S’ka marrëveshje për kandidat konsensual për president. Pritet garë me kandidatë partiakë

Prishtinë, 28 shkurt 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, janë takuar përsëri të shtunën në përpjekje për të arritur një marrëveshje për një kandidat konsensual për president të vendit, por takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Të dy kanë konfirmuar se nuk është arritur marrëveshje për një kandidat që do ta kishte mbështetjen e deputetëve të dy partive, me votat e të cilave bashkërisht do të zgjidhje ngërçi rreth çështjes së presidentit apo presidentes së ardhshme. Ata kanë paralajmëruar se dy partitë do të hyjnë në garën për president me kandidatët e tyre.

“Ne nuk kemi arritur që të kemi një kandidat i cili do të ishte konsensual, së paku jo deri më tani, e i cili do të shkonte përtej propozimeve partiake. Tash, lajmi i mirë është që PDK-ja ka vendosur të propozojë një kandidat dhe kjo natyrisht që jep shpresë për garë interesante në javën e ardhshme”, ka thënë Kurti pas takimit.

“Kur nuk ka mundësi për marrëveshje politike për propozime konsensuale, atëherë do të ketë propozime partiake”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, Hamza ka bërë të ditur se Kurti e ka refuzuar propozimin që LVV të mbështesë një kandidat të PDK-së për president, në mënyrë që të zgjidhej ngërçi politik dhe të shmangen zgjedhjet eventuale të parakohshme.

“PDK-ja ofroi edhe një mundësi konkrete dhe të fundit, për të shmangur zgjedhjet, duke propozuar zgjedhjen e një presidenti nga radhët tona, me qëllim garantimin e stabilitetit institucional dhe tejkalimin e ngërçit politik. Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është përmbushur”, ka thënë Hamza.

“Në bazë të asaj që kemi biseduar, ata kanë kërkesë që nëse PDK-ja e propozon një kandidat të saj, të jetë një kandidat i propozuar edhe nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe në këtë rast dihet përfundimi, rezultati i votimit”, tha Hamza.

Kurti ka thënë se çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm do të diskutohet nesër në mbledhjen e Këshillitt ë Përgjithshëm të LVV-së, sigurisht edhe për një kandidat të kësaj partie për president. Sipas tij, LVV nuk e ka të vështirë të gjejë kandidat, por vështirësia ka të bëjë me votimin në Kuvend, ku duhet të votojnë së paku 80 deputetë.

“LVV është subjekti më i madh në Kosovën e pasluftës dhe nuk e kemi të vështirë të gjejmë kandidatë. Besoj se vështirësia nuk është të gjejmë kandidatin, por hapat që na presin në vijim. Uroj që sa më shpejt ta kalojmë këtë sfidë dhe ta zbatojmë programin qeverisës”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, ai ka shfaqur shpresën se javën e ardhshme të ketë garë për presidentin apo prersidenten e ardhshme.

Javën e kaluar Kurti ishte takuar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, ku po ashtu ishte diskutuar për një kandidat konsensual për president. Nuk dihet nëse ata do të takohen përsëri, ndonëse votat e LDK-së nuk mjaftojnë për një votim të vlefshëm në kuvend.

(r.m.)