Prishtinë, 7 gusht 2026 – Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës po shkon drejt skadimit, por procesi i formimit të institucioneve kryesore të shtetit nuk ka lëvizur nga vendi. Perspektiva e këtij procesi mbetet e paqartë, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike për pozitën e presidentit të ri të vendit.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e zhvilluan sot edhe një takim që përfundoi pa një marrëveshje. Të dy deklaruan se pozicionet e tyre politike për çështjen e presidentit mbeten të papajtueshme.
Kurti bëri të ditur se LDK kërkon që presidenti i ardhshëm të jetë kandidat i saj, ndërsa LVV-ja këmbëngul që president të zgjidhjet një figurë jopolitike që do të mbështetet nga gjithë spektri politik.
Kurti e cilësoi si jorealiste kërkesën e LDK-së. Ai kujtoi se fuqia politike e LDK-së në Kuvend është gati sa një e treta e fuqisë politike të LVV-së dhe theksoi se përmbushja e kërkesës së LDK-së do të deformonte rezultatin e zgjedhjeve
“Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe bindja ime është se ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së. Si LVV nuk mund të bëjmë një marrëveshje që do ta deformonte rezultatin zgjedhor”, tha Kurti.
“Një marrëveshje politike duhet ta pasqyrojë raportin e vendeve që i kemi në Kuvend”, theksoi ai.
Kurti tha se LVV-ja i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë së re, por theksoi se këto nuk kanë asnjë vlerë pa një marrëveshje politike për presidentin.
“Nuk është e mundur ndryshe, përveçse me një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re. Nëse i zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, e pastaj edhe qeverinë, prapë vijmë te zgjedhja e presidentit. Pa një marrëveshje paraprake kjo është e pavlerë. Kjo është një formulë e provuar që nuk ka dhënë rezultate dhe do të na shpinte drejt shpërndarjes së Kuvendit”, tha Kurti.
Edhe Abdixhiku bëri të ditur se LVV e LDK janë shumë larg një marrëveshjeje për pozitën e presidentit.
“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshjeje eventuale. Nuk pres që të ndryshojë diçka pa ndryshuar pozicionet politike të partive”, deklaroi ai.
Abdixhiku e cilësoi kërkesën e LDK-së për pozitën e presidentin si kërkesë për “balancë institucionale”.
“Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë nuk mund të ketë as marrëveshje”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se nuk pret që një marrëveshje politike të arrihet në orët e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe shprehu bindjen e vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
“Nëse qëndrojnë në pozicione te njëjta si në atp të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon sonte në mesnatë. Kuvendi konsiderohet i konstituuar me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.
Seanca konstituive e Kuvendit u hap të enjten, por punimet e saj u ndërprenë me kërkesë të Kurtit, i cili kërkoi “kohë shtesë” për vazhdimin e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja të shtetit, përfshirë zgjedhjen e presidentit të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me subjektet e komuniteteve joshumicë, i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si edhe për zgjedhjen e qeverisë, por nuk mund ta krijojë kuorumin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit pa votat e së paku 18 deputetëve të subjekteve deri tani në opozitë.
(r.m.)