Prishtinë, 20 nëntor 2025 – Vetëm liderët e dy partive politike kanë reaguar publikisht lidhur me vendimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka mirëpritur caktimin e kësaj date, Ai e ka cilësuar 28 dhjetorin si “datën më të përshtatshme”, duke shtuar se në këtë datë pritet që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë më e madhe se në periudha të tjera kohore.
“Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se kjo parti kishte kërkuar që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen më 21 dhjetor, por, pavarësisht kësaj, partia është e gatshme për zgjedhje.
“Edhe pse në konsultimet tona ne i dhamë argumentet pse 21 dhjetori do të ishte më i drejtë, vendimi është marrë, data është caktuar. Tani është koha që të shikojmë përpara. PDK është e gatshme, me ekip, me program dhe me vizion”, tha Hamza në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale.
Liderët e partive tjera politike, përfshirë ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk janë deklaruar ende lidhur me datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Por, eksponentë të këtyre partive, në rrjetet sociale, e kanë cilësuar 28 dhjetorin si datë që më së shumti i shkon për shtati Lëvizjes Vetëvendosje, e cila llogarit në votat e mërgimtarëve, duke pasur parasysh votat që kjo parti i ka marrë me postë nga mërgimtarët në zgjedhjet e kaluara.
Presidentja Osmani njoftoi se tetë parti parlamentare ishin për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 28 dhjetor, pesë parti preferonin që këto zgjedhje të mbahen më 21 dhjetor, kurse tri parti kanë thënë se ishin për cilëndo nga këto dy data.
“21 dhe 28 dhjetor janë datat që mund të bëhen sipas Kushtetutës. Tetë parti janë deklaruara për datën 28, pesë parti për datën 21 dhe 3 parti për cilën do datë. Data 28 dhjetor kam vlerësuar që mbetet data e vetme e mundshme, edhe pse kjo datë do të ketë edhe sfida për KQZ-në”, tha ajo.
Presidentja e caktoi datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas shpërndarjes së Kuvendit. Ajo tha se shpërndarjen e Kuvendit e bëri pasi udhëheqësit politikë nuk arritën asnjë marrëveshje që në Kuvend të votohen sot disa vendime dhe marrëveshje me rëndësi për vendin.
“Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
(r.m.)