Prishtinë, 2 mars 2026 – Negociatat midis tri partive kryesore politike në Kosovë për zgjedhjen e presidentit të vendit duket se kanë dështuar përfundimisht.
Të martën ka përfunduar pa marrëveshje për një kandidat konsensual i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, njësoj sikurse ka përfunduar edhe takimi i tij me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, para dy ditësh.
Abdixhiku e ka akuzuar Kurtin se nuk ka vullnet për arritjen e konsensusit.
“S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja adekuate për LDK-në”, ka deklaruar Abdixhiku pas takimit me Kurtin.
Kryetari i LDK-së ka thënë se opsioni i paraqitur nga LVV-ja dhe PDK-ja që partitë të propozojnë nga një kandidat secila, me gjasë, do të çojë në zgjedhje të reja.
“Për garë, LDK nuk beson që ka zgjidhje, pasi kjo është procedurë e paracaktuar për të dështuar. Nëse LVV dhe PDK vendosin për garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas gjasave, sepse nuk dihet sesi do të arrihen 81 vota,” ka thënë ai.
Abdixhiku ka pranuar se LDK-ja nuk mund të sigurojë kuorumin e nevojshëm për votim të suksesshëm në kuvend.
“Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i ka kërkuar 85 vota, që do të thotë se marrëveshja politike me LDK-në nuk bëhet për 85 vota”, ka thënë ai.
Ai ka thënë gjithashtu se LDK-ja nuk ka fuqi politike që do të mund ta zgjidhte çështjen e presidentit.
“LDK-ja, me 15 deputetë, nuk mund të caktojë emër e as ta nominojë dikë”, ka thënë ai.
Sipas Abdixhikut, në asnjërin nga takimet e tij me Kurtin nuk është përmendur ndonjë emër.
I pyetur nga gazetarët se cili është qëndrimi i LDK-së ndaj kandidaturës eventuale të presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
“Ne nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit”, ka theksuar Abdixhiku.
“Ne nuk kemi thënë asnjëherë që kemi apo nuk kemi votë për Vjosa Osmanin”, ka shtuar ai.
Kryetari i LDK-së e ka cilësuar si shumë të vështirë arritjen e pajtimit për një kandidat konsensual, ndonëse, sipas tij. Megjithatë ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e një takimi tjetër me Kurtin për të shmangur zgjedhjet e reja.
Edhe Kurti ka konfirmuar se ende nuk ka as ndonjë figurë konsensuale dhe as marrëveshje politike me ndonjërën nga partitë e opozitës. Por, ai ka theksuar se prioriteti kryesor politik në këtë moment është shmangia e zgjedhjeve të parakohshme dhe ka insistuar që të tri partitë politike të propozojnë nga një kandidat për president.
“Kushtetuta na obligon t’i evitojmë zgjedhjet. Duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtet janë ideale për t’i pasur tre kandidatë, por aktualisht s’e kemi asnjë”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se LVV-ja mund të propozojë vetëm një kandidat për president, ndërsa me përfshirjen e votave të pakicave që janë pjesë e mazhorancës mund të propozohen dy kandidatë. Ai ka thënë se edhe partitë opozitare mund ta propozojnë një kandidat të tyre.
Sipas tij, qëndrimi i PDK-së që kandidati për president duhet të jetë partiak e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje, pasi mazhorancës i mungojnë 14 vota për votim të suksesshëm.
“Për votim duhet t’i kemi së paku 80 deputetë në sallë, por nuk mund të rrezikojmë të shkojmë me vetëm 80, sepse, në rast se disa largohen nga seanca, vendi shkon automatikisht në zgjedhje. Evitimi i zgjedhjeve është prioritet absolut”, ka theksuar ai.
Kurti ka theksuar se partitë politike gjenden përballë obligimit kushtetues që të propozojnë kandidatë për të shmangur zgjedhjet.
Kurti ka thënë se mungesa e kandidatëve është sfida kryesore e momentit. Sipas tij, asnjë parti politike nuk ka propozuar ende ndonjë kandidat për president.
.Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka lënë të hapur opsionin që tri partitë të propozojnë nga një kandidat për president, pavarësisht mungesës së marrëveshjes me LVV-në dhe LDK-në.
Hamza ka treguar se të shtunën, në takimin e dytë me Kurtin, ka kërkuar që në Kuvend të dërgohen për votim vetëm dy kandidatë të PDK-së, me arsyetim se zgjedhja e presidentit nga partia më e madhe opozitare do të siguronte një balans politik në udhëheqjen institucionale të vendit.
Ky opsion, siç ka thwnw Kurti, është i papranueshëm pwr LVV-nw, e cila i ka 57 vota të saj në Kuvend, kurse bashkë me partitë e kominiteteve që janë pjesë e koalicionit qeverisës, llogaritet t’i ketë 66 vota.
Pra, LVV-ja i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit në raundin e tretë të votimit. Por, votimi është i vlefshëm vetëm në qoftë se në të marrin pjesë së paku 81 deputetë. Pa votat e disa deputetëve të opozitës është e pamundur të përfundojë me sukses procesi i zgjedhjes së presidentit.
Rrjedhimisht, mungesa e pajtimit të tri partive më të mëdha në Kuvend për pjesëmarrje në votimin për president, cilido apo cilado që të jetë kandidati apo kandidatja, e fut procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit në një fazë me shumë paqartësi.
Opsioni më i fundit janë zgjedhjet e reja. Por, sipas deklarimeve publike, ky është opsioni më i padëshirueshëm për të gjitha partitë politike. Prandaj, dy ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit është I veshur me shumë paqartësi.
(r.m.)