Prishtinë, 1 mars 2026 – Tri ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, partitë kryesore nuk kanë arritur pajtim për një kandidat që do ta kishte mbështetjen e shumicës së nëevojshme në kuvend.
Liderët e tri partive më të mëdha shqiptare në Kuvend duket se janë larg një marrëveshjeje për propozimin e një kandidati konensual, siç ishin shprehur javën e kaluar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili është takuar për këtë qëllim me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se tash për tash nuk duket të ketë gjasa për gjetjen e një kandidati që do të votohej nga shumica në Kuvend.
Të dielën, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ai ka thënë se është e mundur që partitë politike të propozojnë secila nga një kandidat partiak për president.
“Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë, një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda kuvendit”, ka thënë ai.
Por, Kurti nuk ka thënë se cila apo cili do të jetë kandidati i partisë së tij për president të ardhshëm. Ai ka thënë se procesi i përzgjedhjes së një kandidati të përbashkët ka ngelur në vend, për shkak se Murat Jashari nuk ka pranuar të kandidohet.
“Një figurë e tillë e padiskutueshme për të gjithë, padyshim se do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari. Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se figurë, e profesor, e personalitet si Murat Jashari do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nderë për republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka paralajmëruar se kjo parti do të propozojë kandidatin e saj për president, pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në.
Hamza ka treguar se të shtunën, në takimin e dytë me Kurtin, ka kërkuar që në Kuvend të dërgohen për votim dy kandidatë të PDK-së. Sipas tij, PDK vlerëson se zgjedhja e presidentit nga partia më e madhe opozitare do të siguronte një balans politik në udhëheqjen institucionale të vendit.
Kurti ka paralajmëruar se të hënën do ta ketë edhe një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, pavarësisht se votat e deputetëve të kësaj partie nuk kanë ndonjë peshë në procesin e zgjedhjes së presidentit, pa vota të ndonjërës nga partitë tjera shqiptare në opozitë.
Për zgjedhjen e presidentit Kosovës, sipas kushtetutës, në dy votimet e para nevojiten 81 vota, kurse në votimin e tretë nevojiten 61 vota, me kusht që në votim të marrin pjesë 81 deputetë.
Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, kurse bashkë me partitë e kominiteteve që janë pjesë e koalicionit qeverisës, llogaritet t’i ketë 66 deputetë. Kështu, në ratin më të mirë, në votimin për kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje dohet të marrin pjesë edhe së paku 15 deputetë, të cilët mund t’i sigurojnë vetëm PDK-ja, LDK-ja dhe Lista Serbe. Kjo e fundit është krejtësisht jashtë loje, për shkak se kundërshton kategorikisht çfarëdo marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje,
Sipas Kushtetutës, kandidatët për president duhet të marrin paraprakisht mbështetjen e së paku 30 deputetëve. Zgjedhja e presidentit të Kosovës bëhet me votim të fshehtë për së paku dy kandidatë
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill. Sipas Kushtetutës, zgjedhja e pasardhësit të saj duhet të bëhet 30 ditë para kësaj date, pra deri më 4 mars.
Në qoftë se deri atë ditë nuk zgjidhet presidenti apo presidentja e ardhshme, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të jashtëzakonnshme, të cilat duhet të mbahen brenda 60 ditësh.
Deri në zgjedhjen e presidentit të ri, detyrën e presidentit e ushtron kryetari i Kuvendit. Në mungesë të tij, detyrën e presidentit mund ta ushtrojë deri në 6 muaj edhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
(r.m.)