Bashkuara mund të kërkojë që benefiti për të cilin ka bërë kërkesë të përshpejtohet pa paguar tarifë, madje dhe atëherë kur mund të përfitojë nga shërbimi me përparësi premium processing. Hedhja poshtë e një kërkese të tillë është në diskrecionin e USCIS-it. Po ky peticioner mund të kërkojë të përfitojë gjithashtu edhe nga shërbimi me përparësi premium processing si çdo peticioner tjetër në rast se vendos të veprojë kështu.
Proçedura e përshpejtuar për kërkesat për përfitim që vijnë nga jo-nënshtetasit ndaj të cilëve është lëshuar urdhër përfundimtar deportimi apo jo-nënshtetasve që janë në proces deportimi kordinohet mes USCIS-it dhe ICE-it (agjencia federale që merret me mbrojtjen e kufijve). Për të rritur efikasitetin në shqyrtimin dhe procesimin e kërkesave për proçedura të përshpejtuara, USCIS-i nuk ofron justifikime ose përgjigje që lidhen me vendimet që ka marrë mbi këto lloj kërkesash.
Zakonisht mund të bëni kërkesa për proçedura të përshpejtuara duke kontaktuar qendrën e kontaktit të USCIS-it në numrin 1-800-375-5283 (TTY për personat me probleme dëgjimi, apo për ata që kanë probleme me të folurin: 1-800-767-1833) ose, pasi të keni marrë njoftimin që kërkesa juaj është marrë nga emigracioni, duke pyetur Emma-n. (Për këtë qëllim, në faqen përkatëse, në të djathtë lart mund të klikoni tek “Ask Emma”). Qendra e kontaktit e USCIS-it nuk do të jetë në gjendje t’ia kalojë kërkesën për proçedurë të përshpejtuar zyrës përkatëse nëse nuk ka atë që njihet si receipt number. Kur telefononi për të kërkuar proçedurë të përshpejtuar, qendra e kontaktit të USCIS-it krijon dhe më pas ia kalon kërkesën zyrës që ka juridiksion mbi aplikimin apo peticionin tuaj.
Pasi të ketë marrë kërkesën për kryerjen e shërbimit, zyra që merret me shqyrtimin e kërkesës mund të kërkojë dokumentacion shtesë në mbështetje të proçedurës së përshpejtuar. Një vendim mbi një kërkesë për përshpejtim nuk është as aprovim dhe as refuzim i kërkesës për benefitin që keni kërkuar fillimisht. Vendimi lidhur me kërkesën për përshpejtim thjesht i bën të ditur personit që ka paraqitur kërkesën nëse USCIS-i do ta nxjerrë kërkesën për benefitin në fjalë nga radha e zakonshme dhe do të marrë një vendim lidhur me këtë kërkesë (aprovim ose refuzim) më shpejt se sa po të ndiqej proçedura normale.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]