Siria e njeh pavarësinë e Kosovës

Riad, 29 tetor 2025 – Siria, vend në Lindjen e Mesme, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të mërkurën, njoftuan zyrtarë nga të dyja vendet.

Vendimi për njohjen e Kosovës nga Siria u publikua të mërkurësn, pas një takimi trepalësh të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidentit të Republikës Arabe të Sirisë, Ahmed Al-Sharaa, në Riad të Arabisë Saudite.

“Republika e Kosovës e mirëpret përzemërsisht njohjen nga Siria dhe deklaratën e Mbretërisë së Arabisë Saudite lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika Arabe e Sirisë”,  shkroi Presidentja Osmani në Facebook.

“Republika e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të thellë për vendimin e Republikës Arabe të Sirisë për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe i shpreh falenderimet e saj Presidentit Ahmed al-Sharaa për lidershipin e tij dhe mbështetjen për popullin e Kosovës”, shtoi ajo.

“Ky është vërtet një vendim me rëndësi historike për të dy shtetet, Kosovën dhe Sirinë, i bazuar në respektin e ndërsjellë për luftën e gjatë për liri, në njohjen reciproke të sovranitetit, integritetit territorial dhe përkushtimit për bashkëpunim dypalësh dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, theksoi Presidentja e Kosovës.

Ajo e falënderoi Princin e Kurorës dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, i cili e mbështeti njohjen e Kosovës nga Siria.

“Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud. Lidershipi dhe vizioni i tij e kanë bërë rezultatin e këtij takimi trepalësh një moment historik për popullin e Kosovës dhe për popullin e Sirisë”, tha ajo.

Presidentja Osmani e cilësoi marrëveshjen për njohjen e Kosovës nga Siria edhe si “njohje të vuajtjeve dhe sakrificës së popujve tanë për liri, si dhe shenjë e përkushtimit më të lartë për të mbështetur njëri-tjetrin në arenën ndërkombëtare dhe përmes marrëdhënieve dypalëshe”.

Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Sirisë tha se vendimi për njohjen e Kosovës “buron nga bindja e Sirisë në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe nga angazhimi i saj për promovimin e parimeve të paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë”.

“Kjo vendimmarrje është pjesë e politikës së Sirisë që synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit dhe hapjes ndaj vendeve mike, në një mënyrë që shërben interesave të përbashkëta dhe forcon lidhjet e miqësisë midis popujve”, thuhet në njoftim të kësaj Ministrie në X.

“Siria pret me padurim vendosjen sa më të shpejtë të marrëdhënieve diplomatike ne Kosovën dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në mënyrë që të shërbejë interesave të përbashkëta të të dyja vendeve dhe popujve miqësorë”, thuhet në deklaratë.

(r.m.)