Si u gjet Navalny në burgun e ashpër, të njohur si “ujku polar”, në Harp?

I njohur si “Ujku polar”, regjimi i ashpër i burgut, të cilit i është nënshtruar politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, është vend ku uji është instrument torture.

“Në dimër, të burgosurit mund të dërgohen lehtësisht me rroba të lehta në oborrin e burgut” ka thënë aktivistja për të drejta të të burgosurve, Olga Romanova, duke e marrë për bazë një dëshmi të dhënë prej një burri që është liruar prej burgut “Ujku polar”, të njohur zyrtarisht si IK-3, më 2018.

“Ata janë mbajtur në grup dhe nuk janë lejuar që t’i bëjnë bashkë duart për t’i ngrohur. Ata kanë qëndruar 30-40 minuta pa lëvizur kur temperatura ka qenë -45 gradë Celsius, apo më e ulët. Nëse një person ka lëvizur, i gjithë grupi është spërkatur me ujë.

“Në pranverë është tortura e re”, ka thënë ajo.

“Mushkonja dhe insektet tjera. Nëse dikush lëviz një dorë, zhytet në ujë. Ata më pas mund ta zhysin gjithë grupin në ujë”.

Pasi ka kaluar 19 ditë pa asnjë komunikim, gjatë transferimit nga burgu në rajonin Vlladimir, Navalny e ka konfirmuar arritjen në IK-3 – zonë në veri të Siberisë – më 26 dhjetor, një ditë pasi avokatët kanë arritur ta vizitojnë.

Navalny është duke vuajtur një dënim prej 19 vjetësh nën akuzat për ekstremizëm.

Ai dhe mbështetësit e tij besojnë se kritiku i Kremlinit po persekutohet me qëllim të ndaljes së aktivitetit politik.

Grupi ndërkombëtar për të drejta të njeriut, Amnesty International, grupi i ndaluar rus për të drejta të njeriut, Memorial, dhe të tjerët, e konsiderojnë atë si të burgosur politik.

Periudha e gjatë e Navalnyt pa informacione pati rritur alarm global, sepse hera e fundit që ishte dëgjuar për të, kishte qenë 5 dhjetori, kur ai ishte sëmurë në qeli, për shkak të kushteve të rënda në të cilat kishte jetuar.

Shumë seanca dëgjimore që janë kërkuar prej tij, për t’u ankuar për kushtet e jetesës, janë shtyrë.

Avokatët dhe mbështetësit kanë nisur fushatë të madhe për ta gjetur Navalnyn, duke kërkuar informacion për të prej burgjeve dhe qendrave tjera të ndalimit nëpër Rusi.

“Kemi kryer punë ligjore masive”, ka thënë Ivan Zhdanov, drejtor i Fondacionit Kundër-Korrupsionit, të themeluar prej Navalnyt.

Fondacioni i Navalnyt është shpallur ekstremist prej shtetit dhe i është ndaluar puna në Rusi.

“Ne kemi nisur kërkesa, kemi vizituar shumë burgje, duke i eliminuar mundësitë një nga një. Vetëm tani e kuptoj sa shumë punë është bërë, por në fund ja kemi arritur qëllimit”, ka thënë Zhdanov.

Në një postim në rrjetet sociale më 26 dhjetor, Navalny ka thënë se ai ka arritur në “Ujkun polar”, i cili njihet si një prej burgjeve më të ashpra në Rusi, dhe ka treguar se është tronditur kur më 25 dhjetor e kanë kontaktuar rojet duke i thënë që një avokat i ka ardhur në vizitë.

‘Jeni në purgator’

“Sapo të kaloni pragun ta bëjnë me dije se jeni në purgator, ku nuk keni asnjë të drejtë dhe askush nuk mund të ankohet”, ka thënë regjisori ukrainas, Oleh Sentsov, i cili i ka kaluar tetë vjet në burgun e ngjashëm IK-8 (“Ariun polar”), nën akuzat për terrorizëm.

“Rrahjet, poshtërimet, shoku elektrik, mbajtja në qeli të ftohta me rroba të lagura – por këto nuk janë më e keqja…ju kërkohet të mbylleni sikurse në pozitën e fetusit në një kuti të hekurt, dhe me vështirësi mund të merrni frymë dhe duhet të urinoni veten… ata shpesh kërcënojnë edhe me dhunime apo me bullizime tjera”.

Rreth 2.000 kilometra në verilindje të Moskës, IK-3 mban rreth 1.050 të burgosur.

Aktivistët për të drejta të njeriut tregojnë se aty ka vrasës serikë, dhunues, pedofilë, recidivistë, dhe persona tjerë të dënuar për krime serioze, të dënuar me mbi 20 vjet burgim.

Në disa raste, sikurse ai i Navalnyt, qeveria i dërgon të dënuarit që konsiderohen të burgosur politikë.

Platon Lebedev, ish-partner biznesi me Mikhail Khodorkovskyn, i cili është dënuar për evazion fiskal, dhe akuza tjera, pas shpërbërjes së gjigantit të naftës, Yukos, ka kaluar rreth dy vjet në burgun IK-3 në fillim të viteve 2000.

Burgu është themeluar më 1961 prej ish-rrjetit Gulag të dikatorit Josef Stalin.

Zona përreth, me 5.000 banorë, ka ofruar kryesisht shërbime të strehimit për punëtorët e burgut.

“E gjitha që ju duhet është një hartë dhe të shihni që ky është burgu më i ashpër”, ka thënë Zhdanov për Radion Evropa e Lirë.

“Lokacioni tregon se kushtet atje janë shumë të rënda. Navalny do të jetë të paktën për një vit në qeli, me pak zonë për stërvitje, dhe as nuk do të mund të shohë dritën e diellit”.’

Ai ka treguar se pjesën më të madhe të vitit nuk ka fluturime në atë hapësirë ajrore, dhe qasja me trena është shumë e vështirë dhe e kufizuar.

Shërbimet postare nuk e mbulojnë burgun IK-3.

“Nuk mund ta dini kurrë nëse ka arritur letra”, ka thënë ai.

“Apo nëse pranuesi i letrës ka pasur mundësi të përgjigjet. Natyrisht, kjo ka qenë arsyeja pse e kanë çuar Navalnyn aq larg”.

Për më shumë, operatori për thirrje telefonike, Zonatelekom, e ka ndalur punën në IK-3 në kohën kur ka arritur Zelensky.

“Deri sot, Zonatelekom ka punuar mirë në IK-3”, ka thënë Romanova më 25 dhjetor.

“Aq sa di, ata e kanë ndalur punën sot. Shpresoj se është problem teknik, mirëpo më duket një rastësi e çuditshme”.

Derisa ekipi i Navalnyt ka qenë duke e kërkuar atë, ata e kanë mësuar që drejtori i Shërbimit Federal të Burgjeve, Arkady Gostev, e ka vizituar burgun më herët gjatë vitit.

Ai e ka vizituar edhe një burg të afërt, me regjim të njëjtë, IK-18 (“Huti polar”).

“Ka qenë shumë e pazakonshme një vizitë e tillë prej kreut të agjencisë”, ka thënë Zhdanov.

“Nuk është normale që ai të vizitojë burgjet, sidomos ato të largëta, në veri të Qarkut të Arktikut. Ka shumë mundësi që ky udhëtim ka qenë përgatitje për të dërguar Aleksei Navalnyn aty në të ardhmen e afërt. Ata e kanë fshehur informacionin për dërgimin e tij, në mënyrë që ta mbajnë të fshehtë këtë vendim, aq sa të kenë mundësi”.

Në një postim në X, të njohur më parë si Twitter, aktivisti për të drejta të njeriut, Sergei Davidis, ka thënë më 25 dhjetor se “nuk duhet të ketë më burgje në Harp”.

“Nuk ka asnjë logjikë për ekzistencën e tyre, përveç vuajtjeve të mëdha të të dëbuarve dhe humbjes së fondeve buxhetore”, ka shkruar ai.

(REL)