Sonja Biserko: Situata në veri të Kosovës është në prag të shpërthimit

Beograd, 21 dhjetor 2022 – Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se situata në veri të Kosovës është në prag të shpërthimit në konflikt të armatosur.

“Situata në kufi me Kosovën është shumë më komplekse, për shkak të pranisë së njësisë paramilitare ruse ‘Vagner’, ‘ujqërve të natës’ dhe grupeve ekstreme të vendit, të cilat po përpiqen të shkaktojnë konflikt, në mënyrë që të kenë alibi për ta okupuar veriun”, ka thënë zonja Biserko, për gazetën beogradase “Danas”.

Ajo ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksanda Vuçiq, po i fryn zjarrit të konfliktit, me qëllim që të realizojë objektivin e vetëm të tij – ndarjen e Kosovës.

“Është interesante deklarata e presidentit (Vuçiq) në Azerbejgjan se dëshiron ‘të mësojë nga përvoja e tyre, sepse ata dijnë si luftohet dhe si fitohet’. Por, ai harron se fitorja e fundit (e Azerbejgjanit) u arrit pas ndërhyrjes së Turqisë, e cila u hesht nga Rusia”, ka thënë zonja Biserko.

“Qartësisht ai (Vuçiqi) llogarit në mbështetjen ruse, sepse KFOR-i dhe NATO tashmë e kanë paralajmëruar qartë që të mos shkojë në atë drejtim”, ka theksuar ajo.

Sonja Biserko ka thënë gjithashtu se Perëndimi po e humb durimin me Serbinë, për shkak të sjelljes së saj destabilizuese në rajon.

“Perëndimi po e humb durimin, në pritje të përgjigjes së Serbisë ndaj thirrjes që të heqë dorë nga veprimet që e destabilizojnë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë zonja Biserko.

“Sjellja e Beogradit tregon se pushteti e ka mundur vetëveten dhe nuk ka më hapësirë për manipulime të ndryshme, kurse perendimi nuk do ta tolerojë më, siç ka bërë me vite, në dëm të të gjithë fqinjëve (të Serbisë)” ka shtuar ajo.

Zonja Biserko ka folur edhe për thirrjen që Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ia ka drejtuar shoqërisë civile në Serbi që të deklarohet lidhur me situatën në Kosovë. Ajo ka thënë se kjo është edhe një përpjekje e Vuçiqit që të homogjenizojë serbët rreth prapavisë së barrikadave në pjesën veriore të Kosovës.

(r.m.)