Prishtinë, 30 maj 2023 – Një ditë pasi ekipet e mediave regjistruan dhe publikuan shkronjën “Z” në veturat e Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it, gjatë tensioneve në veri të Kosovës, Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politikë të serbëve heshtin.
Mes tensioneve në veri të Kosovës, më 29 maj, ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL) dhe disa media të tjera regjistruan dhe publikuan fotografi ku shihet një nga simbolet kryesore të pushtimit rus të Ukrainës, Z, e shkruar me ngjyrë në veturat e Policisë së Kosovës dhe ato të forcave të NATO-s.
Nuk është ende e qartë se kush është përgjegjës për shkrimin e tyre në kohën kur po ndodhin tensione, ndër më të mëdhatë, në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.
Ekipet e mediave regjistruan simbole të tilla gjatë protestës së banorëve serbë para Komunës së Zveçanit.
Lista Serbe dhe Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën nuk janë distancuar nga shkrimi i simbolit “Z” në veturat e Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it në veri të Kosovës, e as nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it.
E gjithë kjo u përcoll nga afër nga kanalet pro-ruse dhe ruse në platformën Telegram.
Zyrtarët në Serbi, ndryshe nga ata në Kosovë, e vlerësojnë Rusinë si një vend mik dhe mbajnë marrëdhënie të ngushta. Serbia është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe pavarësisht thirrjeve të shumta të Perëndimit, Beogradi zyrtar refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Sipas Naim Leo Beshirit, nga Instituti joqeveritar i Beogradit për Çështje Evropiane, simboli “Z” e minon edhe më shumë konfliktin mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
“Ai veprim paraqet një akt të papranueshëm të mbështetjes së sjelljes agresive”, thotë Beshiri.
Artan Muhaxhiri, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfshirja e agjendës pro-ruse në këtë mënyrë, siç shprehet ai, mund të zvogëlojë gatishmërinë tashmë të zbehtë të politikanëve serbë për të bashkëpunuar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt arritjes së një rezultati në dialog.
“Rusia ka nevojë për një situatë të ndërlikuar”
Ngjyrosjen e shkronjës “Z” në veturat e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it Artan Muhaxhiri e sheh si mbrojtje politike kolektive.
“Identifikimi vizual me një fuqi më të madhe, siç është Rusia, është një mënyrë simbolike për të ndërtuar vetëbesim dhe vetësugjerim se kjo popullsi (serbët) është pjesë e rëndësishme e një mozaiku më të madh gjeopolitik”, shpjegoi Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, ai thotë se aktivitete të tilla mund të rezultojnë të paefektshme dhe mund të kthehen vetëm në një “performancë artistike të motivuar politikisht”.
Muhaxhiri thekson se Rusisë “i duhet” situata e komplikuar në Kosovë për të “ruajtur shpresat” se do të jetë e pranishme në tryezën ku do të merret vendimi për “marrëveshjen përfundimtare historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Një prani e fortë ruse mund të dobësojë pozitën e Serbisë, sepse do të zvogëlojë disa nga përfitimet afatgjata dhe përparimin në nivele të ndryshme socio-ekonomike”, thekson ai.
“Z” – kundër Kushtetutës së Serbisë dhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve
Naim Leo Beshiri thotë për Radion Evropa e Lirë se shkrimi i shkronjës “Z” është në kundërshtim me vlerat e shpallura me Kushtetutën e Serbisë. Sipas tij, kjo është në kundërshtim me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2012.
“Është çdo ditë e më e qartë që Qeveria e Serbisë dhe presidenti i Serbisë janë të vendosur të mos vënë sanksione ndaj Rusisë — ata në fakt inkurajojnë të gjithë ata që jo vetëm pajtohen me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, por edhe e mbështesin atë”, thekson Beshiri.
Beshiri rikujton se agresioni rus kundër Ukrainës “tashmë ka shkaktuar vuajtje të mëdha dhe e ka destabilizuar rajonin”.
Në kontekstin e paraqitjes së shkronjës “Z” në veri të Kosovës, sipas tij, duhet pasur parasysh fakti se Serbia dhe Kosova po hyjnë në fazën e fundit të dialogut, kur duhet të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme.
“Është e qartë se mbi të gjitha forcat pro-ruse që i kemi në Serbi dhe në veri të Kosovës duan të destabilizojnë gjithçka për të cilën është rënë dakord deri më tani”, nënvizon Beshiri.
Zyrtarët e Kosovës kanë paralajmëruar vazhdimisht se bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Rusisë përbën kërcënim për sigurinë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në fillim të janarit se ka kërkuar shtim të numrit të forcave të NATO-s në Kosovë, për shkak të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.
Mesazhet nga Kremlini
Interesim për ngjarjet në veri të Kosovës më 29 maj ka shfaqur edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili ka deklaruar se situata në Kosovë është “e papranueshme, e tensionuar dhe shqetësuese”, njoftoi agjencia shtetërore ruse RIA Novosti.
Lavrov me këtë rast ka akuzuar edhe një herë Perëndimin, pavarësisht faktit se BE-ja dhe SHBA-ja janë ndërmjetësuese në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës dhe se kanë bërë thirrje për qetësimin e tensioneve.
Në deklaratë, Lavrov tërhoqi një paralele mes Kosovës dhe gadishullit ukrainas të Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014, kur sanksionet e BE-së dhe SHBA-së u vendosën ndaj saj.
Ai deklaroi, gjithashtu, se “një shpërthim i madh po përgatitet në qendër të Evropës”.
Ai nuk specifikoi se për çfarë lloj “shpërthimi” e kishte fjalën.
Moska zyrtare ka theksuar vazhdimisht se avokon për status quo-në kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Z” – motiv i shpeshtë në protestat e krahut të djathtë në Serbi
Simboli i pushtimit rus të Ukrainës është një motiv i shpeshtë në protestat e organizuara nga lëvizjet dhe organizatat e krahut të djathtë në Serbi.
Këto lëvizje dhe organizata e mbështesin publikisht regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe pushtimin rus.
Së bashku me shkronjën “Z”, në protesta ishin të dukshme edhe shenjat e ushtrisë mercenare ruse Wagner, e cila ka marrë pjesë aktive në operacionet ushtarake të Moskës në Kiev që nga shkurti i vitit 2022.
Këto organizata dhe lëvizje kundërshtojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për të cilën u pajtuan presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ohër.
Siç ka raportuar më parë REL-i, disa prej tyre kanë udhëtuar për në Rusi pas pushtimit dhe disa kanë vizituar selinë e Wagner-it.
(REL)