S’ka marrëveshje politike. Deri më 5 nëntor do të dihet se a do të ketë zgjedhje të reja

Prishtinë, 31 tetor 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i takoi të premten liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, në përpjekje që të gjendet një zgjidhje për zhbllokimin e procesit të formimit të qeverisë së re të vendit, pasi mandatari i dekretuar prej saj për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë votat e shumicës në Kuvend.

Osmani: Kurti ka kërkuar që të takohemi sërish, detyrimi im është të evitoj zgjedhjet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se liderët e partive parlamentare i shprehën qëndrimet e tyre lidhur me mundësinë e daljes nga kriza. Ajo tha ka kohë deri më 5 nëntor për të vendosur nëse do t’i shpallë zgjedhjet e reja apo do ta mandatojë dikë tjetër për formimin e Qeverisë së re.

“Diskutuam nëse dikush nga partitë politike që ishin të ulura rreth asaj tavoline e mund ta sigurojë shumicën për të krijuar qeveri apo jo. Besoj i keni dëgjuar liderët politikë rreth qëndrimeve të tyre. Disa thane se nuk mund të krijohet shumica, disa kërkuan të takohemi sërish. Ne i kemi 10 ditë afat për mandatimin e mandatarit të dytë. Ky afat skadon më 5 nëntor. Deri në atë datë do të komunikoj me kryetarët e partive politike”, u shpreh ajo.

Presidentja Osmani tha se Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka kërkuar që të takohen sërish para 5 nëntorit.

“Kurti ka kërkuar që të më takojë edhe një herë para se të skadojë afati 10 ditor. Do të vijnë me propozim apo jo është çështje e tyre”, tha ajo.

Osmani tha se partitë mund të duan zgjedhje të reja, por aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e obligojnë atë që të shmangë mbajtjen e zgjedhjeve.

“Aktgjykimet e Kushtetueses thonë që presidentja duhet të bëjë çmos t’i evitojë zgjedhjet. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, detyrimi i presidentes është tjetër. Atë detyrim unë duhet ta kryej”, tha Osmani, duke theksuar se ajo duhet të dëshmojë se i ka shteruar të gjitha mundësitë për t’i shmangur zgjedhjet e reja.

“Këto aktgjykime, me vetë faktin që përmendin mandatarin tjetër, interpretimi ynë është që nënkupton mandatar tjetër. A më duket e logjikshme një gjë e tillë, nuk më duket aspak për një arsye shumë të thjeshtë: një mandatar ndoshta sot nuk i ka votat, por mund t’i krijojë pas dy muajsh, pas dy javësh”, tha ajo.

Kurti nuk deklarohet, kurse PDK, LDK e AAK kërkojnë zgjedhje të reja

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

 

Por, sipas deklaratave të liderëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, ndonëse kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka kërkuar edhe një javë kohë për të siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.

Kurti vetë nuk është deklaruar pas takimit, ndërsa liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së u shprehën të sigurtë se as LVV-ja dhe asnjë parti tjetër nuk mund të sigurojë shumicën në Kuvend.

Memli Krasniqi: Zgjedhjet e reja janë të paevitueshme

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë deklarimit për media pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se në takim është bërë e qartë se askush nuk mund ta sigurojë shumicën për të formuar qeverinë. Ai theksoi se zgjedhjet e reja tashmë janë të paevitueshme.

“Një situatë të tillë ka muaj që e kemi paralajmëruar. Në këtë moment, rruga përpara është vetëm shpallja e zgjedhjeve të reja”, tha ai.

Krasniqi tha se PDK-ja ka bërë përpjekje që ta sigurojë shumicën me partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, por nuk ka arritur ta bëjë këtë.

Abdixhiku: U bë e qartë se nuk ka shumicë, vendi duhet të shkojë në zgjedhjeLumir Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se në takimin me presidenten “u bë e qartë nga përfaqësuesit e partive parlamentare se nuk ka shumicë parlamentare”. Sipas tij, kjo do të merret vesh deri më 5 nëntor, kur Presidentja duhet të konstatojë as asnjë subjekt politik nuk mund të sigurojë shumicën në Kuvend.

“Tani i takon presidentes që deri të mërkurën, më 5 nëntor, të përcaktojë se a ka shumicë apo jo”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më parë.

“Sa më parë që i shpallim zgjedhjet, i shmangim krizat që mund t’i vihen vendit”, theksoi ai.

Megjithatë, ai bëri të ditur se në takim nuk është folur fare për datën e zgjedhjeve të reja.

“Nuk folëm për data, as për marrëveshje politike. Këtu ishim për t’i dhënë qëndrimet e partive dhe presidentja të vlerësojë a ka numra për një shumicë”, u shpreh ai.

Abdixhikut ha se lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka kërkuar që të provojë edhe një herë ta formojë qeverinë, por liderët e partive politike shqiptare që i kanë 52 deputetë në Kuvend thanë se një përpjekje e re e Kurtit do të ishte e kotë, pasi ai nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme.

Haradinaj: Zgjedhjet të mbahen sa më shpejtKreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë adresimit për media pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se “vendi nuk ka kohë për të humbur” prandaj duhet që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e reja. Ai tha se presidentja Osmani mund ta kishte shpallur që sot datën e zgjedhjeve të reja, por Kurti ka kërkuar disa ditë kohë për të tentuar sërish të bëjë shumicën.

“Do të ishte në interes të Kosovës që data e zgjedhjeve të caktohet sa më shpejt, brenda 30 ditësh”, tha ai.

“Vendit i duhet një qeveri e re sa më shpejt në mënyrë që të mund të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm”, theksoi Haradinaj.

Ai tha se zgjedhjet e reja duhet të mbahen më 7 ose më 14 dhjetor.

(r.m.)