Prishtinë, 5 qershor 2025 – Asgjë e re nga Kuvendi i Kosovës.
Edhe të enjten, pas vetëm pak minutash, kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër, Avni Dehari, konstatoi mungesën e forumit për formimin e komisionit për mbikëqyrjen e procesit të votimit të fshehtë për kryetar apo kryetare të Kuvendit.
Pra, nga Kuvendi i Kosovës nuk ka lajm. Kjo që ka ndodhur të enjten, në sallën e seancave plenare të Kuvendit ndodh çdo 48 orë, tash dy muaj.
Kandidatja e partisë më të madhe në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk u votua nga së paku 61 deputetë, në gjashtë votimet e hapura. LVV-ja po përpiqet të që votimi i hapur të zëvendësohet me votim të fshehtë, me shpresën se ka deputetë që do të votonin sipas vullnetit të tyre të lirë dhe jo sipas diktatit të partive të tyre.
Partitë e renditura pas LVV-së – Partia Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – e quajnë kundërkushtetues përpjekjen e LVV-së që votimi i hapur për kryetar të Kuvendit të shndërrohet në votim të fshehtë. Ato kanë kërkuar edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Bllokimi i procesit të konstituimit të Kuvendit, së paku sipas deklaratave publike të liderëve dhe eksponentëve të partive politike, është pasojë e propozimit të LVV-së për kryetar.
Liderët e partive që në mandatin e kaluar ishin në opozitë – PDK-së, LDK-së dhe AAK-së – kanë përsëritur tashmë dhjetra herë se nuk do të votojnë për Albulena Haxhiun në kurrfarë votimi, të hapur apo të fshehur. Nga këto parti ka pasur edhe sugjerime që LVV-ja ta propozojë ndonjë kandidat apo kandidate tjetër, madje edhe sugjerime për emra të caktuar. Por, LVV-ja e kundërshton kategorikisht tërheqjen e kandidaturës së Albulena Haxhiut, deputetes që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në këtë situatë, procesi i konsituimit të Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë të mbetet i bllokuar deri në opnionin e Gjykatës Kushtetuese.
Por, ngërçi politik vështirë se mund të zgjidhet pa një marrëveshje të partive politike më të mëdha që do t’i hapte rrugë konstituimit të institucioneve të reja shtetërore ose shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.
(r.m.)