Bruksel, 2 qershor 2025 – I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është takuar të hënën në Bruksel me kryenegociatorin e Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi.
- Sorensen, në një postim në platformën X, bëri të ditur se në takim kanë diskutuar për vazhdimin e dialogut për “një gamë të gjerë çështjesh, të rëndësishme për normalizim të raporteve me Serbinë”. Ai njoftoi se ishte planifikuar që ky takim të ishte trepalësh, por nuk tregon arsyet e mungesës së palës serbe. Njëkohësisht, bëri të ditur se planifikon të organizojë së shpejti një takim trepalësh.
“Prita kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, për një takim trepalësh për dialog në Bruksel sot. Diskutuam një gamë të gjerë çështjesh, të rëndësishme për normalizim të raporteve me Serbinë. Planifikojmë të organizojmë një takim trepalësh së shpejti”, thuhet në njoftimin e z. Sorensen.
Ndërkaq, kryenegociatori i Kosovës, ka thënë se ishte paraparë që ky takim të ishte trepalësh, por pala serbe nuk ka arritur me kohë në Bruksel.
“Ka qenë i paraparë edhe një takim trelateral, por nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodhur komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arritur në Bruksel për shkak të vonesave”, ka thënë Bislimi.
Ai ka treguar se në takimin me z. Sorensen është biseduar për fazat e ardhshme të bisedimeve në nivel kryenegociatorësh dhe atyre të nivelit të lartë, nën drejtimin e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas.
“Fillimisht ai na tregoi me qasjen që ai mendon që ta ketë në fazat e ardhshme të bisedimeve, qoftë në nivel të kryenegociatorëve, qoftë edhe në takimet e larta ku pastaj udhëhiqen nga znj. Kallas, dhe pastaj, në takim bilateral, ngritëm një sërë temash për të cilat mendojmë se është shumë me rëndësi që të kemi përgjigje nga Brukseli, apo zgjidhje. Për shembull, kemi rastin e menagjimit të integruar të kufirit ku ka mungesa të mëdha nga ana e Serbisë si në përmbushjen e obligimeve të tyre përshembull në tri pika kufitare që ata është dashur të ndërtojnë, ose në përgjigje ndaj propozimeve tona që në Bujanoc, përshembull në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë të hapen pika sezonale gjatë kohës kur ka më shumë udhëtarë që kthehen edhe nga diaspora, por edhe për problemet që kemi në këtë fushë me njohjen e certifikatave fitosanitare edhe atyre veterinare dhe pengesave që iu bën Serbia”, ka thënë Bslimi.
Ai ka thënë se me z. Sorensen ka diskutuar edhe për çështjen e linjave të interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë, të paraparë me marrëveshjen për energjinë, e cila nuk po zbatohet nga Serbia.
“E ngritëm edhe temën e kostove shumë të mëdha të mosfunksionalizimit të linjave të interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë, që janë obligime të papërmbushura të Serbisë që burojnë nga marrëveshja për fushën e energjisë. Treguam se deri në ç’masë janë humbjet që ka Kosova në baza vjetore nga kjo dhe për barrierat që Serbia po i vendos në vazhdimësi në mënyrë artificiale”, është shprehur Bislimi.
Bislimi ka thënë se me z. Sorensen ka biseduar edhe për mbështetjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Diskutuam edhe për një proces shumë të rëndësishëm që e kemi,mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës përmes ndihmave për fermerët e vegjël, të cilat i ka bllokuar Serbia në llogaritë bankare të Këshillit Kombëtar Shqipta. Kërkuam një përgjigje sa më të shpejtë për zhbllokimin e këtyre mjeteve”, ka thënë Bislimi.
Kryenegociatori i Kosovës ka thënë se me të dërguarin e BE-së për dialogun ka diskutuar edhe për fushatën dezinformuese të Serbisë kundër Kosovës.
“Folëm edhe për fushatën dezinformuese që Serbia e ka nisur në shumë fronte, me qëllim të dezinformimit të partnerëve ndërkombëtarë, por edhe mbajtjes së lartë të presionit tek qytetarët serb në Kosovë”, është shprehur ai.
Bislimi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, ka pohuar se vonesa e konstituimit të institucioneve të reja ndikon në dinamikën e dialogut me Serbinë.
“Natyrisht se ka vështirësi, për arsye se nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë. Megjithatë, janë disa tema nga të cilat Kosova mund të përfitojë nëse ka qasje konstruktive nga e Serbisë, prandaj mendoj që nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Bislimi.
Në muajin maj, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtyme dhe Siguri, Kaja Kallas, ishte në Prishtinë dhe në Beograd, për të shtyrë përpara bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ajo u bëri thirrje të dy palëve që të angazhohen në mënyrë konsturktive për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat i cilësoi si parakusht thelbësor për “të ardhmen evropiane” të të dyja shteteve.
(r.m.)