Prishtinë, 14 nëntor 2024 – Ish-kryetari i gjykatës ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, ka udhëtuar të enjten për në Hagë, ku është ftuar aga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit, raportoi KOHA, duke iu referuar burimeve të saj.
Dobruna ishte intervistuar të paktën dy herë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në dhjetor të vitit 2018 dhe në gusht të vitit 2024.
Dobruna ka pranuar se ka qenë kryetar i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka deklaruar publikisht se kishte urdhëruar ekzekutimin e dënimit ndaj Blerim Kuçit, të cilit i ishte shqaiptuar dënimi me vdekje, për dezertim gjatë luftës, por urdhri i tij nuk ishte zbatuar.
KOHA ka mësuar se për në Hagë ka udhëtuar edhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Halil Çadraku.
Zëdhënësi i Gjykayës Speciale, Michael Doyle, ka thënë se çfarëdo informate që duhet të jetë publike do të publikohet në uebfaqen e gjykatës.
(r.m.)