Sipas një sondazhi të kryer nga “Instituti Republikan Ndërkombëtar” (IRI), kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani janë dy politikanët më të besueshëm në Kosovë.
Kryeministri Kurti, sipas matjeve të institutit amerikan, është më i besuari për 28% të të anketuarve, kurse Presidentja Osmani e gëzon besimin e 15% të të anketuarve.
Në listën e dhjetë politikanëve më të besueshëm në Kosovë, pas Kurtit e Osmanit, renditen: ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli (9%), ish-presidenti Hashim Thaçi (7%), kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku (6%), kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj (4%), kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca (4%), kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi (3%), kryetari i NISMA, Fatmir Limaj (2%) dhe kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza (2%).
Por, besimin për ndonjërin prej politikanëve të Kosovës e kanë shprehur vetëm 54% të respondentëve. 27% prej tyre kanë deklaruar se nuk kanë besim në asnjërin prej politikanëve, ndërsa 16% prej tyre kanë thënë se nuk e dinë cili është politikani më i besueshëm apo kanë refuzuar të përgjigjen.
Sondazhi është realizuar në kuadër të qendrës së institutit “Center for Insights in Survey Research” nga Ipsos Stregic Marketing, nga 30 dhjetori e deri me 20 shkurt.
Në sondazh kanë marrë pjesë 1,520 respodentë. Të dhënat janë mbledhur me metodën e intervistimit të qytetarëve në shtëpitë e tyre, nga të gjitha zonat (urbane/rurale) dhe me të gjitha grupet etnike.
Margjina e gabimit thuhet se mund të jetë deri në 2.9 për qind.
Kush është IRI?
“Institutit Republikan Ndërkombëtar” është institut amerikan jo profitabil që synon të ndihmojë akterët politikë, partitë politike dhe personat e subjektet e përfshira në qeverisje që të merren më shumë me çështje substanciale.
Instituti merret edhe me programe për përfshirjen më tëmadhe të të rinjve në politikë dhe ofron ndihmë sidomos për grupet e margjinalizuara në vende të ndryshme të botës.
Instituti ishte formuar në vitin 1982, me iniciativë të presidentit të atëhershëm amerikan Ronald Reagan. Deri në vitin 2018 udhëheqës i institutit ka qenë John McCain, i cili ishte zëvendësuar nga senatori amerikan, Dan Sullivan.
(r.m.)