Silvinjo publikoi listën e futbollistëve të Shqipërisë për Euro 2024

Tiranë, 27 maj 2024 – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur me emrin Silvinjo, e ka bërë sot publike listën e futbollistëve që i ka grumbulluar për fazën përgatitore dhe për pjesëmarrje në kampionatin evropian të futbollit, Euro 2024.

Ashtu siç pritej, lista përbëhet kryesisht nga futbollistët që kanë luajtur në ndeshjet e fazes kualifikuese në të cilat u sigurua pjesëmarrja e Shqipërisë në  garën më prestigjioze të futbollit në Evropë.

Megjithatë, bie në sy se në listën e 27 futbollistëve të përzgjedhur nga Silvinjo mungojnë emrat e tre lojtarëve që kanë luajtur në shumicën e ndeshjeve të fazes kualifikuese, si: Cikalleshi, Uzuni e Bare.

Por, në këtë listë gjenden edhe tre futbollistë që nuk kanë luajtur në ndeshjet e fazes kualifikuese. Dy prej tyre (portieri Simon SImoni dhe mesfushori Medon Berisha) janë ftuar për herë të pare, ndërsa I treti (Amir Abrashi) kthehet në kiombëtare pas një kohe të gjatë.

LISTA:

PORTIERË: Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Simon SImoni

MBROJTËS: Naser Aliji, Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Mario Mitaj

MESFUSHORË: Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Ylber Ramadani

 SULMUES: Jasir Asani, Armando Broja, Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Rei Manaj Manaj, Taulant Seferi.

Trajneri Silvinjo, në një konferencë për medie, tha se përzgjedhja është bërë në bazë të analizës së hollësishme të profilit të secilit futbollist dhe të taktikave që pritet të aplikohen gjatë Euro 2024.

“Zgjedhja jonë është bazuar më shumë në studim e analizë të karakteristikave individuale dhe kolektive të çdo lojtari dhe çdo skenari që do të ndeshim në kompeticion. Është përgjegjësi e trajnerit t’i zgjedhë lojtarët.Për fat të keq, nuk mund t’i marr të gjithë. Jam munduar të bëj më të mirën”, tha ai.

“Sigurisht, puna me një kombëtare është ndryshe nga puna me klube. Ne i patëm dy ndeshje miqësore në muajin mars dhe ua dhamë mundësinë disa lojtarëve të cilëve nuk u ishte dhënë më përpara, deshëm t’i provonim. Në miqësore i bëmë disa testime dhe I provuam disa lojtarë që donim t’i provonim… Nuk kemi shumë kohë për të bërë eksperimente. E theksoj edhe një herë që finalet e Europianit janë diçka krejtësisht tjetër, të ndryshme nga kualifikueset, në të cilat ke 10 muaj kohë të provosh. Në fazën finale të europianit çdo lojtar duhet të jetë i përgatitut 100 ër qind”, tha Silvinjo.

Ai e ka shpjeguar edhe rikthimin e Abrashit në gruymbullim për europianin.

“Abrashi është një lojtar që ka luajtur në Euro 2016. Është i vetmi mesfushor që ka luajtur në Europian. Ai na e sjell eksperiencën, shpirtin dhe grintën që e ka kjo skuadër”, është shprehur Silvinjo.

Ai ka shpjeguar edhe arsyet për thirrjen e Berishës.

“Ka një vit që e ndjekim Berishën dhe e ftuam sepse, sipas nesh, ai është profili që na duhet”, ka thënë trajneri i kombëtares së Shqipërisë.

 Silvinjo e ka shpjeguar edhe situatën me Arbnor Muçollin, i cili ishte i ftuar në ndeshjet miqësore të marsit.

“Unë do të doja ta kisha Muçollin, por kam folur me të dhe ka pasur një dëmtim”, ka thënë ai, duke shtuar se ai ka folur edhe me 3-4 lojtarë të tjerë të cilët nuk janë ftuasr sepse nuk janë mirë fizikisht.

Silvin jo është pyetur edhe për pritjet e tij nga Euro24.

“Ne do të shkojmë të luajmë. E njohim forcën e kundërshtarëve. Ata nuk shkojnë për të luajtur, por për ta fituar europianin. Por, ne duhet të besojmë në grupin, në shpirtin e skuadrës. Me këtë shpirt duhet të shkojmë në europian”, është shprehur ai.

“Ne duhet të shkojmë në europian për të luftuar për çdo pike. Ky është shpirti i skuadrës sonë. Fubtolli është i bukur dhe mund të ndodhë gjithçka”, ka theksuar ai, duke kujtuar se në Euro2024 marrin pjesë kombëtaret më të mira të Europës dhe botës.

Kampionati europian i futbollit mbahet në Gjermani, prej 14 qershorit deri më 14 korrik. Në këtë kampionat do të marrin pjesë 24 ekipe kombëtare, të ndara në 6 grupe (A, B, C, D, E, F). Shqipëria gjendet në grupin B, së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Të tria këto kombëtare shkojnë në kampionat me ambiciet më të mëdha.

Por, siç tha Silvinjo, në futboll mund të ndodhë gjithçka.-  

(r.m.)