Vladimir Putini e ka kryer misionin e tij jetësor
Vetë Putini ndoshta mendon se mision i tij është ta mundë SHBA-në, të krijojë një rend të ri botëror në të cilin Rusia do të jetë lojtari kryesor, etj. Por, ai e ka gabim. Mision i tij ishte shkatërrimi i Rusisë. Dhe ia doli. Tani ai mund të largohet i qetë.
Në të vërtetë, kjo ishte e vetmja gjë që ia doli, asgjë tjetër. Ekonomia në rënie, përkeqësimi i situatës demografike, prapambetja e thellë teknologjike, hipokrizia gjithëpërfshirëse – këto janë arritjet e mbretërimit të Putinit. Lista mund të jetë shumë më e gjatë. Me luftën dhe vrasjet masive si arritje kulmore.
Por kur bëhet fjalë për Rusinë – po, ai e shkatërroi atë. Vendi ku kemi lindur dhe jemi rritur nuk ekziston më.
Bota nuk e sheh më vendin me të cilin bashkëpunoi dhe bashkëveproi. Tani ekziston vetëm një territor që përbën kërcënim dhe bota duhet të bashkohet kundër tij.
Shteti nuk është thjesht një territor, është diçka më e madhe. Territori do të mbetet sido që të jetë, ashtu sikurse shumica e njerëzve: edhe sot shumica e rusëve nuk ikin. Shteti është kultura, mënyra e jetesës, identiteti i vetvetes, imazhi që ai e përfaqëson në botë. Shteti është lidhja e së tashmes me të kaluarën – vazhdimësia. Është lidhja e së ardhmes me atë që po ndodh sot dhe me atë që ka ndodhur në të kaluarën.
Vendi ynë ishte zhdukur një herë më parë – e kishin shkatërruar bolshevikët. Pas Revolucionit të Tetorit të 1917-ës, kishte mbetur një territor ku sundonte çmenduria, ku tashmë nuk kishte asnjë lidhje me Rusinë, me kulturën apo me historinë e saj, përveç ndoshta, me momentet e saj më të errëta – si sundimi i Ivanit të Tmerrshëm.
Territori ishte një refuzim i kulturës ruse dhe historisë së saj, i kishte vrarë dhe internuar ata që e kishin simbolizuar vendin e dikurshëm, kishte lënë në harresë dhe i kishte shtrembëruar imazhet e atyre që kishin vdekur para lindjes së tij më 1917. Më pas, ai kishte kaluar dekada dhimbjesh në përpjekje për ta ringjallur veten – por ai nuk u rilind kurrë më plotësisht.
Diçka shumë e ngjashme ka ndodhur tani. Deri vonë, fjala Rusi lidhej me të mirat dhe të këqijat. Diktatura, Stalini, kampet e burgjet, por edhe kultura ruse, fluturimi në hapësisë, Fitorja. Por e gjithë kjo tashmë është e kaluar. Ashtu si dikur fjalët Gjermani dhe gjerman nuk asoconin me Gëten ose me shkencëtarët e mëdhenj gjermanë, por me SS, Führerin e çmendur dhe furrat në Aushvic dhe Treblinka, sot mbiemri rus mbart në vetvete vetëm vdekje, shkatërrim, agresion dhe gënjeshtra. Dhe kjo nuk ka gjasë të ndryshojë së shpejti!
Nuk ka më shtet. Jo vetëm që u shkatërrua gjithçka që kishim ndërtuar deri në fund të viteve tetëdhjetë. Nuk ka kulturë ruse. Po, sezoni i La Scala-s u hap me Mussorgskyn dhe dramat e Çehovit shfaqen anembanë botës. Por, nëse më parë pas këtyre emrave qëndronte diçka e quajtur kultura e madhe ruse, Pushkin apo Çajkovski tani sikur ekzistojnë vetëvetiu, sikur nuk kanë lidhje me asnjë kulturë. Ata ekzistojnë, por pas tyre ka vetëm zbrazëti.
Nuk ka më ushtri ruse – ekziston një grup i armatosur i rrezikshëm që mbjell vdekje në Ukrainë. Në ushtria e mbron vendin e saj, nuk vjedh në një fqinj pa qëllim, përveç realizimit të fantazive të paqarta të personit numër një. Një ushtri moderne është e bashkuar dhe jo një grumbullim që përbëhet nga njësi të pavarura ndërluftuese. Një ushtri moderne ka disiplinë – ndonjëherë gjërat ndodhin, por përdhunuesit e vrasësit ndëshkohen dhe nuk shpërblehen me ndonjë qytet për të grabitur ose për të fituar tituj nderi për divizionet e kriminelëve. Nuk ka ushtri.
Prapa fjalës Rusi, duke filluar që nga koha e Pjetrit të Madh, qëndronte imazhi i fuqisë ushtarake. Putini i tregoi tani gjithë botës se një fuqi e tillë nuk ekziston. Kjo është e rrezikshme edhe nga pikëpamja e sigurisë së territorit që deri vonë ishte Rusi. Lufta e Dimrit (kur BRSS e sulmoi Finlandën), e dështuar e Stalinit, ishte një nga arsyet që Hitleri vendosi ta pushtonte BRSS-në. Pse të mos e sulmonte nëse Ushtria e Kuqe ishte e dobët?
Qeveria jonë, natyrisht, e shpiku kërcënimin që vjen nga NATO, ndërsa kërcënimet potenciale të Kinës apo të talebanëve janë mjaft reale. Veprimet e tyre përçarëse në territoret ndërkufitare tani janë bërë më të mundshme. Bota e konsideronte Rusinë një fuqi ushtarake, kurse tani, pavarësisht sa karikatura të një arme çudibërëse të publikohen dhe pavarësisht sa parada të organizohen, ekzsiton vetëm një territor i arritshëm për çdo agresor.
Në fakt, në Rusi sot nuk ka as president. Këtu nuk po flas për mungesën e legjitimitetit të tij elektoral. President, Mbret ose Sulltan është dikush që e mbështet rendin (jo domosdoshmërisht kushtetues, por një lloj rendi) dhe komunikon me botën e jashtme dhe me vendin e tij. Rendi, ashtu sikurse Kushtetuta, ka kohë që është zhdukur – zjarre, tuba të shpëthyer të fekaleve, mospërmbushje të asnjë detyrimi (postimi i deklaratave zyrtare të bëra nga qeveria disa vite më parë do të dënohet së shpejti me burgim për diskreditim të shtetit). Kurse Putini refuzon të komunikojë. Ai, për shembull, nuk mbajti fjalim në Samitin e G20 – edhe pse kjo ishte një mundësi e shkëlqyer që t’i shpjegonte gjithë botës se bota është në gabim dhe se ai, Putini, ka të drejtë për gjithçka. Ai nuk dëshiron të komunikojë as me popullin e tij – i anuloi konferencën [vjetore] për shtyp dhe fjalimin e parashikuar me kushtetutë në Këshillin Federal, e anuloi pritjen e Vitit të Ri në Kremlin – nuk dëshiron të komunikojë as me “më të besuarit”e tij.
Ekziston dikush që jep urdhra nga Kremlini ose nga ndonjë bunker i vendosur në ndonjë vend të panjohur, por nuk ka president.
Kjo nuk na ka ndodhur vetëm neve. Unë e kuptoj se krahasimet midis Putinit dhe Hitlerit, si edhe midis qeverisë sonë të sotme dhe Rajhut të Tretë janë shumë të dukshme, sipërfaqësore, prandaj shumëkush është lodhur prej tyre. Ilf dhe Petrov (prozatorët sovjetikë që kanë shkruar së bashku, të njohur për librat e tyre Dymbëdhjetë Karriget dhe Viçi i Artë – shënimi i përkthyesit), në rast se të dy e krijonin të njëjtën shaka, nuk e përdornin atë. Por, kjo nuk është shaka! Kështu janë gjërat – shikoni sa çuditërisht të ngjashme janë situata, veprimet dhe retorika. Vendi ynë aktualisht i ngjan Gjermanisë së vitit 1944 më shumë se çdo gjë – humbja ushtarake e Hitlerit do të vinte gjithsesi, por Gjermania dhe kultura gjermane, ato që bota i kishte pranuar si tëtilla me shekuj, tashmë ishin zhdukur.
Sado e çuditshme të jetë, kjo është një analogji optimiste. Gjermania u rilind. Ndoshta, edhe ne mund të jemi. Edhe pse nuk ka garanci.
Jo shumë kohë më parë, në Forumin Valdai, Putin tha: “Përse do të na duhej një botë pa Rusi në të?” Një botë e tillë – pa Rusi në të – ekziston tashmë falë përpjekjeve të Vladimir Putinit të vitit 2022.
(Leonid Yakovlevich Gozman është president i lëvizjes publike gjithëruse Bashkimi i Forcave të Djathta. Ai ka kundërshtuar agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, atë të vitit 2014 dhe këtë tëvitit 2022. Më 25 korrik 2022, ai u arrestua dhe u mbajt në burg 15 ditë, për shkak të një postimi në Facebook që, sipas autoriteteve, denigronte imazhin e Rusisë. Ky shkrim është publikuar në novayagazetaeurope).
(r.m.)